Në Shën Vlash të Durrësit, fshatin me shtëpitë e renditura sup më sup dhe aromën karakteristike të pemëve frutore dhe drurëve që digjen nëpër oxhaqe, takojmë Ardian Çitozin, i cili prej 8 vjetësh eksporton gështenja në Itali.

”Eshtë biznes i mirë, por do të zgjasë pak nëse nuk e trajtojmë mirë gështenjën dhe nëse nuk fusim edhe varietete të tjera përveç gështenjave të egra, të cilave po i’ua shohim hajrin dhe po i eksportojmë në Evropë”.

Kështu thotë zoti Çitozi ndërsa tregon për AgroWeb.org të gjithë procesin e pastrimit dhe paketimit të gështenjave që shkojnë më pas në tregun Italian.

“Me thënë të drejtën më kanë intriguar shumë si fruta dhe ia propozova idenë e biznesit një mikut tim Italian, i cili në momentin e parë ishte dyshues për cilësinë e gështenjave tona”, thotë Ardiani teksa risjell në kujtesë hapat e parë të biznesit të tij.

Por në fund arriti ta bindte se ia vlente t’i hynin këtij biznesi, paçka sa i çmendur dhe aventuresk mund të dukej.

“E nisëm duke eksportuar sasi shumë të vogla dhe tani ja kemi dalë të eksportojmë pjesën më të madhe të gështenjave në Itali”, të thotë gjithë krenari.

Ardian Çitozi eksporton rreth 2000 ton gështenja në sezon nga 3.500-4000 ton që eksportohen në total në Shqipëri.

Ndërkohë që synon të shtojë këtë shifër, për shkak dhe të kërkesës së lartë për gështenjën tonë.

Kompania e Çitozit “Lea 2011″, është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës.

Në vitin 2014 të ardhurat e tij nga shitjet kapën vlerën e 170 milionë lekë.

Shifër, të cilën Ardiani shpreson ta rrisë, duke qenë se ai është çertifikuar edhe me standardet HACCAP përmes projektit B-REDI të USAID, duke bërë që eksportet e gështenjës së tij të marrin vulën e cilësisë.

Në Shqipëri aktualisht operojnë pesë operatorë të mëdhenj dhe tregu pritet të zgjerohet.

Interes në rritje për Geshtenjat shqiptare

Sipas të dhënave të agroWeb.org nga Dogana e Durrësit, në vit janë eksportuar drejt Italisë mbi 100 kamionë me gështenja ose mbi 3000 tonë. Çmimi i eksportit ka qenë 1.3 euro për kilogram, duke siguruar për kompanitë më shumë se 3.2 milionë euro të ardhura.

Jo më larg se në vitin 2011 eksportoheshin vetëm 20 kamionë gështenja ose afërsisht 650 mijë euro.

Për nga vlera, gështenja është një treg i vogël, por rëndësia lidhet me volumin e zinxhirit të përfitimit.

Gështenja e Tropojës ajo që kryeson eksportin, duke qenë gështenja e vetme shqiptare që përmbush kriteret e cilësisë për t’u eksportuar në BE.

Kërkesa ndërkombëtare për gështenja me cilësi të lartë ka qenë në rritje që prej gjysmës së dytë të viteve 1990, pjesërisht edhe për shkak të interesit në rritje të konsumatorëve ndaj produkteve tradicionale dhe ekologjikisht miqësore.

“Kërkesa është e lartë dhe e shoh si një sektor shumë premtues në afatgjatë, por ne duhet duhet të sjellim dhe varietete të tjera që kërkon tregu evropian.”, thotë Ardiani.

Këto gështenja në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, në Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, në Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë.

Zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha.

Përgjithësisht sektori i arrorëve, pra arrat, lajthitë, gështenjat dhe bajame, shihet si një sektor me potencial të lartë për eksport.

Kjo për shkak të shumë avantazheve: që nga klima e favorshme tek kushtet e tokës, fitimi i lartë dhe kërkesa e  tregut ndërkombëtar./AgroWeb.org/