Çomlek me Lepur të Egër – Tradita Plot Shije

5.8k 0

Nëse ka një recetë që fiton mbi të gjitha fantazitë e shijes, e që lë mënjanë paksa amvisat ai është: çomlek me lepur të egër gatuar nga vet gjahtarët.

Mënyra e gatimeve të egra nga gjahtarët është speciale, tejet e shijshme e mbi të gjitha e veçantë në botën e kulinarisë.

E tillë është receta e çomlekut me lepur të egër. Magjepsëse dhe e plotë në aromë, për këtë pjatë nuk mbeten fjalë ç’të thuash, thjeshtë të lëpish gishtat  dhe t’i dorëzohesh shijes së saj.

Ndërsa dihet se durimi është një nga tiparet dalluese të gjahtarëve për një gatim ideal të lepurit të egër procesi është pak i gjatë.

Lepuri pasi pastrohet mirë dhe pritet në pjesë, fillimisht lihet për dy-tre orë në ujë e më pas marinohet për 12 orë.

Ky proces bëhet për t’i dhënë mishit të lepurit një shije të plotë e fantastike kombinuar me pjesën tjetër të përbërësve, qepëve, hudhrave dhe domateve.

Më poshtë AgroWeb.org përcjell një recetën tipike të gjahtarëve. Recetën në përgatitjen e një prej gatimeve më speciale që sigurisht mbetet ndër më të pëlqyerat e gjithë trevave shqiptare.

Përgatitja e Çomlekut me Lepur në Shtëpi

Përbërësit

Një lepur i egër vogël, i freskët 1 kg

1 kg qepë të thata

1 kokërr hudhër e plotë

4-5 domate të kuqe të bëra mirë

Kripë

Piper pluhur

Piper kokërr

Gjethe dafinash

Një lugë gjelle me uthull

Gjysmë gote me verë të kuqe ose të bardhë sipas preferencës

Përgatitja

Si fillim mishin e lepurit të ndarë në copë e lëmë në një enë me ujë përreth 2-3 orë duke e ndërruar ujin rreth dy-tre herë.

Më pas, AgroWeb.org i’u udhëzon që mishin e lepurit ta marinoni në vaj ulliri, erëza të ndryshme piper, dafina, uthull e limon.

E lëmë të marinohet rreth 12 orë para se të gatuhet.

Pas marinimit, mishin e lepurit e vendosim në një tenxhere me pak vaj ulliri dhe e vendosim në zjarr.

E kavërdisim pak dhe hedhim një litër ujë.

Ndërkohë, në një tigan hedhim vaj ulliri bashkë me hudhrat e pastruara. Secilin thelpi e ndajmë më dysh në mënyrë që të lëshojë sa më shumë aromë.

I kavërdisim hudhrat me vajin e ullirit për pak sekonda e më pas shtojmë qepët e grira.

I kavërdisim derisa qepët të zverdhen e më pas hedhim domatet e grira në rende. I kavërdisim sa të nisin vlimin. Më pas salcën e krijuar i’a shtojmë lepurit që po zjen.

Shtojmë kripën, piperin dhe dafinën dhe i lëmë të zjejnë për 45 minuta në zjarr të ngadaltë.

Procesin e zjerjes, sipas preferencës mund ta transferojmë edhe në furrë duke hedhur çomlekun e përgatitur në një tavë e më pas e pjekim.

Çomleku me lepur të egër është gatim jashtëzakonisht i shijshëm.

Ai shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të lehta, sallata jeshile me limon apo edhe patate të furrës. Por edhe me turshi të ndryshme e salcë kosi./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.