Kjo supë është një armë e fortë për t’iu përgjigjur problemeve shëndetsore që sjell stina e vjeshtës.

Supa me panxhar e hudhër është një pjatë shumë e shijshme, e shëndetshme dhe shumë e thjeshtë për t’u gatuar.

Vlerat e kësaj supe, përtej shijes fantastike janë shumë të dobishme dhe një armë e fortë për t’iu përgjigjur problemeve shëndetsore që sjell stina e vjeshtës si virozat, gripi apo i ftohti.

Përbërësit kryesorë të kësaj recete janë panxhari dhe hudhra, shija e të cilave kombinohet dhe përshtatet mjaft mirë me njëra tjetrën.

Shija e panxharit është e ëmbël, tokësore, unike dhe e thellë. Panxharët përmbajnë vitaminë C e cila forcon imunitetin.

Panxhari përmban fibër dhe minerale thelbësore siç janë kaliumi, i nevojshëm për nervat dhe muskujt dhe mangani që është shumë i mirë për kockat, mëlçinë, veshkat dhe pankreasin.

Nga ana tjetër, hudhra është fantastike në vlerat e saj kundër inflamacionit, baktereve dhe virozave.

Hudhra përmban sasi të mëdha të manganit, kalciumit, fosforit, seleniumit, vitaminës B6 dhe asaj C.

Në mjekësinë popullore hudhra mbetet përherë pjesë e këshillave për të ulur tensionin e gjakut.

Për të përmirësuar shëndetin kardiovaskular, ulur kolesterolin dhe metabolizuar hekurin.

Kombinimi i të dyja këtyre dy “superfuqive” sjell në një pjatë të vetme bashkimin e shumë të vlerave shëndetsore që forcojnë imunitetin dhe ndihmojnë sidomos në shmangjen e virozave të stinës.

AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të shëndetshme, të shijshme të supës me panxhar. Një recetë e lehtë në përgatitje që shton jo vetëm shije në tryezën tuaj por edhe mundësi në përfitimet shëndetsore të saj.

Përbërësit

6 panxharë (vetëm zhardhokët)

1 hudhër me 8 ose 10 thelpinj

6 lugë gjelle me vaj ulliri

2 karrota mesatare

2 qepë

3 lugë gjelle me majdanoz të grirë hollë

1 litër me lëng perimesh ose ujë

50 ml verë të thatë të bardhë ose të kuqe

Kripë dhe piper

Kos për servirje

Përgatitja 

Ngroheni furrën në 200 gradë Celcius

Ndajini panxharët në gjysëm dhe bashkojini me thelpinjtë e paqëruar të hudhrës.

Spërkatini me 3 lugë gjelle vaj ulliri dhe më pas mbështillini së bashku. Paketën e perimeve vendoseni në furrë për t’u pjekur për një orë.

Në një tenxhere, kavërdisni qepët e grira dhe karrotat me 3 lugët e mbetura të vajit të ullirit.

Kur panxhari dhe hudhrat të jenë pjekur, hiqini nga furra dhe lërini të ftohen.

Pas ftohjes shtrydhini hudhrat në mënyrë që të dalin lehtë nga lëkura dhe bashkë me panxharët hidhini në tenxhere ku keni kavërdisur qepët dhe karrotat.

Shtoni ujin dhe lërini të ziejnë së bashku.

Uleni temperaturën, shtoni verën, majdanozin dhe më pas zijeni për 10-15 minuta.

Të gjithë përbërësit e supës hidhini në një mikser, shtoni kripë dhe piper dhe përzijini së bashku deri sa të transformohen në një masë kremoze.

Servireni të ngrohtë me pak kos sipër sipas preferencës./AgroWeb.org