Historia e erëzave është me të vërtetë magjepsëse. Disa prej jush mund ta dini tashmë që njerëzit kanë rrugëtuar mijëra kilometra në kërkim të një lloj erëze. Të tjerë kanë përdorur erëzat për të shëruar sëmundjet dhe shumë syresh kanë nisur edhe luftë në emër të tyre. Arkeologët kanë zbuluar erëzat në varrezat Egjiptiane që nga viti 3000 para Krishtit. Disa qytetërime i konsideronin erëzat më të çmuara se ari. E dini historinë e Kristofor Kolombit i cili u vu në kërkim të Indisë dhe në vënd të saj zbuloi atë që më vonë u quajt Amerika? Epo e vërteta është që ai ishte në kërkim të erëzës së piperit. Kristofer Kolombi nuk po kërkonte për metale apo gurë të çmuar, por për piper. Megjithatë, në fund të rrugëtimit ai nuk e gjeti atë që po kërkonte. Mesazhi që përcjell ky shembull është se sa e rëndësishme ka qenë për qytetërimet e ndryshme për të zbuluar shije dhe aroma të reja, jo vetëm për të pasuruar përjetimet e tyre në kulinari por edhe për të zgjeruar aftësitë e tyre mjekësore.

Me lejoni t’ju tregoj një shembull tjetër. Në vitet 1500, Danezët dhe Portugezët nisën një luftë, sërish për erëzat. Kësaj here molla e sherrit ishte arrëmyshku. Kjo përleshje mes dy kombeve u njoh në histori si Lufta e Erëzave. Arsyeja përse arrëmyshku u bë një erëz kaq e mikluar është sepse shumë njerëz besonin që ajo kuronte murtajën që asokohe kishte shpërthyer në të gjithë Evropën.

Erëzat bëjnë ndryshimin. Ato dhurojnë magji në çdo pjatë dhe ngacmojnë çdo shqisë. Vlerat e tyre shëndetësore janë të pranuara. Kjo përbën një arsye të rëndësishme përse duhet t’i shtoni erëzat në dietën tuaj. Shqipëria është shumë e famshme për rritjen e shumë erëzave. AgroWeb ka përgatitur këtë udhërrëfyes që përmban disa lloje erëzash që do t’ju ndihmojë të transformoheni në një mjeshtër të mirëfilltë të erëzave.

Borziloku. Ka një shije të ëmbël. Mund ta shtoni në sallata, gatime me pulë, djathë, mish derri, salca dhe lëngjet e marinimit. Borziloku njihet si mbrojtës i ADN-së dhe ka vlera anti-bakteriale, anti-inflamatore dhe i bën mirë shëndetit kardiovaskular.

Gjethet e dafinës. Kanë një shije të hidhur. Mund t’i përfshini në supa, gatimet e detit, çomlek, rizoto, fasule, thjerëza dhe lëngje marinimi. Gjethet e dafinës mund t’i shtoni në përfundim të kohës së gatimit dhe mund t’i hiqni pak para servirjes. Ato kanë vlera anti-septike, antioksidante, ndihmojnë me tretjen dhe luftojnë kancerin. Janë të pasura me vitamina dhe minerale.

Kardamom. Ka një shije të ëmbël. Përdoret në supa, çomlek me perime dhe gatimet me mish pule dhe mish pate. Ofron mbrojtje gastrointestinale, mban kolesterolin nën kontroll dhe përmirëson qarkullimin e gjakut në trup. Kjo erzë përdoret për shërimin e sëmundjeve dentare dhe infeksionet urinare.

Speci i kuq. Ka shije përvëluese. Përdoret tek orizi, salcat e sallatave, salcat e tjera, lëngjet për marinim. Speci i kuq është perfekt në përdorim tek mishi i pulës, viçit dhe peshkut. Përmban vlera anti-inflamatore dhe lufton mykun. Ndihmon në shërimin e simptomave të gripit dhe alergjive stinore. Parandalon mpiksjen e gjakut dhe i vjen në ndihmë sistemit tretës.

Kanella. Ka një shije tokësore të ëmbël. Përdoret në ëmbëlsira, bukë, salca frutash dhe në disa gatime me pulë dhe mish qingji. Kanella përmban vlera anti-inflamatore, ul nivelin e sheqerit në gjak dhe ka efekt anti-diabetik. Ajo është e pasur me antioksidantë.

Farat e Koriandrës. Kanë një shije të ëmbël, arrore dhe djegëse. Përdoren në fasule, bukë, mish pule, peshk dhe përgatitjen e kastravecave turshi në kushtet e shtëpisë. Kuron inflamacionet e lëkurës, kolesterolin e lartë, diarenë, aneminë, mungesën e tretjes, çrregullimet menstruale, çrregullimet e sheqerit në gjak dhe mbron shëndetin e syve.

Karafili. Ka shijen e ëmbël të tokës. Përdoret në gatimet me erëza, ëmbëlsira, supa. Është perfekte për mishin e qingjit. Vlerat shëndetësore të karafilit përfshijnë mbrojtjen e mëlçisë por jo vetëm kaq. Lufton diabetin, inflamacionet dhe bakteret. Ndihmon edhe në kurimin e dhimbjeve të kokës.

Kumini. Shije toke dhe tymi. Përdoret në gatimet me erëza pikante, oriz dhe supa, por edhe për mishin e pulës, derrit, peshkut dhe për thjerëzat fasulet dhe tofu. Vlerat shëndetësore përfshijnë ndihmën ndaj sistemit tretës, përmirësimin e imunitetit dhe trajtimin e pagjumësisë, çregullimeve respiratore, azmës, bronkitit, të ftohtit, anemisë dhe çregullimet e lëkurës.

Kopra. Shije freskie. Është fantastike për sallata, sidomos ato të marinuara. Përdoret edhe për salmonin dhe pulën e pjekur, bukën dhe çajin. Vlerat shëndetësore të saj përfshijnë zbutjen e fryrjeve në stomak, kurimin e anemisë, problemeve me tretjen, konstipacionin, kolitin, diarenë, çrregullimet respiratore, menstruale dhe përmirëson shëndetin e syve.

Xhenxhefili. Ka shije të ëmbël dhe të ngrohtë. Përdoret në gatimet me erëza pikante, ushqimet e kavërdisura, mishin e pulës, viçit, derrit, peshkut dhe tofu. Stimulon tretjen, çliron nga dhimbjet e stomakut dhe të vjellat, shplodh muskujt dhe lufton inflamacionin. Mund të ulë kolesterolin dhe nivelin e sheqerit në gjak si dhe ul dhimbjet menstruale.

Arrëmyshku. Ka shije të ëmbël. Është perfekt për gatimet me oriz, me mbushje si edhe në salca. Funksionon shumë mirë për gatimet me mish qingji. Ka aftësi të çlirojë nga dhimbjet, përmirëson tretjen, largon toksinat nga trupi, lufton pagjumësinë dhe përmirëson funksionet e sistemit imunitar.

Rigoni. Shije toke. Fantastik për supa, marinime, salca sallatash dhe domatesh. Rigoni është antioksidant dhe antibakterial.

Speci i kuq djegës. Është i ëmbël dhe i ngrohtë. Funksionon mirë me orizin, supën, marinimin, salcat e sallatave, mishin e pulës, mishin e qingjit dhe tofu. Ka vlera kundër plakjes, baktereve dhe inflamacioneve. Për më tepër kjo erzë jep energji, ul tensionin e gjakut, përmirëson tretjen dhe ofron një gjumë të mirë.

Rozmarina. Erëza e tokës. Është e jashtëzakonshme për marinim, bukë, dhe gatimin e fasuleve, mishit të pulës, qingjit, derrit dhe peshkut. Përdoret për të trajtuar irritimet e lëkurës, përmirëson tretjen, shumëfishon kujtesën dhe përqëndrimin, ofron mbrojtje neurologjike dhe parandalon plakjen e trurit.

Shafrani. I ëmbël dhe i hidhur njëkohësisht. Është erëza më e shtrenjtë në botë. Është perfekte për gatimet me oriz, fruta deti, çomlek me mish viçi, salcat me domate dhe për marinim. Kjo erëz promovon forcimin dhe rikthimin e kujtesës dhe të të mësuarit. Mbron nga i ftohti, ndihmon me tretjen, formimin dhe riparimin e qelizave, mban nën kontroll tensionin e gjakut dhe trajton sëmundjet e lëkurës.

Trumza. Shija e tokës. Është perfekte për marinim, supa, salca sallatash, mish dhe thjerëza. Ul tensionin e gjakut, ndihmon me kollën, forcon imunitetin dhe shërben si disinfektues.

Shafrani i Indisë. Ka një shije të hidhur që thuajse i ngjan specit. Përdoret tek gatimet me erëza dhe oriz, por edhe tek gatimet me mish pule, peshk, thjerëza, fasule dhe tofu. Ka vlera të fuqishme anti-inflamatore.

Rrit aftësitë anti-oksiduese të trupit, përmirëson funksionet e trurit dhe ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Mua personalisht më pëlqen shija unike e farave koriandër dhe arrëmyshku. Unë i përdor praktikisht në çdo gatim. Po ti? Cila është erëza jote e preferuar? Ndaje me ne preferencën tënde.


*AgroWeb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.