Drithëra dhe Fruta të Thata – Niseni Ditën Shëndetshëm

991 0

Nëse do t’u thuhej shqiptarëve para viteve 90’ se tërshëra do të konsumohej masivisht, madje do të ishte shumë e kërkuar për proteinat e saj, vështirë se do ta besonin.

Në rastin e Shqipërisë, tërshëra regjistroi një përdorim masiv vetëm në dy dekadat e fundit.

Ky drith është fantastik për të nisur ditën plot fuqi dhe energji. Ai përbën një vakt të shkëlqyer mëngjesi shoqëruar me fruta të thata, mjaltë, qumësht, kos apo banane.

Më herët ajo përdorej kryesisht si ushqim për kafshët. Bima e egër e Avena Sativës gjendet në rrethinat e Delvinës, Myzeqesë, por kultivohet dhe rritet në disa krahina të tjera.

Por përse duhet ta zgjedhësh tërshërën?

Ka efekt pastrues.

Përmban sasi të bollshme amino acidesh dhe stimulon mëlçinë të prodhojë lektinën që ndihmon në largimin e toksinave.

Aleat i zemrës.

Studimet kanë treguar që tërshëra është aleat i enëve të gjakut. Fibrat e saj transformohen në një armë të fuqishme kundër yndyrnave që mblidhen në to e si rrjedhojë shkaktojnë probleme me zemrën dhe rrisin nivelin e kolesterolit etj.

Ul nivelin e sheqerit në gjak.

Ja një lajm i mirë për ata që vuajnë nga diabeti. Tërshëra duhet të jetë patjetër pjesë e ushqimit tuaj. Një studim i Universitetit të Heidelbergut në Gjermani tregoi që konsumimi i tërshërës ul ndjeshëm nivelin e sheqerit në gjak për ata që vuajnë nga Diabeti i Tipit 2.

Ky drith që përmban fibra dhe karbohidrate të shëndetshme tretet më gjatë se sa ushqimet e tjera me karbohidrate të thjeshta. Ngadalësia në tretje e mban sheqerin në gjak në nivele optimale.

Mban nën kontroll tensionin e lartë.

Tërshëra e pakriposur është përshkruar si një super ushqim për të luftuar tensionin e lartë. Studimet kanë treguar se njerëzit që kanë probleme me tensionin duhet ta konsumojnë këtë drith rregullisht.

Ndihmon me tretjen.

Tërshëra është një burim mjaft i mirë fibrash e si rrjedhoje ndihmon që zorrët të kryejnë funksionin e tyre më së miri. Sistemi tretës stimulohet mjaftueshëm duke lejuar që ushqimi të kalojë pa problem nëpër organet tretëse.

Në botë numërohen qindra lloje të njohura të kësaj bime, por vetëm tërshëra e tipit Avena Sativa përdoret masivisht, veçanërisht edhe në mjekësi. Tërshëra është mjaft e ushqyeshme dhe e dobishme. Ajo të ndihmon me pagjumësinë, rrit imunitetin dhe eliminon bakteret në trup.

Për më tepër, tërshëra është një burim i pashtershëm proteinash, gjë që e bën atë një domosdoshmëri për personat që stërviten. Tërshëra është një antioksidant i vërtetë. Shtojani patjetër këtë drith mëngjesit tuaj, sepse pa një shëndet të mirë nuk mund ta shijosh jetën./AgroWeb.org