Mineralet në Ushqime – Cilat ju duhen dhe cilat janë të rrezikshme

6k 0

Mineralet janë elementë të rëndësishëm që ndihmojnë funksionimin e trupit të njeriut.

Organizmit tonë i duhen domosdoshmërisht sasi ditore të caktuara mineralesh për të pasur një zhvillim normal.

Elementët që hyjnë në përbërjen e lëndëve minerale që kanë perimet janë, kalcium, magnez, hekur, fosfor.

Treshja, kalcium, fosfor e magnez përbën bazën e skeletit të njeriut. Kaliumi, natriumi, hekuri, azoti, zinku dhe jodi janë mineralet që duhet t’i marrim domosdoshmërisht.

Minerale si kobalti gjendet në perimet e gjelbra të familjes lakërishte, mishi, qumështi si edhe te midhjet.

Hekuri

Nga sasia e hekurit që marrim, varet edhe shëndeti i gjakut që qarkullon në trupin tonë, pasi baza e hemoglobinës është ky mineral. Organizmi i njeriut përmban 4 gramë hekur.

Perimet më të pasura me hekur janë kungulli dhe farat e kungullit, fasulet, thjerzat, bizelet, spinaqi, domatja.

Natriumi

Kripërat e këtij minerali janë të rëndësishme pasi rregullojnë presionin osmotik në gjak ose thënë thjesht kripërat e natriumit mbajnë ujin në inde.

Ky mineral luan një rol thelbësor në kontraktimet e muskujve dhe të zemrës, por edhe në transmetimin e flukseve nervore. Ato ndërhyjnë në funksionimin neuro-muskular dhe luftojnë ngërçet.

Magnezi

Është pjesë përbërëse e klorofilës dhe gjendet thuajse në të gjitha perimet, edhe pse në sasi shumë të vogla. Magnezi i nevojitet trupit për të ndihmuar në proçeset fermentuese të organizmit.

Është vërtetuar që magnezi është i nevojshëm për shumë bimë në formimin e vitaminës C dhe për veprimtarinë e vitaminës D.

Ai gjendet në mish, vezë, qumësht, patate, fasule, çokollata, drithëra dhe bishtajore. Ai gjendet gjithashtu tek avokadot, arrat, lajthitë, bajamet, kungulli, kivi dhe sallata jeshile, bananet, hurmat.

Magnezi ka veti shëruese. Studimet japoneze kanë zbuluar një veti të mirë të magnezit në përmirësimin e artritit reumatizmal.

Kalciumi

Është thelbi i përmbajtjes strukturore kockore. Në rastet kur shfaqen mungesa në trup përmes ushqimit, vetë organizmi përdor ato të depozituara në kocka. Kalciumi është veçanërisht i nevojshëm te fëmijët pasi i forcon kockat.

Kalciumi është një ushqim thelbësor që ndihmon në formimin dhe ruajtjen e shëndetit të kockave dhe dhëmbëve. Ai luan një rol të rëndësishëm edhe në largimin e kontraktimeve muskulore, forcon enët e gjakut dhe ndihmon funksionimin e nervave.

Qumështi dhe nënproduktet e tij, veza, frutat e detit, frutat e thatat, perimet dhe sallatat janë të pasura me kalcium.

Zinku

Konsiderohet si aktivizues i shumë fermenteve që marrin pjesë në shkatërrimin e karbohidrateve dhe albuminave.

Prezenca e zinkut rregullon veprimin e insulinës për të stabilizuar sasinë e sheqerit në gjak. Zinku është në trupin tonë në sasi gati të barabartë me hekurin.

Rreth 70% e të gjitha enzimave përdorin zinkun si një motor dhe munden të aktivizohen vetëm me ndihmën e tij.

Fosfori

Është një element strukturor i dhëmbëve, kockave dhe qelizave. Ai është i domosdoshëm në proceset e ndryshme të prodhimit të energjisë trupore.

Fosfori luan një rol kryesor në proçesin e marrjes apo të çlirimit te energjive të organizmit.

Ushqimet e pasura me fosfor janë, drithrat, zarzavatet, qumështi, mishi, peshku (sardelja veçanërisht).

Jodi

Është një përbërës ushqimor i rëndësishëm, për të cilin njeriu ka nevojë çdo ditë dhe gjatë gjithë jetës së tij, sepse nevojitet për funksionimin normal të organeve të trupit tonë.

Ai është i rëndësishëm për shëndetin e gjendrës së tiroides, e cila me prodhimin e hormoneve bën të mundur rritjen, zhvillimin dhe funksionimin normal të organeve të tjera.

Kripa e jodizuar, prodhimet e detit dhe disa fruta e perime si patatja, hurma, speci, domatja përmbajnë jod.

Azoti

Në përbërjen e trupit të njeriut, azoti është element kryesor i ndërtimit të muskujve.

Trupi ynë ka nevojë per azot për të prodhuar proteina në funksion të muskujve, lëkurës, gjakut, flokëve dhe thonjve.

Njeriu e merr azotin nga ushqimet shtazore, peshku, bishtajoret, arrat, vezët, qumështi dhe nënproduktet e tij, për t’i përdorur si proteina njerëzore.

Bakri

Është një nga elementet bazë që merr pjesë në formimin e rruazave të kuqe të gjakut, pra pa bakër është i pamundur krijimi i hemoglobinës.

Bakri është edhe pjesë përbërëse e proteinave dhe enzimave, çka tregon që merr pjesë në shumë proçese në organizëm.

Burimet ushqimore që kanë sasi më të madhe bakri janë: mishi sidomos mëlçia e zezë, agrumet, drithërat integrale, zarzavatet dhe pjesa më e madhe e frutave të detit.

Kobalti

Kur ky element mungon në trupin e njeriut, shfaqen shenja dobësie, anemie, këputje e anoreksie.

Qysh në vitin 1922 u verifikua rëndësia e tij në trupin e kafshëve e vite me vonë i njëjti argument u faktua edhe te njerëzit.

Arseniku

Edhe pse është konsideruar si helm është prezent në shumë ushqime si karrota, molla, gruri, misri e në perime të tjera.

Një njeri, pa dëmtuar shëndetin, duhet të marrë deri 7.7 mg arsenik në vit.

Kallaji

Nuk është konsideruar aq helmues sa arseniku e plumbi ndaj lejohet të përdoret në ambalazhet ushqimorë si kutitë e konservave, enët e kuzhinës etj.

Por duhet bërë kujdes, shihni etiketat e vitit të prodhimit pasi sa më herët të jenë prodhuar konservat aq më shumë keni kallaj të shtuar në ushqimin që do të përdorni. /AgroWeb.org

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.