Për Sa Kohë Zgjat Imuniteti Ndaj COVID-19?

358 0

Një studim i kohëve të fundit të cilit i referohet AgroWeb.org, ka zbuluar se imuniteti i njerëzve ndaj virusit, me gjasë zgjat të paktën 3 muaj, e ndoshta edhe më shumë.

Ndërkohë që ekspertët më në zë të mjekësisë kanë bashkuar forcat për të zbuluar një vaksinë efikase ndaj koronavirusit, distancimi fizik dhe mbajtja e maskës, janë dy hapat më të rëndësishëm për mbrojtjen e imunitetit tuaj.

Çfarë Është Imuniteti i Turmës Dhe Përse Është Kaq i Rëndësishëm?

Imuniteti i turmës është një koncept sipas të cilit, nëse një numër i mjaftueshëm njerëzish janë të mbrojtur ndaj infeksionit, atëherë gjasat që një njeri me imunitet të dobët të sëmuret prej COVID-19 është tepër i ulët.

Me mbrojtjen ndaj infeksionit nënkuptohet imuniteti i fituar pas sëmundjes ose kryerja e vaksinës.

Një koncept i tillë është i rëndësishëm sepse në komunitetin ku jetojmë ka mjaft fëmijë, të rritur e të moshuar me imunitet të dobësuar, të cilët e kanë të pamundur të fitojnë imunitet ndaj virusit dhe na takon ne t’i mbrojmë ata.

Kjo nuk do të thotë aspak që ne duhet të lejojmë që sëmundja ose virusi të përhapet pa u trazuar në mënyrë që ky imunitet i turmës të arrihet sa më parë.

Kjo nuk është qasja e duhur.

Ekspertët nënvizojnë se COVID-19 mund të jetë vdekjeprurës për çdo grupmoshë.

Cila Është Mënyra e Duhur Për Të Fituar Imunitetin e Turmës

Ekspertët shprehen se mënyra ideale dhe më e përshtatshme për të fituar imunitetin e turmës është nëpërmjet një vaksine, e cila duhet shpërndarë në mbarë popullësinë e globit në mënrë që pjesa më e madhe e popullësisë të jetë imune ndaj virusit dhe kategoritë më të brishta të jenë më të mbrojtur.

Sa i përket faktit nëse njerëzit që e kanë kaluar infeksionin fitojnë imunitet ndaj virusit, ekspertët thonë se në këtë pikë ka shumë paqartësi.

Sidoqoftë, të dhënat e deritanishme, sugjerojnë se antitrupat qëndrojnë të aktivizuar në organizëm për të paktën 3 muaj, ndonëse ka pretendime se mund të jetë më shumë se aq.

Për këtë sugjerim, ekspertët i referohen mënyrës se si reagon imuniteti ndaj infeksioneve të tjera të mëparshme me të cilat është përballur njerëzimi./AgroWeb.org