5 Mënyra Si Të Kapërceni Trishtimin E Festave

493 0

Në përgjithësi, festat krijojnë një atmosferë gëzimi dhe shprese dhe hareje.

Megjithatë në mesin a atyre që u shkëlqejnë sytë  e u gufon zemra nga zbukurimet, babagjyshi, ngjyra e kuqe apo xixëllimat e ambientit, ka syresh që falë këtyre festave vuajnë më shumë nga ndjesia e humbjes, ankthit dhe depresionit.

Çdo traditë e festave, ku përfshihet blerja e dhuratave, udhëtimet, gatimi i ushqimeve dhe kryerja e përgjegjësive të tjera mund të shterojë rezervat emocionale të dikujt.

Kjo nuk është tekë, pasiguri apo kryeneçësi e pajustifikuar. Ndonëse nuk është një sindromë e mirëfilltë e njohur nga psikologët, Trishtimi i Festave është një fenomen i vërtetë që prek mijëra njerëz në botë.

Shpesh ai përkeqësohet falë ushqyerjes së keqe, mungesës së aktivitetit fizik por edhe luhatjeve të gjumit.

Nëse vëreni se ju apo dikush që njihni është i zemëruar, i trishtuar, i stresuar e në ankth, atëherë duhet të dini që nuk jeni vetëm.

Ekspertët e AgroWeb.org kanë identifikuar pesë strategji të rëndësishme që ju të përballoni festat dhe të kapërceni trishtimin që ju kaplon prej tyre.

Kapuni Pas Shoqërisë Dhe Njohjeve të Reja

Nëse ndiheni të izoluar, të vetmuar apo të trishtuar në periudhën e festave, kontaktet me familjen, shoqërinë por edhe krijimi i njohjeve të reja ju vjen shumë në ndihmë.

Kontakti dhe ndërveprimi njerëzor është i domosdoshëm kundër kësaj gjendjeje.

Sipas ekspertëve, ata që vuajnë nga ky problem duhet të përpiqen të ndërlidhen me të tjerë.

Një ditë nëpërmjet një telefonit, një ditë duke pirë një kafe ose duke shëtitur në ajër të pastër.

Ballë Për Ballë Me Humbjen

Njerëzit që kanë humbur dikë, kaplohen nga trishtimi në periudhë festash.

Atyre u duhet dhënë koha e nevojitur për të nderuar kujtimin e personit që kanë humbur dhe nuk duhet ta kapërdijnë trishtimin por ta nxjerrin atë.

Nëse dëshirojnë ta kujtojnë atë që kanë humbur, le ta bëjnë këtë.

Vetëm kështu, do jenë ballë për ballë me humbjen dhe me kalimin e kohës do të ndihen më mirë.

Kujdes Me Pritshmëritë

Nëse dëshironi të kufizoni stresin, atëherë përpiquni të kini pritshmëri realiste.

Mos u përpiqni të merrni gjithçka përsipër por vendosni prioritete mbi gjërat që kanë rëndësi.

Kujdes me shpenzimet dhe ndani me të tjerët nevojat dhe limitet tuaja.

Komunikimi është kyç për kapërcimin e kësaj situate.

Kujdesuni Për Veten

Kujdesi për veten nuk kërkon shkencë. Ai nis nga gjërat bazë: ushqyerja, fjetja, aktiviteti fizik.

Luftoni stresin duke ngrënë shëndetshëm, duke fjetur mirë e duke kryer aktivitet fizik.

Një regjim i tillë do ju hapë sytë dhe do pastrojë shpirtin nga trishtimi.

Planifiko

Nëse aspekte të caktuara festive ju shkaktojnë ankth, atëherë mund të planifikoni aktivitetet duke u përpjekur për të shmangur nxitësit e trishtimit.

Për shembull, nëse e dini që në fundjavat pranë festave, qendrat tregëtare dhe dyqanet janë plot, ju bëjeni pazarin në një ditë tjetër.

Një shembull tjetër është që nëse keni një ditë të caktuar kur e dini që do të ndiheni të trishtuar, në po atë ditë të planifikoni dhe të organizoni ndonjë darkë, dalje në kinema ose thjesht një kafe me një mik apo një shoqe./AgroWeb.org