Si Të Përdorni Kosin Për Pastrimin Rrënjësor të Fytyrës

2.6k 0

Kosi nuk është vetëm një produkt i shijshëm dhe plot me vlera për t’u konsumuar kurdoherë.

Janë pikërisht këto vlera të cilat përmirësojnë shëndetin e lëkurës nëse e përdorni si një maskë.

Pa nevojë për t’i shtuar asnjë përbërës tjetër, kosi kthehet në maskën më ekonomike por me përfitime të mrekullueshme.

Mineralet dhe vitaminat që gjenden tek kosi

Ka një arsye përse kosi i jep lëkurës së fytyrës një rigjallërim dhe shkëlqim të menjëhershëm.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org janë pikërisht këta katër përbërës, të cilët ndikojnë në shëndetin e lëkurës.

Zinku, i njohur për vlerat e tij anti-inflamatore, nxit rigjenerimin e qelizave të lëkurës si dhe balancon gjëndrat yndyrore që shkaktojnë krijimin e akneve.

Të gjithë e dimë që kosi përmban kalcium, ky mineral është përgjegjës për hidratimin dhe parandalimin e përtharjes së lëkurës.

Vitaminat B nga ana tjetër, bëjnë të mundur mbrojtjen e qelizave të lëkurës nga radikalët e lirë, si dhe nxisin prodhimin e yndyrnave të shëndetshme.

Acidi laktik është një nga përbërësit kryesor të kosit, dhe gjendet në shumicën e produkteve të lëkurës.

Ai funksionon si një agjent kundër rrudhave dhe plakjes së lëkurës.

Por veprimi kryesor i këtij acidi është parandalimi i prodhimit të enzimës tirosinazë, e cila nxit prodhimin e melaninës.

Kështu lëkura juaj do të jetë më e bardhë dhe e pastër.

Si të përdorni kosin për lëkurën

Mjafton që në një filxhan kafeje të hidhni 2-3 lugë çaji me kos dhe të përzieni derisa të formohet një masë e plotë.

Më pas vendoseni në fytyrë duke treguar kujdes që të mbuloni të gjitha zonat problematike, si dhe qafën.

AgroWeb.org ju këshillon që ndërkohë që lyeni fytyrën dhe ta masazhoni atë me lëvizje rrethore, për të nxitur dhe qarkullimin e gjakut.

Kosi do të fillojë të ngurtësohet pas 5 minutash, duke krijuar një maskë të mirëfilltë.

Lëreni përreth 15 minuta dhe më pas mjafton të njomni pak duart me ujë dhe përsëri ta fërkoni fytyrën derisa shtresa e kosit të thërrmohet.

Kështu ju largoni qelizat e vdekura dhe papastërtitë që janë akumuluar në poret e lëkurës gjatë ditës.

Kosi përmban baktere të cilat luftojnë që të gjitha papastërtitë e mbledhura në lëkurë nga kontakti i saj me faktorët e jashtëm.

Por gjithashtu ju do të parandaloni krijimin e akneve si rezultat i infektimit të poreve nga papastërtitë.

Më pas shpëlajeni lëkurën me ujë të bollshëm dhe fshiheni lehtë me peshqir.

Nëse keni fytyrë të ndjeshme, AgroWeb.org ju sugjeron që thjesht ta shpëlani fytyrën me ujë të bollshëm.

Sa shpesh duhet ta përdorni kosin për lëkurën e fytyrës

Për personat me lëkurë të yndyrshme është e këshillueshme që të përdoret çdo ditë për të patur rezultat.

Ndërsa ata që kanë lëkurë të thatë, mund ta përdorin dy apo tri herë në javë. /AgroWeb.org