Kisha lexuar komente pafund negative për Lungomaren e Vlorës dhe baltëzimin e një ndër qyteteve më të bukur në Shqipëri, por kur e pashë me sytë e mi, u skandalizova. Vetëm pak kohë më parë Agjencia Kombëtare e Mjedisit botoi një raport, ku në Vlorë raportoheshin 5 plazhe me cilësi shumë të mirë dhe 4 plazhe me cilësi të mirë, çka nënkupton praninë e ndotjeve në këto zona ku ndalohej larja. Pikërisht ky studim m’u kujtua teksa përshkova lungomaren, një xhiro e rrethuar me inerte dhe mbushur me dhê në vend të rërës. Mezi prita ta kaloj atë pjesë të Vlorës për të ecur më tej, pas Ujit të Ftohtë e deri në Radhimë, ku gjen plazhe të lezetshme, por që për çudi me shumë pak frekuencë.

Duket se Karaburuni ia ka marrë të gjithë pushuesit Vlorës. Aty plazhet janë të virgjëra e uji i pastër e doemos, njeriu nuk do të pushojë me zhurmën e matrapikut që shemb ende godina dhe të betoniereve që ikin e vijnë. Shijen e keqe, të cilës i ika me shpejtësi ia ndreqi Palasa, plazhi i parë sa zbret Llogaranë. Plazhi është super i bukur, me ujë kristal por shërbimi që ofrohet aty janë vetëm shezlonët, ndonjë kafe dhe limonatë. Për të ngrënë duhet të ikësh diku tjetër, pasi edhe nja dy piceri që kanë qenë vjet, sivjet ishin prishur. Shezlonët kushtojnë nga 600-900 lekë, por me atë pamje ja vlen. Ndalesa e rradhës është Dhërmiu i cili vazhdon të jetë ende në modë, ka shumë gjallëri, party edhe në drekë dhe çmimet si gjithmonë. Dhe Jala në të njëjtën linjë.

Zbresim në Himarë. Qyteti është i këndshëm e vera e gjeti të sistemuar. Gjithësesi nga Himara mund të shkosh në disa plazhe të tjera që janë afër ndërsa stacionohesh aty për të fjetur. Drekën vendosëm ta hanim në Livadh. Gjiri ishte shumë i këndshëm por gjëja që më bëri përshtypje ishte dispropocioni urbanistik i disa banesave-hotele të ndërtuara aty. Çmimet ishin normale, ndërsa si gjithmonë në tryezat e jugut të vjen dhe ndonjë gjë e pabërë për të prishur “syrin e keq”. Kur e pyetëm kuzhinierin pse oktapodi i zgarës ishte si ‘kaperton biciklete’ na tha se ai përpiqej për klientin, që në ushqim të përfitonte të gjithë vlerat ushqyese të oktapodit, ndaj nuk e ziente. Me kujdesin e jashtëzakonshëm të kuzhinierit e nofullat e lodhura nga përtypja e kotë, lamë Livadhin për të shkuar më poshtë, pikërisht në Lukovë ku vendosëm të kalonim natën. Hoteli ishte super i pastër, ndërsa për të shkuar në plazh, te Shpella siç quhej, duheshin kaluar disa kilometra me makinë.

Lukova është fshat i këndshëm me shumë markete, ekzistencën e të cilave e kuptuam vetëm pak orë më vonë. Lukova ka pak vite që ka marrë jetë, që kur Sala, (Sali Berisha) siç thonë banorët u kishte bërë rrugën e plazhit. Tanimë pjesa më e madhe e shtëpive funksion si hoteleri. Plazhi është shumë i pastër dhe lokalet janë ndërtuar në një vijë, jo një para e një pas. Por, nëse rri në Lukovë për të bujtur, darkën duhet ta gatuash vetë, e kjo ishte arsyeja që aty ka kaq shumë markete. Ka edhe restorante, por për të shkuar aty duhet të ecësh përgjatë rrugës nacionale. Mëngjesi i nesërm na gjeti në Sarandë. Gjetëm një hotel afër qendrës ndërsa ditën do e kalonim në Ksamil.

Plazhi i Ksamilit, Sarandë. Foto: WebLibrary

Më pëlqen Ksamili sepse mund të bësh shumë gjëra. Mund të shkosh në tre ishujt e vegjël, ose të shijosh gjiret e vogla ku panorama është super. Ushqimi njëkohësisht është i mirë ndërsa gjen disa variacione, nga restorantet te piceritë. Mysafirët që shoqëruam u befasuan nga bukuria e Ksamilit dhe pritën perëndimin e diellit për t’u larguar prej aty. Saranda është e gjallë dhe që në orët e para të pasdites nis xhiro, e cila përfundon orët e para të mëngjesit. E gjetëm qytetin më të skajshëm rrugor, multikultural. Shumë turistë nga vende të ndryshme të botës, fytyra të relaksuara njerëzish e mundësi pafund argëtimi sipas “xhepave” edhe pse në mesnatë muzika ulej, përveç disa lokaleve të mbyllura e fortmirë të izoluara që plotësonin padyshim kushtet për zhurmat. E nesërmja na gjeti edhe ne të reklasuar e me mungesë të theksuar dëshire për të ikur prej andej.

E kur je deri në Sarandë s’mund të largohesh pa parë Syrin e Kaltër. Sigurisht vendi është perlë por ajo rrugë me çakull, me shumë pluhur ta përdhos imazhin. Dhe të mendosh që çdo makinë e person paguan para për të hyrë aty, ndërsa asnjë investim nuk është bërë. Gjithësesi jugu i Shqipërisë është i bukur, është e bukur ajo pjesë natyrale sepse aty ku kanë vënë dorë njerëzit në të shumtën e përpjekjeve, ia kanë trukuar për keq imazhin./AgroWeb.org  

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.