Bërdullaku – Cilat Janë Vlerat E Mëdha Për Shëndetin

13.7k 0

Bërdullaku është nga ato barishte me gjethe dhe kërcenj vërtet joshës.

Kjo barishte, që rritet nëpër lëndina dhe kopshte, është një thesar i vërtetë për njerëzit që janë në kërkim të burimeve të egra natyrale të ushqimeve.

AgroWeb ka përgatitur këtë material me të dhëna mjaft interesante dhe receta që lexuesit dhe konsumatorët ta vlerësojnë më shumë këtë barishte fantastike.

Emri botanik i bërdullakut është Portulaca oleracea. Portulaca vjen nga Latinishtja që do të thotë “portë” ndërsa Oleracea do të thotë “perime e kuzhinës.”

Në lashtësi, bërdullaku njihej për vlera shëruese, madje disa historianë të asaj kohe ishin të bindur që kjo bimë dhe lulet e saj duheshin mbajtur në rroba për të mbajtur të keqen larg.

Bërdullaku ka kërcenj të kuqërremtë dhe të butë, lule të verdha me nga pesë petale në formë ovale me një gjërësi prej 6 milimetrash.

Në varësi të shirave, lulet çelin shpesh gjatë gjithë vitit. Lulet hapin petalet e tyre kryesisht në orët e para të mëngjesit, kur farat që mbrojnë me fanatizëm janë të pjekura mjaftueshëm.

Kjo barishte ka krejt pak kolesterol. Është një burim i shkëlqyer i tiaminës, niacinës, vitaminës B6 dhe folatit.

Bërdullaku përmban vitaminë C, A, riboflavinë, kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium, bakër dhe mangan.

Një nga gjërat që ngjall shumë kuriozitet për bërdullakun është se kjo bimë ka më shumë acide yndyrore Omega 3 se sa çdo bimë tjetër e njohur në planet.

Në mbrëmje, gjethet përthithin dioksidin e karbonit dhe e transformojnë atë në acid malik (që i jep mollëve thartësinë karakteristike) dhe gjatë ditës atë e kthejnë në glukozë.

Nëse e mblidhni bimën në mëngjes herët, gjethet kanë dhjetë herë më shumë acid malik se sa po t’i mblidhni pasdite.

Kërcenjtë, gjethet dhe gonxhet e bërdullakut janë të gjitha të ngrënshme. Bima mund të përdoret e freskët në sallatë, mund të gatuhet si spinaqi dhe mund të përdoret në supë ose gatime të tjera.

Në Shqipëri, kjo bimë përdoret si perime, në mënyrë të njëjtë me spinaqin. Shërbehet me vaj ulliri ose përdoret në përgatitjen e byrekut.

Grekët e quajnë Andrakla. Ata përdorin gjethet dhe kërcinjtë me djathë feta, domate, qepë, hudhër, rigon dhe vaj ulliri. E përdorin në sallata, e ziejnë ose e gatuajnë me mish pule.

Në Turqi, e përdorin për sallata dhe për byrek. Edhe ata e gatuajnë në të njëjtën mënyrë si spinaqi.

Libanezët e njohin bërdullakun si Bakleh. E hanë të freskët në sallatë, e përdorin si garniturë ose në byreçka dhe pite.

Si të njihni bërdullakun?

Bërdullaku ngatërrohet lehtësisht me një bimë tjetër të njohur si Euphorbia maculate e cila është helmuese dhe të sëmur.

Ndonëse të dyja bimet rriten në sipërfaqen e tokës, gjethet e Euphrobia Maculate janë të vogla dhe në mes kanë njolla të kuqe.

Kërcenjtë e kësaj bime helmuese janë me push dhe lulet ngjajnë ndryshe. Një mënyrë tjetër për të bërë dallimin mes tyre është që të ndani kërcenjtë në dysh.

Kërcelli i bimës helmuese nxjerr një lëng kremoz ngjyrë të bardhë. Ndaj kini kujdes!/AgroWeb.org