Njihuni Me Ilaçin Që Do Të Kurojë Covid-19 – Kur Do Të Jetë Gati?

369 0

Me gjithë vëmëndjen e drejtuar tek vaksinat ndaj Covid-19, bota pothuajse i ka harruar trajtimet ndaj virusit.

Por studiuesit njoftojnë se kanë punuar për të gjetur ilaçe për trajtimin e tij.

Shumica e trajtimeve për Covid-19 janë ende në fazat e para të provave klinike.

Megjithatë, shkencëtarët kohët e fundit ndanë rezultate pozitive për një ilaç të quajtur molnupiravir, i cili mund të trajtojë rastet e lehta me Covid-19.

Shumë e krahasojnë këtë me trajtimin me Tamiflu, që përdoret ndaj gripit.

“Unë mendoj se mund të jetë shumë domethënëse nëse ka rezultate klinike pozitive, si një ulje e rrezikut të komplikacioneve.”, thotë mjeku David Herschwerker, që trajton sëmundjet infektive në Manhasset, New York.

“Tamiflu në përgjithësi zvogëlon kohëzgjatjen e simptomave, dhe kjo mund të jetë vërtet e rëndësishme, veçanërisht për popullatat më të prekshme.”, shton ai.

Tani për tani, nuk ka dëshmi të përfitimeve nga molnupiravir, por ekspertët shpresojnë se gjetjet e hulumtimit mund të jenë të disponueshme deri në fund të vitit.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me atë që shkencëtarët thonë për këtë ilaç.

Çfarë është saktësisht molnupiravir?

Molnupiravir është një ilaç antiviral, i krijuar nga kompanitë Merck dhe Ridgeback Therapeutics.

Ashtu si antiviralët e tjerë, molnupiravir ndërhyn në aftësinë e SARS-CoV-2, virusit që shkakton Covid-19, për tu përsëritur.

Nëse virusi nuk përsëritet, nuk shkakton simptoma dhe nuk mund të përhapet.

Më 6 mars, krijuesit e këtij trajtimi, u shprehën se rezultatet e testeve të kryera treguan se molnupiravir ishte i sigurt dhe se ai shkurtoi kohën e simptomave.

Gjetjet e studimit janë një shenjë e mirë, por ato janë vetëm hapi i parë.

Qëllimi i provave ishte të konfirmohej siguria e ilaçit në një grup të vogël njerëzish.

Provat e ardhshme synojnë të jenë më të mëdha dhe të shohin më nga afër efikasitetin dhe sigurinë.

Ajo çfarë shkenca nuk e di ende!

Studimi i përfunduar kohët e fundit u krye në shkallë të vogël pjesëmarrësish dhe ai nuk hulumtoni rreth efekteve që mund të kishte molnupiravir në rrjedhën e sëmundjes aktuale.

Kjo do të thotë se studiuesit nuk e dinë nëse zvogëlon shtrimet në spital, vdekjet, apo thjesht vret virusin.

Dhe derisa ata të kenë këtë informacion, cdo gjë mbetet në pikëpyetje.

Ekspertët besojnë se provat e ardhshme do të sigurojnë më shumë informacion rreth përfitimeve nga ky trajtim.

Pse duhen trajtimet për Covid-19, nëse kemi vaksinat?

Edhe me vaksinat e miratuara, ne do të jetojmë me virusin për shumë kohë.

Shkencëtarët shprehen se edhe pse vaksinat janë shumë efikase, nuk janë perfekte.

Ato mund të jenë të padobishme për variantet e reja, dhe jo të gjithë po vaksinohen.

Kështu që njerëzit që do të sëmuren, do të kenë nevojë të trajtohen me ilaçe.

Një ilaç që nuk është i shtrenjtë dhe mund t’u jepet pacientëve të sëmurë lehtë, do të ishte një ndihmë e madhe.

Ashtu si molnupiravir, ilaçe të tjera janë në faza të ndryshme zhvillimi.

Trajtimet aktuale janë shumë më të mira se ato të një viti më parë, por nuk janë perfekte, thonë ekspertët.

Prandaj gjëja më e rëndësishme për momentin është të vaksinoheni dhe të vazhdoni të ndërmerrni masat parandaluese.

Pra të mbani një maskë, të ruani distancën, të mos mblidheni në grupe të mëdha dhe të lani duart shpesh.