Mes Ngjyrave të Orizit – Sa më i errët, aq më i mirë

981 0

Orizi është një nga ushqimet më të lashta në botë që vazhdon të konsumohet fort edhe sot.

Ai vjen nga familja e bimës Oryza Sativa që përmban mbi 40.000 lloje të ndryshme të kultivuara të kësaj kokrre të shijshme.

Çdo farë e bimës së orizit prodhon të paktën 3.000 kokrra duke u kthyer kështu në një nga drithërat me prodhimtarinë më të lartë!

Në shumicën e rasteve orizi kategorizohet si kokërr shkurtër, kokërr mesëm dhe kokërr gjatë. Ky i fundit është më i lehtë dhe kur gatuhet është mjaft i shkrifët.

Por siç e thamë ka me mijëra lloje orizi, e megjithatë ne mund të përmendim disa prej më të konsumuarit në botë.

Arborio: Oriz me kokërr të rrumbullakët që zakonisht përdoret nga Italianët për të bërë risotto.

Basmati: Një oriz aromatik me një aromë arre, shije delikate dhe i lehtë.

Orizi i ëmbël: Kjo kokërr është thuajse transparente kur gatuhet. Ai përdoret për të gatuar sushi apo gatime orientale.

Jasmine: Oriz kokërrgjatë aromatik që mund ta gjeni në ngjyrë kafe dhe të bardhë

Orizi i Kuq nga Bhutani: Ky oriz rritet në Himalaje dhe ka shijen e tokës dhe të arrave.

Orizi i Ndaluar: Oriz me ngjyrë të zezë që kur gatuhet merr ngjyrë vjollcë. Ka shije të ëmbël është pak i qullët në gatim.

Orizi i kafenjtë është më i shëndetshëm se orizi i bardhë. Procesi i prodhimit të këtij orizit, pra heqja e cipës së jashtme, lëvores dhe thelbit është mjaft i shëndetshëm në aspektin ushqimor.

Por bluarja e plotë dhe lëmimi i kokrrës duke e kthyer atë nga ngjyrë kafe në të bardhë shkatërron plot 67% të vitaminës B3, 80% të vitaminës B1, 90% të vitaminës B6, gjysmën e sasisë së magnesit, fosforit, 60% të hekurit dhe të gjithë fibrat dhe acidet yndyrore.

Pas lustrimit, orizi i bardhë pasurohet me vitamina B1, B3 dhe hekur, por në vlera më të reduktuara se sa vlerat origjinale të orizit të errët.

Orizi i kafenjtë është një prej ushqimeve më të shëndetshme në botë, por jo i bardhi! Ndryshimi mes orizit të kafenjtë dhe atij të bardhë nuk qëndron vetëm tek ngjyra.

Drithi i orizit ka disa shtresa. Për prodhimin e orizit të kafenjtë, nevojitet vetëm heqja e shtresës së jashtme, e njohur si byk.

Ky proces është më pak i dëmshëm në aspektin e vlerave shëndetësore. Nëse vazhdohet me heqjen e shtresave të kokrrës së orizit, atëherë kokrra ka humbur shumë prej vlerave të tij.

Lustrimi më pas është procesi i fundit, rezultati i të cilit është ajo kokrra e bardhë që ne jemi mësuar të shohim. Lustrimi është heqja e fundit e kokrrës, e njohur si aleuron.

Kjo shtresë është e pasur me yndyrna të shëndetshme, por në momentin që ato bien në kontakt me ajrin, oksidohen tërësisht.

Ndaj aleuroni hiqet për të shtuar jetëgjatësinë e kokrrës se përpunuar që ka shumë pak vlera ushqimore.

Orizi i kafenjtë është një burim i jashtëzakonshëm i manganit, seleniumit, fosforit, magnesit dhe vitaminës B3.

Por siç e thamë edhe më lart, heqja e shtresave të kokrrës e zhvesh atë nga 67% të vitaminës B3, 80% të vitaminës B1, 90% të vitaminës B6, gjysmën e sasisë së magnesit, fosforit, 60% të hekurit dhe të gjithë fibrat dhe acidet yndyrore.

Ndonëse këto vlera shtohen manualisht tek orizi i përpunuar, përfitimet në shëndetin e njeriut nuk janë të njëjta si në rastin e kokrrës natyrale, sepse 11 përbërësit e shkatërruar organikë nuk mund të zëvëndësohen me vlera artificiale.

Çfarë ndryshimi mund të sjellë orizi i kafenjtë në shëndetin tuaj?

Femrat dhe të gjithë ata që konsumojnë më shumë oriz të kafenjtë në mënyrë të vazhdueshme peshojnë më pak se ata që hanë më pak nga këto ushqime të pasura me fibra. Për më tepër njërzit që konsumojnë më shumë fibra nga drithërat kanë 49% më pak shanse të shtojnë në peshë se sa ata që konsumojnë drithëra të përpunuar.

Njerëzit që janë të shqetësuar për problemet e zorrës së trashë duhet të konsumojnë më shumë oriz të kafenjtë, sepse ky i fundit përbën një burim të përqendruar të fibrave që janë të nevojshme për të zvogëluar kohën që i duhet substancave që shkaktojnë kancerin të qëndrojnë në kontakt me qelizat e zorrës së trashë.

Vaji që gjendet në drithin e orizit të kafenjtë ndihmon në uljen e kolesterolit. Një porcion orizi kaf të paktën gjashtë herë në javë, është një ide shumë e mirë, sidomos për gratë pas menopauzës që vuajnë nga kolesteroli i lartë, tensioni i lartë dhe sëmundjet kardiovaskulare./AgroWeb.org/