Nuk ka njeri që të mos jetë i marrosur pas qershisë. Kur vjen stina e qershive, është e pamundur të mos hutohesh nga larmia e nuancave të të kuqes në treg. Ai mal me kokrra qershie bën që të shkojë goja lëng sa herë që u kalon pranë. Qershitë janë një frut fantastik. Por edhe lëngu i tyre nuk qëndron më pas. Lëngu i qershisë është përdorur prej kohësh si një kurë popullore për shumë preh çrregullimeve dhe problemeve shëndetësore, kryesisht për shkak të përmbajtjes së lartë të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve.

Lëngu i qershisë nuk përmban yndyrna apo kolesterol. Niveli i kalorive ndryshon në varësi të disa faktorëve, kryesisht sheqerit të shtuar. Ato që i japin më shumë kalori lëngut të qershive janë karbohidratet. Nga ana tjetër vetëm 1% e kalorive vijnë nga proteina. Qershitë e Beratit po shiten me çmimin 150 Lekë për kilogram, por çmimi pritet të ulet në vijim të qershorit dhe mund të filloni vetë të përgatisni në shtëpi lëngun e qershive. Mos harroni që qershitë shqiptare janë më të pasura me lëng se qershitë e importit, prandaj zgjedhja e produktit vendas sidomos për qershitë është zgjidhja e duhur.

Vlerat dhe vetitë e lëngut të qershisë

Lëngu i qershisë përmban vitamin A, vitaminë C dhe kalium. Vlerat shëndetësore që merr nga konsumimi i ushqimeve të pasura me vitamin A dhe vitaminë C përfshijnë: një sistem imunitar të përmirësuar, veti superiore të shërimit të plagëve dhe shikueshmëri më të qartë veçanërisht në kushte kur drita është e kufizuar. Konsumimi i ushqimeve të pasura me kalium ndihmon në uljen e tensionit të gjakut dhe zvogëlimin e rrezikut të formimit të gurëve në veshka.

Lëngu i qershisë është një burim i pasur i antioksidantëve të fuqishëm që kryesisht gjenden në frutat dhe perimet që kanë ngjyrë të kuqe, vjollcë apo të errët. Një dietë e pasur me antioksidantë është pranuar të ketë ulur rreqizet e shfaqjes së kancerit dhe zvogëluar rreziqet e sëmundjeve kardiovaskulare.

Konsumimi i lëngut të qershisë ka gjetur jehonë për shkak edhe të çlirimit të dhimbjeve nga sëmundje si artriti. Kohët e fundit, është zbuluar që lëngu i qershisë lufton pagjumësinë dhe dhimbjet muskulare. Këto pretendime shkencore kanë gjithësesi nevojë për më shumë studime, megjithatë analizat e deritanishme shpalosin rezultatet pozitive që disa njerëz vërejnë pas konsumimit të lëngut natyral të qershisë, kjo falë natyrës anti-inflamacion të vitaminës C dhe antioksidantëve.

Lëngu i qershisë nuk është thjesht freskues dhe i shijshëm, por ka shumë vlera. Në një gotë lëng gjeni 120 kalori, kalium dhe hekur. Lexoni më poshtë nga AgroWeb arsyet kryesore përse nuk duhet t’i ndaheni këtij lëngu fantastik.

Shuan dhimbjet e ushtrimeve fizike
Lëngu i qershisë duhet konsumuar pas ushtrimeve fizike. Është natyralisht i pasur me kalium që përçon impulset elektrike në të gjithë trupin. Ky mineral ndihmon në ruajtjen e tensionit të gjakut, me hidratimin, rimëkëmbjen e muskujve, impulse nervore, tretjen, rrahet e zemrës dhe ekuilibrin e pehashit. Në një gotë me qershi gjeni 330 miligramë kalium që përbën 10% të dozës së rekomanduar ditore të kaliumit.

Lufton inflamacionin
Studimet kanë treguar që antioksidantët në lëngun e qershisë mund të pakësojnë dhimbjet he zvogëlojnë inflamacionin e shkaktuar nga osteoartriti. Një studim i vitit 2012 tregoi se konsumimi i lëngut të qershive dy herë në ditë për 21 ditë pakëson këto dhimbje në mënyrë të ndjeshme. Analizat e gjakut që u përdorën në studim treguan që lëngu i qershive arriti të zvogëlonte inlamacionin në mënyrë të shpejtë.

Forcon imunitetin
Si të gjitha frutat dhe perimet, qershitë janë të pasura me doza të mëdha antioksidantësh dhe përbërësish që luftojnë virozat. Flavonoidët (antioksidantë) që gjenden tek lëngu i qershisë prodhohen kryesisht nga shumica e bimëve që njohim dhe luftojnë infeksionet në shumë nivele. Studimet kanë treguar që këto element kanë një ndikim domethënës në funksionet e sistemit tonë imunitar.

Ndihmon me gjumin
Sipas studimeve, vlerat anti-inflamatore të lëngut të qershisë, të kombinuara me melatoninën e cila rregullon problemet me gjumin mund tju ndihmojnë të flini më mirë.
Edhe nëse ky lëng nuk do të kishte kurrëfarë antioksidanti apo vlere, sërish ai do të ishte një zgjidhje jashtëzakonisht e shijshme dhe freskuese për çdo konsumator. Zëvëndësoni lëngjet e gazuara me diçka që mund të bëjë një ndryshim thelbësor në shëndetin tuaj.

Si të përgatisni lëngun e qershisë në kushtet e shtëpisë?

Pasi të keni hequr bërthamat nga qershitë e lara, vendosni ato në përzjerësin ose mikserin e ushqimeve. Mënyra më e lehtë për të pastruar dhe hequr bërthamat është t’i vendosni në një enë të mbushur me ujë të ftohtë. Pasi t’i keni kulluar largoni bërthamat duke përdorur majën e thikës në mënyrë vertikale tek kokrra e qershisë. Nëse ju nevojitet një gotë lëng, atëherë diku tek pesëmbëdhjetë qershi mjaftojnë Shtoni sheqer sipas preferencës dhe përzijeni në mikser. Nëse ju pëlqen ajo shija e thartë e qershisë mund të mos përdorni sheqer. Në të kundërt niseni me dy lugë sheqer dhe më pas shtoni sipas preferencave. Nëse nuk iu pëlqen sheqeri, mund të zgjidhni mjaltin që është një ëmbëlsues natyral. Shtoni ujë sipas nevojës. Nëse nuk e bëni këtë, lëngu do t’i ngjajë më shumë një koncentrati ose shurupi. Ujin duhet ta shtoni ngadalë dhe nga pak teksa e përzieni. Kur të arrijë nivelin e dëshiruar mund të ndaloni. Më pas kullojeni lëngun, nëse nuk iu pëlqen tuli sigurisht. Nëse lëngu është sërish i trashë shtoni më shumë ujë. Provojeni vazhdimisht për ta shijuar në varësi të dëshirës suaj./AgroWeb.org/