Lulëkuqja që rritet kudo në Shqipëri është e njohur për vlerat e saj të rëndësishme shëndetësore.

Po të pyesni gjyshërit tuaj do t’ju tregojnë më shumë për aftësitë e lulekuqeve për të qetësuar dhe vënë në gjumë fëmijët.

Lulëkuqja ishte një nga lulet më të preferuara të Venusit, perëndeshës romake të bukurisë dhe dashurisë. Prej shekujsh lulekuqet janë pranuar si simbol i qetësisë, gjumit dhe paqes.

Në vendin tonë deri sot lulëkuqja nuk është kultivuar dhe është rritur në mënyrë të pavarur si bimë e egër.

Burimet e AgroWeb.org tregojnë se duke parë kërkesat e tregut për lulëkuqen, kultivimi i saj është me leverdi ekonomike.

Lulëkuqja është e përhapur dhe rritet e zhvillohet thuajse kudo në vendin tonë.

Kërcenjtë e lulëkuqeve jetemot janë përdorur nga amvisat shqiptare si pjesë e grupit të barërave të egër në përgatitjen e byrekut të famshëm me lakra të egra së bashku me hithrat dhe lëpjetat.

Lulëkuqja fuqizon sistemin imunitar, mbron shëndetin e zemrës, forcon kockat, rrit qarkullimin e gjakut dhe ndihmon tretjen.

Por lulet e vogla të kuqe prodhojnë edhe fara të ngrënshme që janë të mbushura plot me minerale, substanca të shëndetshme, por edhe me alkoloidë që nëse merren në doza të mëdha mund të kenë efekte të forta.

Farat magjike sot i gjejmë në shumë ushqime të përgatitura me vaj lulëkuqeje ose fara siç janë: paninet, salcat, sallatat, supat, buka dhe ëmbëlsirat.

Këto fara të vogla nga një lule që të themi të drejtën nuk ta mbush shumë mendjen janë shumë të fuqishme.

Doza të vogla të këtyre farave mund të kenë një efekt të jashtëzakonshëm në trup.

Por le t’i hedhim një sy së bashku se çfarë mund të bëjë kjo lule me petale të kuqe si gjaku.

Efekti qetësues

Disa nga aspektet më të studiuara të lulëkuqes janë efektet analgjesike të saj. Nëse konsumon fara lulëkuqeje, atëherë mund të zbusësh dhimbjet, veçanërisht ato të kokës dhe të përshpejtosh proçesin e shërimit.

Farat janë të pasura me zink dhe si rrjedhojë ndihmojnë metabolizmin për të përshpejtuar proçesin e rimëkëmbjes.

Fuqizon sistemin imunitar

Studime të shumta kanë provuar lidhjen që ekziston mes zinkut dhe sistemit imunitar .

Zinku që gjendet me bollëk në çdo farë lulëkuqeje arrin të stimulojë prodhimin e qelizave të bardha të gjakut dhe të forcojë reagimet e trupit ndaj substancave dhe agjentëve të huaj.

Përmirëson shikimin

Me plakjen, sytë tanë fillojnë e na lënë në baltë. Megjithatë kjo nuk duhet të na demoralizojë. Ka shumë gjëra që mund të bëjmë për të ndaluar proçesin e përkeqësimit të shikimit.

Antioksidantët janë të nevojshëm për të na mbrojtur sytë. I tillë është edhe zinku që gjendet në sasi të mëdha tek lulëkuqja.

Zinku e mban shikimin të forte dhe ngadalëson degjenerimin makular – që është edhe shkaktari kryesor i humbjes së shikimit tek personat mbi 70 vjeç.

Mbron zemrën

Hekuri është një nga mineralet më të çmuar që gjenden tek lulëkuqja. Siç e dimë, hekuri është një përbërës integral në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut.

Kur rrisim dozën e hekurit, ne përmirësojmë qarkullimin e gjakut dhe si rrjedhojë nivelin e oksigjenit në pjesët më vitale të trupit.

Nëpërmjet hekurit, ne zvogëlojmë simptomat e anemisë, marrim më shumë energji dhe përshpejtojmë proçesin e shërimit.

Ndihmon me tretjen

Nëse vuani nga konstipacioni ose diarea, atëherë keni nevojë për më shumë fibër në dietën tuaj.

Farat e lulëkuqes kanë një nivel të lartë të fibrës që rregullon lëvizjet e zorrëve në favorin tuaj.

Ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e dhimbjeve dhe inflamacionit dhe lehtësojnë funksionimin e sistemit të tretjes.

Diabeti i Tipit 2

Nivelet e ulëta të zinkut në organizëm janë tregues i rëndësishëm i nivelit të diabetit të tipit 2.

Nëse dëshiron të mbrohesh nga kjo epidemi globale, atëherë duhet të shtosh zinkun në dietë. Përse mos të përdorësh fara lulëkuqeje atëherë?!

Funksionet e nervave

Shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë plotësisht rolin e kalciumit në trupin tonë.

Kalciumi është nga të paktët minerale që forcon funksionimin e sistemit nervor.

Lulëkuqet kanë një nivel të lartë kalciumi dhe me to mund të bësh një tonik të shijshëm për nervat dhe të mbash larg çregullimet nervore.

Shëndeti i kockave

Kalciumi është gjithashtu i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Kalciumi tek lulëkuqja mund t’ju japë kockave tuaja forcë dhe elasticitet.

Tensioni i gjakut

Kaliumi që gjendet tek farat e lulëkuqes zbut tensionin në arterie dhe promovon një qarkullim sa më normal të gjakut.

Një gjë e tillë parandalon zhvillimin e arteriosklerozës dhe dhe sëmundjeve të zemrës./AgroWeb.org