I Bardhi Apo Jeshili – Cili Është Çaji Më i Mirë Për Organizmin?

884 0

A e dinit se çaji i bardhë dhe ai jeshil vijnë nga e njëjta bimë që quhet Camellia Sinensis me origjinë nga Azia?

Dallimi thelbësor mes të dy çajrave vjen në momentin e mbledhjes. Gjethet e çajit të bardhë mblidhen nga bima kur janë akoma të papjekura mirë. Gonxhet e vogla mblidhen në pranverë dhe dalin vetëm një herë në vit.

Emri i çajit të bardhë vjen nga pushi i bardhë që mbulon gonxhet e vogla të çajit.

Nga ana tjetër, çaji jeshil prodhohet nga gjethet e sipërme të bimës të cilat mund të mblidhen gjatë gjithë vitit.

Pas këputjes së gjetheve, të dy çajrat kërkojnë kohën e duhur për t’u përpunuar.

Gjethet e çajit jeshil i nënshtrohen një fermentimi të pjesshëm, ndërsa gonxhet e çajit të bardhë nuk janë subjekt fermentimi.

Cilin të zgjidhni?

Interesi në vendet perëndimore për të dy çajrat ka qenë gjjithnjë në rritje.

Çaji jeshil është ndër pijet më popullore në të gjithë botën. Studimet mjekësore kanë treguar se çaji jeshil përmban një nivel të lartë antioksidantësh që i bëjnë mirë shëndetit tonë.

Njerëzit e ndërgjegjshëm për rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm e kanë çajin jeshil pjesë të ditës.

Megjithatë, ka njerëz të tjerë që preferojnë çajin e bardhë që ka një shije më të butë.

Çaji jeshil ka shijen e tokës, ndërsa shija e çajit të bardhë është më e pastër dhe më e ëmbël.

Të dy çajrat kanë nivele të larta antioksidantës, por kërkimet mjekësore kanë provuar se çaji i bardhë i jep organizmit tre herë më shumë antioksidantë se çaji jeshil.

Kjo sasi e lartë antioksidantësh ka lidhje me periudhën e mbledhjes së parakohshme të gonxheve.

Gonxhet e paçelura mirë ruajnë të gjithë ushqyesit e tyre dhe i çlirojnë ato në ujë.

Një tjetër aspekt që dallon të dy çajrat është vlera e tyre financiare.

Për shkak të kohës së kufizuar të mbledhjes së gonxheve manualisht, çaji i bardhë ka një çmim më të shtrenjtë.

Lajmi i mirë është se nevojiten shumë pak gonxhe për të çliruar lëngun karakteristik.

Për ta përmbledhur:

Çaji jeshil dhe ai i bardhë vijnë nga e njëjta bimë.
Çaji i bardhë mblidhet në pranverë dhe vetëm në një periudhë të kufizuar.
Gjethet e të dy çajrave përmbajnë shumë antioksidantë.
Çaji i bardhë përmban tre herë më shumë ushqyes se çaji jeshil
Çaji jeshil kushton më pak se çaji i bardhë./AgroWeb.org