Të Preferuarat e Sheikëve – Mollët Shqiptare Drejt Tregjeve Arabe

845 1

Sot, harta e eksportit të mollëve shqiptare njeh një dimension të ri suksesi. Pas vendeve të Ballkanit, Europës dhe Egjiptit, edhe tregjet e Arabisë Saudite kanë rritur kërkesat ndaj eksportit të mollëve shqiptare.

Aktualisht, Shqipëria po shndërrohet në një nga eksportueset më të forta të mollëve, jo vetëm në Evropë por edhe në kontinentet e tjera.

Prodhimi i mollëve në vend pritet të arrijë në 125-135 mijë ton ndërsa konsumi i tyre të arrijë në 40 kg për frymë në vit, dyfishin e konsumit të BE-së.

Në këto kushte eksporti i kësaj kulture shndërrohen në një domosdoshmëri. Aktualisht, Shqipëria eksporton mijëra ton mollë drejt disa vendeve të rajonit, Bashkimit Europian por edhe Egjiptit.

Aktualisht prodhimi i mollëve në vend ka pësuar një rritje prej 86 %

Vitet e fundit kanë shënuar një kthesë historike në eksportet shqiptare të mollëve. Konkretisht atyre të prodhuara në Korçë por jo vetëm.

Eksporti i mollëve të zonës juglindore të vendit, e njohur si zona që kultivon masivisht këtë lloj fruti ka nisur në vitin 2011.

Fillimisht, fermerët shqiptarë iu drejtuan tregut të vendeve fqinjë, si, Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia.

Nga kjo periudhë deri në vitin 2013, nga Shqipëria eksportoheshin mesatarisht 500 deri në 600 ton mollë në vit. Një shifër kjo, e vlerësuar asaj kohe si arritje e suksesshme për fermerët shqiptarë por dhe Shqipërinë.

Në vitet më pas, eksporti i mollëve nisi të tërhiqte vëmendjen e tregjeve të tjera të mëdha të vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë Bullgarinë dhe Greqinë.

Rritja e eksportit të mollëve shqiptare 

Nga viti në vit, eksporti i tyre është rritur gradualisht, duke u dhjetë fishuar. Përmes Greqisë, mollët shqiptare eksportohen edhe drejt Egjiptit dhe Arabisë Saudite.

Dy tregje të fuqishme këto, nisur nga numri i lartë i popullsisë, e rrjedhimisht i konsumatorëve.

Falë standardeve të ndjekura, në harkut kohor të gjashtë viteve, interesi për mollët shqiptare po rritet çdo vit e më shumë.

Ndërkohë nuk eksportohen vetëm mollët për konsum por edhe ato për përdorim industrial.

Një lajm i mirë ky, në një kohë kur një nga shqetësimet kryesore të fermerëve shqiptarë ka qenë pikërisht hedhja e tonelatave të mollëve në kanal. Kjo, për shkak të mungesës së tregut të brendshëm për prodhim industrial.

Fatmirësisht sot, fermerët shqiptarë të kultivimit të mollëve nuk pësojnë firo në produktet e tyre.

Duke u shndërruar në furnizues kryesor të këtyre frutave për prodhim industrial në tregjet jashtë vendit./AgroWeb.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.