Derë më Derë – Trahanaja Shqiptare Troket në Amerikë

727 0

Shqiptarët e të gjitha trevave në Amerikë kanë rigjetur pjatën e shijshme tradicionale që prej vitesh kanë ëndërruar në tryezat e tyre familjare larg atdheut.

Trahanaja shqiptare, shumë e shijshme, pak e athët dhe e butë në lëngun e saj të lehtë e pak kremoz padyshim është pjesë e pandarë e tryezës së çdo familjeje shqiptare.

Por kur vjen puna tek shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve shqiptare, e prej vitesh kanë ndërtuar jetën bashkë me familjet e tyre larg në Amerikë, produktet e gatimet tradicionale të kuzhinës shqiptare shndërrohen në një përmallim të vërtetë shijeje.

Një nga këto gatime është edhe trahanaja shqiptare.

I vetmi produkt i ngjashëm që shitet në tregun amerikan është e quajtura trahana turke, por ajo ka një shije krejt të ndryshme nga ajo shqiptare, pasi përgatitet me erëza të ndryshme dhe domate të thara.

Trahanaja shqiptare është tjetër. Dhe sot, ky produkt unik shqiptar në mënyrën e përgatitjes dhe gatimit është kthyer në porosinë kryesore të shqiptarëve të Amerikës tek prodhuesit e saj në Shqipëri.

Qindra familje shqiptare të vendosura në shtete të ndryshme të Amerikës, nga Bostoni e Masaçusets, në Filadelfia e deri në New York kanë gjetur pikat e tyre të lidhjes për të porositur trahananë aq shumë të dëshiruar.

Sotiraq Lena nga qarku i Korçës, i cili prodhimin e trahanasë, tashmë e ka shndërruar në një biznes të vogël familjar i tha AgroWeb.org se prej dy vitesh ai përgatit trahana si porosi nga shumë familje shqiptare që jetojnë në Amerikë.

“E gjitha kjo nisi nga një njohje tek një njohje. Ne kemi të afërmit tanë në Boston. Kur erdhën me pushime verën e tre viteve më parë na kërkuan që t’u përgatisnim trahana që ta merrnin me vete. Kur shkuan në Amerikë ata u dhanë edhe disa shqiptarëve të tjerë që njihnin.

Këta të fundit u kërkuan që të porosisnin tek ne, a mund t’ua përgatisnim. E kështu me rradhë u hap loja. Marrim porosi nga shumë familje shqiptare që jetojnë atje” thotë z.Serani për AgroWeb.

Por ai nuk është i vetmi, të tjerë shqiptarë nga zona të ndryshme të vendit kanë shndërruar përgatitjen e trahanasë në biznes familjar duke vepruar kryesisht sipas porosive.

Edhe Bektash Serani nga Shqipëria e mesme pohon për AgroWeb.org se prej disa vitesh familja e tij përgatit trahana sipas porosive që marrin nga familje shqiptare që jetojnë në Amerikë.

E pasur me plot vlera ushqyese 

Trahanaja është një pjesë e pandashme e traditës së Shqipërisë ndonëse origjina e saj është në vendet e Lindjes.

Trahanaja konsumohet kryesisht për mëngjes ose në darkë.

Trahanaja në formën e pluhurit ose të brumit që tretet në ujë të ngrohtë mund të kombinohet me një sërë perimesh, erëzash dhe kos kur bëhet fjalë për përgatitjen e saj në formë supe.

Në variantin e pluhurit, trahanaja duhet ruajtur në një vend të thatë dhe të izoluar mirë.

Nëse doni të përgatisni trahana si supë, atëherë mjafton pak nga brumi i ruajtur, ujë të ngrohtë dhe lëng pule.

Zierja e këtyre produkteve së bashku duhet të vazhdojë deri sa lëngu të jetë i trashë mjaftueshëm.

Trahanaja përmban fibra që ndihmojnë në mbajtjen e kolesterolit në nivel të ulët. Në këtë mënyrë ju nuk do të prekeni nga obeziteti apo tensioni i lartë i gjakut.

Si të gatuani trahananë në mënyrën tradicionale:

(Receta e përgatitjes për një person)

Dy lugë trahana

Një tas e gjysmë supe me ujë

Kripë

Vaj ulliri cilësor

Djath i Bardhë

Dy feta bukë të thekur

Përgatitja 

Hedhim ujin në tenxhere bashkë me kripën dhe e lëmë të ngrohet mirë.

Kur e shohim që nis bulëzat e para të vlimit, hedhim trahananë dhe e përzjejmë me lugë druri në mënyrë të pandërprerë derisa të nisë trashet lëngu.

Kur lëngu trashet, e lëmë të zjejë për dy minuta dhe e heqim nga zjarri.

Në një pjatë apo tas supe shkoqim bukën e thekur, i hedhim sipër trahanë e përgatitur.

Në fund i hedhim një lugë vaj ulliri dhe djathë të bardhë të thërmuar.

Si të gatuani trahananë në formën e supës:

Përbërësit

1 litër lëng të mishit të pulës ose perimeve
200 gramë djathë
400 gramë trahana
30 gramë gjalpë ose vaj ulliri
Gjysëm limoni
Erëza

Përgatitja

Hidheni brumin e trahanasë në një enë me ujë të ftohtë dhe mbajeni për një orë.

Kullojeni mirë dhe më pas hidheni në një tenxhere së bashku me lëngun e pulës.

Trazojeni mirë për një orë në zjarr mesatar.

Në një tigan hidhni gjalpin. Kur trahanaja të jetë përgatitur hidhni djathin, lëngun e limonit dhe erëzat.

Përzijeni mirë dhe shërbejeni të ngrohtë./AgroWeb.org