Gratë kryejnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të rëndësishme si në fermat bujqësore ashtu edhe blegtorale

Në Shqipëri është tashmë fakt. Gratë gjithnjë e më shumë po drejtojnë bizneset, duke marrë rolin si një faktor pozitiv për zhvillimin ekonomik.

Bizneset e vogla përbëjnë rreth 70% të PBB-së së vendit dhe më shumë se gjysmën e vendeve të punës me tekstilet si sektori më i rëndësishëm, ku punojnë dhe drejtojnë pjesa më e madhe e grave shqiptare.

Po ashtu, në Shqipëri gratë janë më të angazhuara se burrat në aktivitetet e fermës.

Por shpesh gratë nuk kanë qasje në financim dhe përballen me shumë sfida. Nëse kërkon të hapësh një sipërmarrje të re ose të rritësh biznesin ekzistues, të gjesh financimin e duhur është sfida më e madhe, pas kapërcimit të klisheve maskiliste.

Projekte të ndryshme, siç janë ato të USAID/Albania AgroKapital dhe aktualisht SmartCapital kanë pasur gjithmonë në fokus qasjen në financime të agrobizneseve, ku një përqindje e konsiderueshme e përfituesve kanë qenë gra.

Ja çfarë thotë për AgroWeb.org Silvana Pinari, Kryetare e Shoqatës së Vajit të Ullirit AOA.

‘Në vitin 2005, kur fabrika jonë e vajit u hap dhe nisi të grumbullojë ullinj nga fermerët e zonës në Marikaj, a e di cilët hynin e dilnin në fabrikë? Duke zgjedhur t’i përgjigjet pyetjes së AgroWeb me pyetje, Silvana jep edhe përgjigjen po vetë; ‘Hynin e dilnin vetëm burra!’

E shokuar nga kjo situatë, Silvana, asokohe ende jo kryetare e AOA, por bashkëshorte e pronarit të fabrikës Ilirian Subashi ishte e vendosur që do të punonte edhe pse ambient burrash.

Pak nga pak nisi të përfshihej vetë e para, që nga grumbullimi e deri te magazinimi i produktit. Prezenca e një femre bëri që fermerët e zonës të merrnin edhe bashkëshortet me vete. Vetëm se ato thjesht vinin si shoqëruese e jo për të punuar.

Normal, e dinte shumë mirë që hapat do të ishin të vegjël, por domethënës.

Silvana beson sinqerisht se ka një rol, të cilin duhet ta luajë fort. Sa herë të jetë e mundur. Pa klishe, pa ‘duhet barazi gjinore’, pa ‘gruaja gjysma e popullsisë’ pa ‘të drejtat e njeriut fillojnë nga të drejtat e gruas’.

Ajo ka një rol. Është femër në biznes. Ia ka dalë.

Gratë fermere rrisin cilësinë e prodhimit

Të dhënat tregojnë se gratë janë më të angazhuara në bujqësi; 32% në krahasim me 22% të burrave dhe kryejnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të rëndësishme.

Sipas një studimi të fundit, gratë prodhuese duket se mendojnë dhe ndjehen njësoj me gratë konsumatore. Burrat prodhues më së shumti diskutojnë mbi kostot, rritjen e të ardhurave, teknologjinë, përfitimet financiare. Gratë preferojnë të flasin për prodhimin, për cilësinë e tij, për kafshët, eksperiencën e tyre. Pra më shumë koncepte cilësie sesa sasie parash.

Nëse pyet gratë fermere si i trajtojnë kafshët në ferma, si i trajtojnë produktet në ferma, e më pas t’ua bësh të njëjtat pyetje burrave fermerë, do të kemi përgjigje krejt të ndryshme.

Është e sigurt se kafshët do të jetonin më mirë, ushqimi do të ishte më i mirë, produktet do të ishin më të sigurta me më shumë gra të kujdesshme në bujqësi./AgroWeb.org