Tema e Ditës Ndërkombëtare të Kooperativave këtë vit është 'Kooperativat, fuqia për një të ardhme të qëndrueshme' dhe do të kremtohet në 2 korrik, 2016. Në vitin 1992, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në rezolutën 47/90 të 16 Dhjetorit 1992, shpalli Ditën Ndërkombëtare të Kooperativave e cila kremtohet çdo vit, të shtunën e parë të korrikut.

Qëllimi i kësaj Ditë Ndërkombëtare është: Të rrisë ndërgjegjësimin mbi kooperativat

Të theksojë ndërthurjen e objektivave të përbashkëta të Kombeve të Bashkuara dhe Lëvizjes Ndërkombëtare të Kooperativës

Të nënvizojë kontributin e kësaj lëvizjeje në zgjidhjen e problemeve kryesore të adresuara nga Kombet e Bashkuara

Të forcojë dhe të rrisë partneritetin mes lëvizjes ndërkombëtare të kooperativës dhe aktorëve të tjerë, përfshirë qeveritë e nivelit local, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Lëvizja kooperative përfaqëson një ndërthurje unike me një shtrirje globale, bazuar në kërkesat dhe nevojat e biznesit. Ajo luan një rol të rëndësishëm në reduktimin e varfërisë duke zgjeruar konceptin e pronësisë dhe duke i dhënë të gjithëve të drejtën për të pasur zë, si në organizatën e tyre ashtu edhe në të gjithë shoqërinë.

Kooperativat në Shqipëri

Në Shqipëri termi kooperativë shpesh lidhet me regjimin komunist kur fermerët detyroheshin të punonin në mënyrë të kolektivizuar. Së fundmi, gjatë 2012-tës Parlamenti Shqiptar miratoi Ligjin për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor”, i cili ka nevojë për një sërë amendamentesh në mënyrë që të zbatohet me efikasitet. Fermerët shpesh hasin vështirësi, siç janë probleme teknike përsa i takon regjistrimit të shoqërisë, ndarjes së fitimit mes fermerëve apo marrëdhënies më të tretët./AgroWeb.org