Gliko Rrushi – E Rrallë nga Duart e Amvisave Shqiptare

2.3k 0

Dashuri e ëmbël brenda një luge të vogël është receta me Gliko Rrushi.

Shqipëria mburret me traditën e papërsëritshme të glikosë, një ëmbëlsirë tipike me fruta dhe perime që serviret pas ushqimit ose për të gostitur miqtë dhe të ftuarit.

Një prej glikove më të shijshme është edhe ajo e rrushit. Kjo është një recetë e thjeshtë por fantastike në shijen delikate që ofron dhe aromën gjithashtu.

Glikotë janë një ëmbëlsirë shumë e favorshme sepse shuajnë nepsin për diçka të ëmbël por nga ana tjetër nuk ofrojnë shumë kalori dhe yndyrna.

Kjo ndodh sigurisht nëse hani vetëm një lugë dhe jo një kavanoz të tërë.

Kjo ëmbëlsirë mund të qëndrojë gjatë në frigorifer dhe serviret duke u shoqëruar me një gotë ujë, gjithmonë pas ushqimit.

Recetat e glikosë me rrush janë të shumta. Disa rekomandojnë zhytjen e kokrrave të rrushit në shurup për 24 orë  dhe më pas zierjen e tyre.

Ju mund të zgjidhni recetën e sugjeruar nga AgroWeb.org ose ta përshtasni atë sipas kohës dhe mundësisë suaj.

Si ta Përgatisni në Shtëpi

Përbërësit (për 3 kavanozë  370 ml)

  • 5kg rrush të ëmbël pa fara
  • 900 gramë sheqer
  • ¼ lugë çaji me vanilje ose 4 gjethe barbaroze
  • 1 litër ujë
  • Lëngu i një limoni
  • 100 gramë bajame të pjekura lehtë dhe të prera në dysh

Ndiqni me Kujdes Udhëzimet

Shpëlajini kokrrat e rrushit me ujë të bollshëm

Në një tenxhere të madhe hidhni ujin dhe sheqerin dhe lëreni të marrë një valë.

Shtoni gjethet e barbarozës ose vaniljen dhe lereni të ziejë për 5 minuta

Hiqini gjethet nga uji dhe shtoni rrushin.

Pasi të kenë zier për pak, uleni temperaturën sepse rrushi kanë tendencën të ngrihet në sipërfaqe.

Hiqni shkumën që formohet dhe më pas lërini të ziejnë për 20 minuta të tjera.

Nëse dëshironi, rrushin mund ta lini të qëndrojnë në shurup për gjatë gjithë natës dhe t’i zieni sërish të nesërmen.

Lëreni rrushin të ziejë për një orë deri sa të marrin një ngjyrë të artë (kjo vlen për rrushin e bardhë) dhe shurupi të trashet.

Në fund të zierjes, shtoni lëngun e limonit dhe pas një minuti hiqeni tenxheren nga zjarri.

Më pas shtoni bajamet, përzijeni lëngun dhe mbushni kavanozët.

Këto të fundit mund t’i ruani në një vend të freskët dhe të thatë. Pas hapjes, glikoja duhet futur në frigorifer./AgroWeb.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.