Të Ushqyerit Mbi të 60-tat Vitaminat Janë Thelbësore

1.2k 0

Gjatë kësaj moshe, femrat dhe meshkujt përballen me disa ndryshime psikologjike dhe fiziologjike.

Këto ndryshime kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në nevojat tona ushqimore. Trupi humb efikasitetin për të përthithur dhe përdorur vitamina dhe minerale.

Përdorimi afatgjatë i ilaçeve e ul aftësinë e përthithjes së disa ushqyesve. Në të njëjtën kohë, në këtë moshë, vihet re një humbje e oreksit.

Megjithatë, nevoja për vitamina dhe minerale mbetet e madhe dhe në disa raste rritet më tej.

Rrjedhimisht është shumë e rëndësishme që ushqimet që hamë në këtë moshë të jenë të shëndetshme dhe plot vlera.

Më poshtë, AgroWeb.org do t’ju informojë mbi të ushqyerit për këtë grupmoshë.

Problemet me tretjen si konstipacioni e të tjerë, bëhen më të zakonshme me kalimin e moshës dhe me mungesën e stilit aktiv të jetesës.

Sigurohuni që të pini shumë ujë. Të qenurit aktiv e mban sistemin tretës në punë. Ndaj ecni që të ulni nivelin e stresit dhe ankthit të cilat shkaktojnë probleme me tretjen.

Mos bini në kurthin e kripës së tepërt në ushqim.

Ndjesia e shijes dhe aromës bëhet më e mjegullt me kalimin e viteve.

Shtoni erëza, barishte, hudhër, lëng limoni, uthull ose mustardë në ushqim, por jo kripë. Nivelet e acidit në stomak ulen me kalimin e moshës, së bashku me përthithjen e hekurit, kalciumit, vitaminës B6, B12 dhe folatit.

Sekretimi i paktë i proteinës së nevojshme për përthithjen e vitaminës B12 e ul më tepër praninë e saj në organizëm, duke çuar në shfaqjen e simptomave të lodhjes, dobësisë dhe nivelit të ulët të përqendrimit.

Rreziku i sëmundjeve të zemrës rritet ndjeshëm si pasojë e disa faktorëve madhorë si tepricë në yndyrna të ngopura, alkooli, duhani dhe mungesa e stërvitjes.

Me kalimin e viteve, trupi ynë bëhet më pak efektiv në përthithjen ose përpunimin e vitaminës D, e cila merret kryesisht nga dielli.

Duke qenë se njerëzit në këtë moshë kalojnë shumë pak kohë jashtë, duhet të sigurohen që ushqimi i tyre të përmbajë produkte të pasura me vitaminë D, siç janë vezët dhe peshqit.

Grupmoshat mbi 65 vjeç duhet gjithashtu të marrin suplementë prej 10 mikrogramë vitaminë D në ditë.

Çfarë duhet të hani?

Fibër. Sigurohuni që ushqimi juaj të përmbajë shumë produkte të pasura me fibër, siç janë drithërat e plota, tërshëra, fruta, perime, fasule dhe thjerrëza. Një gotë e vogël me lëng kumbulle në mëngjes këshillohet kundër konstipacionit.

Vitamina B12. Sigurohuni që ushqimi juaj të përmbajë produkte të pasura me vitaminë B12 siç janë mishi, peshku, veza, produktet e bulmetit dhe drithërat.

Konsultohuni me mjekun nëse jeni të shqetësuar për nivelet e vitaminës B12 në trupin tuaj.

Vitaminë D. Veza, peshku dhe ushqimet e pasuruara me vitamina përmbajnë sasi të konsiderueshme të vitaminës D.

Rrezet e diellit gjithashtu japin vitaminën D, ndaj kur ngrohet koha, ekspozoni krahët dhe fytyrën në diell për të paktën 20 minuta në ditë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.