Ushqimet e Shpejta Nxisin Çrregullime Hormonale

694 4

Stili i jetesës sot është aq i shpejtë sa ka ndryshuar edhe zakonet e shëndetshme në ushqimet që përdorim 

Përdorimi i ushqimeve të shpejta është në majat më të larta. Ky ushqim është padyshim i shijshëm, por jo i shëndetshëm.

Konsumimi i ushqimeve të shpejta arrin deri aty sa të sjellë çrregullime hormonale tek organizmi i konsumatorëve.

Sipas një raporti të fundit, të cilit i referohet AgroWeb.org, njerëzit që konsumojnë këto ushqime kanë në trupin e tyre një nivel më të lartë kimikatesh të rrezikshme.

Këto kimikate janë ftalatet që zakonisht gjenden tek produktet plastike dhe ato të pastrimit.

Ky kimikat futet në ushqim nëpërmjet paketimit, por edhe nga dorezat plastike dhe mjetet e përdorura në përgatitjen dhe dorëzimin e ushqimit.

Ndikimi tek Hormonet

Ekspertët e hormoneve shpjegojnë se këto kimikate kanë pasoja të rënda dhe afatgjata tek njeriu.

Sipas tyre, konsumimi i ushqimeve të shpejta tek meshkujt rrit nivelin e estrogjenit që sigurisht është shumë i dëmshëm.

Për femrat, konsumimi i tyre çon në rritjen e mundësisë së zhvillimit të qelizave tumorale të gjirit dhe të mitrës.

Njerëzit që konsumojnë shumë ushqime të shpejta janë të ekspozuar ndaj një niveli më të lartë kimikatesh që shkaktojnë infertilitet.

Këto kimikate kanë lidhje edhe me obezitetin, depresionin, azmën dhe alergjitë ndaj ushqimit.

Doza me Kimikate të Rrezikshme 

Studiuesit mbikqyrën plot 8877 persona nga mosha 6 vjeç e lartë. Shumë prej të cilëve kishin konsumuar ushqime të shpejta 24 orë para studimit.

Analizat e urinës së tyre treguan një prezencë të ndjeshme të këtyre kimikateve që gjendeshin tek ushqimet e shpejta.

Ekspertët kanë arritur në konkluzionin që konsumimi i brumërave të gatshme të përpunuara ishte burimi më i lartë i dozave ditore të kimikateve të rrezikshme.

Këtë e gjejmë në pjesën e jashtme të picës, piteve e produkteve të ngjashme që bien lehtësisht në kontakt me materialet e përdorura në paketim, sipas studiuesve.

Ekspertë të tjerë demonstrojnë që ka lidhje të forta mes konsumimit të mishit, yndyrnave dhe produkteve të bulmetit dhe kimikateve që gjenden në materialet e paketimit.

Jo pa shkak ekspertët këshillojnë që njerëzit duhet të konsumojnë më shumë fruta dhe perime se sa ushqime të shpejta dhe të paketuara./AgroWeb.org