Puna Nga Shtëpia – Disa Mënyra Se Si Të Kujdeseni Për Peshën Trupore

318 0

Nëse jeni një nga ata që punojnë nga shtëpia, me shumë mundësi rutina juaj e ngrënies ka pësuar disa ndryshime.

Të kesh akses të vazhdueshëm të ushqimit dhe të jesh më i stresuar se zakonisht, mund të jetë një nga shkaqet që çojnë në mbipeshë.

AgroWeb.org bazuar në këshillat e dietologëve dhe ekspertëve botërorë të shëndetit, ju rendit 4 mënyra të cilat mund t’ju ndihmojnë të qëndroni në formën më të mirë fizike.

Krijoni Një Orar

Një studim në të cilin AgroWeb.org u bazua, zbuloi se energjia që trupi juaj harxhon duke tretur ushqimin, është dy herë më e lartë në mëngjes krahasuar me darkën.

Studiuesit vunë në dukje se vullnetarët që konsumuan një mëngjes të plotë dhe një darkë të lehtë, patën një kontroll më të mirë të sheqerit në gjak dhe insulinës.Por kur subjektet e studimit konsumuan një mëngjes të lehtë dhe një darkë të plotë, ndjenja e urisë u shtua gjatë gjithë ditës, veçanërisht për ëmbëlsira.

Merrni kohë për të bërë një mëngjes të plotë dhe të shëndetshëm, para se të filloni ditën tuaj të punës.

Mos Konsumoni Ushqime Në Orarin E Punës

Ngrënia në mënyrë të shpërqendruar, ndikon në përpunimin e shijes dhe ju çon drejtë ngrënies së tepërt.

Prandaj këshillohet që gjatë konsumit të vakteve, të ndaloni së punuari dhe shmangni çdo gjë që mund t’ju shpërqëndrojë si televizori dhe telefoni.

Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë nevojat e trupit tuaj, duke shijuar më mirë ushqimin dhe të ndaleni kur të ndiheni të ngopur.

Jepini Përparësi Ushqimeve Të Shëndetshme

Është tepër e lehtë të tërhiqeni nga ushqimet e përpunuara. Ato jo vetëm që  janë të zhveshura nga lëndët ushqyese natyrore dhe fibrat, por mund t’ju shëndoshin lehtësisht, pasi ju mund të konsumoni sasi të larta kalorish.

Gjëja më e mirë që mund të bëni është të konsumoni vakte të plota.

Në to mund të përfshini perime të freskëta ose të ngrira; proteina si fasulet, thjerrëzat ose peshqit; yndyrna të mira si vaj i ullirit ekstra i virgjër, avokado ose arrat dhe karbohidratet e mira që gjenden tek frutat e freskëta dhe drithërat integrale.

Gjeni Mënyra Alternative Për Të Larguar Stresin

Konsumi i tepruar i ushqimit shpesh drejtohet edhe nga emocionet negative si stresi. Kjo padyshim që mund të çojë në shtim të peshës, ulje të energjisë, prishjen e gjumit dhe madje dobësimin e imunitetit.

Duke iu përmbajtur orarit tuaj të ngrënies, duke ngrënë pa u shpërqendruar dhe duke i dhënë përparësi ushqimeve të shëndetshme, mund t’ju ndihmojë të dalloni kur i drejtoheni kuzhinës për shkak të stresit ose të urisë.

Gjithashtu ju mund të provoni mënyra të tjera për t’u përballur me stresin, si për shembull të komunikoni me një mik, të ushtroni joga ose meditim, të dëgjoni muzikë, të kërceni, të lexoni, të vizatoni apo të shihni një film./AgroWeb.org