A do ta Zhdukë Vaksina Koronavirusin?

160 0

Vendet europiane ndodhen në një “çast kritik të pandemisë”, tha drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, teksa vijon shtimi i rasteve të reja dhe rreziku i përhapjes së formës së re të virusit.

Varianti i ri, i cili është më shpejt i transmetueshëm, është zbuluar edhe në 22 shtete të tjera tha Dr. Hans Kluge, teksa theksoi se të gjitha shtetet duhet të “intensifikojnë” masat për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Virusi po përmirësohet dhe ne duhet të bëjmë të njëjtën  gjë”, u shpreh drejtoresha e programit të emergjencave, Catherine Smallwood.

Ekspertët parashikojnë se do ketë më shumë raste të reja pas festave të fundvitit, ndërsa Dr. Kluge tha se për momentin “nuk ka një pamje të qartë të situatës aktuale epidemiologjike”, pas uljes së testimeve gjatë festave.

Si do të ndikojë vaksina mbi pandeminë?

Edhe pse një sërë shtetesh në Europë, përfshi këtu Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet anëtare të BE, kanë nisur fushatën e vaksinimeve, zyrtarë të OBSH kanë paralajmëruar që kjo nuk duhet të sjellë edhe lehtësimin e masave.

“Gjëja e parë që vaksinimi do të ndryshojë është që personat më të rrezikuar, ata që po vaksinohen të parët, nuk do të sëmuren rëndë dhe të përfundojnë në spital”, tha Smallwood.

“Ky do të jetë efekti i parë, megjithatë nuk duhet të presupozojmë që kjo do të ndodhë vetvetiu. Duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë edhe për të paktën gjashtë muaj të tjera”.

Dr. Kluge tha se edhe pse “imuniteti i tufës” është “rezultati i dëshiruar”, vendet do të duhet të vazhdojnë përpjekjet për frenimin e përhapjes së virusit, pjesërisht pasi ende nuk dihet për sa kohë mund ta parandalojë vaksina infektimin.

Në Europë janë regjistruar rreth 26 milionë raste dhe 580 mijë viktima në 2020.

A do të zhduket COVID-19?

Thënë shkurt, zyrtarët ende nuk e dinë këtë me siguri, por ka vetëm një sëmundje që cilësohet si e zhdukur: lija.

Por ka “ndryshime të jashtëzakonshme” midis lisë dhe COVID-19 e cila u përhap me shpejtësi në mbarë botën e u përshtat më së miri në mesin e humanëve”, shpjegon Smallwood.

Ajo theksoi se ka ende shumë pikëpyetje mbi kohëzgjatjen e imunitetit që sjell vaksina dhe nëse virusi mund të pësojë mutacione të reja me vaksinimin e njerëzve./EuroNews Albania