Tavë e Shijshme me Lakër të Bardhë – Shije e Përsosur e Traditës

2.6k 1

Kuzhina shqiptare është e pasur në receta e gatime speciale për çdo perime.

Gjellë e supa të shijshme, tava të ndryshme furre etj, i ofrojnë shije të mrekullueshme tryezës në çdo stinë.

E tillë është edhe receta e përgatitjes së musakasë me lakër të bardhë.

Një traditë e vjetër e kuzhinës shqiptare, që thuhet se ndikimin e ka nga kuzhina e vendeve të Lindjes.

Pavarësisht se musakaja tipike është ajo e njohur gjerësisht e përgatitur me patate, ka dhe shumë receta të tjera të përgatitjes së musakasë siç është ajo me lakër të bardhë, me presh, me patëllxhanë apo edhe kunguj.

Përbërësit

  • 1 kg lakër e bardhë
  • 200 gr presh
  • 1 kokërr qepë e thatë
  • 2-3 karrota
  • 400-500 gr mish i grirë
  • Një filxhan kafeje oriz
  • Nenexhik
  • Piper
  • Kripë

Për salcën beshamel 

  • 3 lugë gjelle miell
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 2 deri 3 gota qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
  • Kripë

Përgatitja   

Fillimisht pastrojmë perimet me ujë të rrjedhshëm.

Lakrën e bardhë e grijmë përmes një thike të mprehtë por jo shumë hollë.

Grihet preshi në rrathë ashtu si edhe karrotat dhe qepët.

Vendosim në tenxhere në zjarr, shtojmë vaj ulliri dhe lakrën e grirë, preshin dhe karrotat, i kaurdisim të gjitha bashkë dhe më pas hedhim pak ujë (gjysmë filxhan çaji) dhe kripë.

I lëmë që të zbuten në zjarr të ngadaltë duke i kaurdisur herë pas here.

Nga ana tjetër, në një tigan, kaurdisim me pak vaj ulliri qepën e grirë hollë, e më pas shtojmë mishin e grirë, duke i kaurdisur për disa minuta.

Hedhim një gotë me ujë të ngrohtë, shtojmë orizin dhe i lëmë të ziejnë.

Mishin e grirë dhe qepën e rregullojmë me kripë dhe erëza ndërsa lakra dhe perimet kanë zierë.

Në një tavë të lyer me vaj ulliri hedhim gjysmën e lakrave dhe perimeve duke e hapur njëtrajtësisht në të gjithë tavën.

Më pas, vendosim një shtresë me mish të grirë duke e hapur në të gjithë sipërfaqen e lakrës në tavë.

Më pas, mbi mishin e grirë hedhim shtresën tjetër të lakrës. Në fund, në të gjithë sipërfaqen e tavës hedhim beshamelën.

Tavën e fusim në furrë të parangrohur në temperaturë maksimale dhe e lëmë të piqet derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Përgatitja e beshamelës

Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur. Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme. Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni. Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë./AgroWeb.org  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.