Ligji për Duhanin – Tashmë Kufizime dhe Imazhe të Rënda tek Paketimi i Cigareve

1.5k 0

Dëmet që shkakton duhani janë një çështje më se e diskutuar ligjërisht ashtu edhe publikisht në çdo vend të botës.

Në vendin tonë ligji “Për mbrojtjen e Shëndetit nga produktet e duhanit” është miratuar në vitin 2006, por vetëm 5 vitet e fundit respektohet plotësisht.

Në ambiente të mbyllura në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm që nuk lejohet duhanpirja, por prej gjashtë muajsh as cigaret elektronike, duhan me ngrohje apo nargjile nuk lejohen më në ambientet e brendshme.

Kjo për shkak të dëmeve të shumta shëndetësore që këto produkte shkaktojnë jo vetëm tek konsumuesit, por edhe tek personat përreth.

Së fundmi Ministria e Shëndetësisë ka miratuar ndryshime të tjera në ligj të cilat ndihmojnë në luftën kundër duhapirjes.

Paketat me imazhe

Si në shumë vende Evropiane edhe në Shqipëri, duke filluar nga muaji Shkurt do të vendosen të gjitha kriteret për të filluar nismën e ripaketimit të paketave të cigareve.

Paketimet e reja do të përfshijnë imazhe të rënda mbi efektet negative të duhanit.

Ato do të mbulojnë rreth 65% të paketës dhe mendohet se do të ndihmojnë në mbajtjen sa më larg të cigareve.

Imazhet do të ilustrojnë persona të sëmurë nga sëmundja, të shtruar në spital apo dhe njerëz të vdekur.

“Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit do të vendosë brenda Shkurtit për fotot dhe paralajmërimet -pictorials- në paketimet e duhanit. Paralajmërimet e kombinuara tekst dhe figurë do të zënë 65% të faqes ballore të paketimit të duhanit dhe po ashtu të faqes së pasme, duke zbatuar Direktivën 2014/40 EU”, tha Manastirliu në Parlament.

Këto fotografi do të vendosen tek paketat e cigareve dy vite pas miratimit, në mënyrë që bizneset të kenë kohën e nevojshme për të bërë ndryshimet në paketim.

Duhanpirja në Shqipëri

Rreth 1 miliardë persona në botë janë konsumues të rregullt të duhanit sipas statistikave të OBSH.

Ky numër kaq i lartë shkakton 10 vdekje në minutë në të gjithë globin.

Në Shqipëri statistikat e viteve të fundit tregojnë se ka mbi 700 mijë konsumues të rregullt duhani.

Megjithëse vendi ynë renditet tek vendet me normën më të ulët në rajon 1 në 3 Shqiptarë është duhanpirës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë masat kundër duhanpirjes janë shtuar gjatë vitit të fundi.

“Është fakt se viti 2019 shënon numrin më të lartë të gjobave të vendosura në këto vite, me 466  masa administrative, nga të cilat dhjetëra masa administrative prej 600 mijë lekë për shkelësit e përsëritur të ligjit.”, thuhet në deklaratën e MSH.

Ndërkohë që duhanpirja vazhdon ende të mbetet një problem në shëndetin dhe përditshmërinë e qytetarëve./AgroWeb.org