Pijet Me Gaz Dhe Agresiviteti Tek Fëmijët – Një Shqetësim Në Rritje

743 0

Shumë prindër i anashkalojnë rreziqet që u kanosen fëmijëve nga ushqimet dhe pijet industriale.

Fundja, çfarë e keqe mund t’i vijë fëmijës nga një pije shumëngjyrëshe dhe e shijshme?

Ajo që mund të ndodhë është se fëmija bëhet agresiv. Këtë e thotë një studim i publikuar në Revistën e Pediatrisë.

Të dhënat e studimit konfirmojnë atë që shumë ekspertë dhe mjekë kanë përsëritur prej kohësh: pijet industriale janë zgjedhje e gabuar për fëmijët.

Veç agresivitetit, këto lëngje të pafajshme në dukje, janë faktor kontribues për obezitetin dhe prishjen e dhëmbëve tek fëmijët por jo vetëm kaq.

Shumica e pijeve industriale përmbajnë kafeinë, e cila nuk këshillohet për fëmijët.

Ajo shkakton dhimbje koke, dhimbje barku, probleme me gjumin dhe nervozizëm.

Agresivitetit, Problemet Me Sjelljen Dhe Pijet Industriale

Nëse problemet e mësipërme shëndetësore nuk mjaftojnë për të bindur prindërit që të ndryshojnë qasje ndaj ushqyerjes së fëmijës, atëherë vazhdoni të lexoni më poshtë.

Studimi i publikuar në Revistën e Pediatrisë analizoi sjelljen dhe ushqyerjen e 3,000 fëmijëve të moshës 5 vjeçare.

Nga të gjithë faktorët që kontribuojnë negativisht tek sjellja e fëmijës, konsumi i pijeve industriale kishte ndikim më të fortë në sjelljen agresive të të miturve.

Studiuesit zbuluan se fëmijët që pijnë katër ose më shumë pije të tilla në ditë janë dyfish më të predispozuar të:

  • Grinden me të tjerët
  • Të shkatërrojnë sendet dhe lodrat e të tjerëve,
  • Tu hakërrehen fizikisht bashkëmoshatarëve.

Pijet industriale janë tepër të përpunuara dhe kanë përbërës të rrezikshëm si aspartame ose acidi fosforik, të cilat ndikojnë tek sjellja e fëmijës.

Siç e thamë më lart ato përmbajnë kafeinë e cila luan një rol të fortë tek agresiviteti.

Për më tepër, këto pije përmbajnë edhe shumë sheqer i cili i stimulon fëmijët duke i bërë ata të kenë natyrë shpërthyese dhe probleme me vetpërmbajtjen.

Sipas ekspertëve, pijet industriale janë të dëmshme edhe për adoleshentët duke nxitur jo vetëm agresivitet mes tyre por edhe depresion dhe sjellje vetëvrasëse.

Sa më shumë pije të tilla të pinë ata, aq më të larta janë shanset që të përfshihen në një grindje fizike, të ndihen të mërzitur, ose të kenë një sjellje problematike./AgroWeb.org