Briosh Shtëpie – Të Buta Plot Shije

4.9k 0

Një briosh shtëpie dhe një filxhan me kafe apo çaj do të ishte zgjedhja ideale për një mëngjes të lehtë, të shijshëm për të nisur ditën me humor të mirë e pozitivitet.

Brioshët sigurisht vijnë nga delikatesat e kuzhinës franceze e italiane por fama e shijes së tyre të mirë ka bërë që sot, ato të jenë ndër produktet më të preferuara në mbarë botën, sidomos për vaktin e mëngjesit.

Të shoqëruara me çaj, kafe apo lëngje të ndryshme frutash, të mbushur  me çokollatë, reçel apo të thjeshtë, brioshët janë padyshim një nga mënyrat më të shijshme për të nisur mëngjesin.

Një ushqim i lehtë, i shpejtë, por mbi të gjitha i përgatitur në shtëpi edhe i shëndetshëm, brioshët janë padyshim mënyra më e mirë për të mbledhur gjithë familjen rreth tryezës së ngrënies në orët e para të mëngjesit.

AgroWeb.org ju përcjell më poshtë një recetë fantastike, e cila përgatitet krejt lehtë dhe shpejtë në shtëpi.

Përgatitja e Brioshëve në Shtëpi

Përbërësit

500 gr miell

100 gr sheqer

150 gr gjalpë

Një filxhan çaji kos natyral

3 të verdha vezësh

Një lugë e vogël me kanellë pluhur

Mbushja sipas dëshirës, çokokrem apo reçelra të ndryshëm

Përgatitja

Si fillim hedhim në një tas të madh miellin, gjalpin dhe sheqerin. I kalojmë të gjitha në mikser derisa të jenë përzjerë mirë me njëra tjetrën.

Më pas shtojmë të verdhat e vezëve bashkë me kosin dhe kanellën dhe vijojmë t’i përzjejmë në mikser derisa brumi të jetë i njëtrajtshëm.

E hedhim brumin në një enë tjetër dhe e punojmë me dorë për disa minuta.

Më pas brumin e mbështjellin me një letër kuzhine dhe e lëmë të pushojë për 30 minuta në frigorifer.

E nxjerrim nga frigoriferi dhe e hollojmë në formën e petës në një trashësi prej 2 mm.

Më pas, petën e presim në forma trekëndore. Në secilin prej trekëndëshat hedhim nga një lugë çokokrem apo reçel. I mbyllim në formë roleve duke shtypur me kujdes të dyja anët e brioshit.

I vendosim në tavë ku më parë kemi shtruar një letër pjekjeje.

Pasi i kemi vendosur të gjithë me radhë në tavë, brioshët i fusim në furrë të ngrohur në 180 gradë. I pjekim për 25 minuta, i nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen.  Sipas preferencës, para se t’i shërbejmë i spërkasim me pak sheqer pluhur sipër./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.