Çajrat natyralë bimorë japin një ndihmë të madhe për të parandaluar dhe trajtuar sëmundjet sezonale si gripi dhe ftohjet.
AgroWeb.org ju sjell bimët e duhura për përgatitjen e çajrave bimorë që funksionojnë si kura mjekësore me një fuqi të lartë shëruese.
Çaji i Xhenxhefilit
Çaji i mirë bimor me xhenxhefil është i dobishëm për të parandaluar ftohjet dhe gripin. Ai përgatitet duke përdorur 2 degë mesatare çaj mali, 4-5 erëza karafil, 1 lugë çaji kanellë dhe po aq xhenxhefil të tharë.
Ju duhet t’i hidhni të gjitha në një gotë me ujë të valuar dhe ta lini të nxjerrë esencën nga 8 deri në 10 minuta.
Ka edhe një mënyrë tjetër për të përgatitur një çaj xhenxhefili. Zieni një copë xhenxhefil të freskët rreth 2-3 centimetra në 350 mililitra ujë për 10 minuta.
Lëreni të ftohet, kullojeni dhe shtoni dy lugë çaji me lëng të freskët limoni.
Çaj Bimor me Kanellë
Mjekësia popullore e konsideron këtë çajin e kanellës si një zgjidhje të shkëlqyer për uljen e acarimit të fytit dhe kundër sëmundjeve stinore të dimrit.
Në një gotë me ujë të valuar shtoni 2 lugë mjaltë, 2 lugë çaji pluhur kanelle dhe 1 majë luge piper të zi të bluar.
Lërini së bashku për 7 minuta dhe më pas kullojeni. Pirja e këtij çaji të ngrohtë do të ketë një efekt magjik për qetësimin e rrugëve të frymëmarrjes.
Çaji me Kokrra Trëndafili të Egër
Çaji bimor me trëndafil të egër është shumë i përshtatshëm për të parandaluar dhe lehtësuar sëmundjet e dimrit, të tilla si grip apo ftohja.
Shtypini pak paraprakisht kokrrat e trëndafilit të egër. Dy-tri lugë nga masa e përftuar i hidhni në një gotë porcelani dhe shtoni ujë të valuar.
Lëreni për 5-7 minuta derisa esenca të ketë depërtuar në ujin e nxehtë. Ju mund të shtoni edhe lëng limoni ose mjaltë sipas dëshirës.
Trëndafili i egër është shumë i pasur me vitaminë C, e cila na ndihmon për të forcuar sistemin imunitar dhe rezistencën. Ky çaj liron rrugët e frymëmarrjes dhe lufton infeksionet.
Çaji Bimor me Sherebelë dhe Gjethe Eukalipti
Çaji bimor me sherebelë dhe eukalipt bën mrekulli kundër rrufës dhe bllokimeve të frymëmarrjes. Ai gjithashtu funksionon kundër gripit dhe është i dobishëm në rast të një ftohjeje.
Kombinoni një lugë çaji sherebelë të thatë dhe një lugë çaji me gjethe të thara dhe grimcuara eukalipti. Shtojini në një gotë me ujë të valuar. Lërini deri në 10 minuta, kullijeni dhe konsumojeni.
Çaji i sherebelës nuk duhet përdorur gjatë shtatzënisë dhe laktacionit, si edhe në rastet e hipertensionit dhe epilepsisë./AgroWeb.org
* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.
Lini një Përgjigje