Gripi i Shpendëve, Veza Kthehet Mall “luksi” – Sa Muaj Zgjat Zëvendësimi?

503 0
Bizneset e mbarështimit të shpendëve po përballen me goditje të shumëfishta këtë vit. Fillimisht, rritja e kostove të lëndëve të para, ushqimit dhe energjisë elektrike dhe, së fundmi, shfarosja e 8% të pulave të gjalla në vend nga gripi, po vënë në dilemë ekzistencën e disa pularive. Operatorët lajmërojnë se rikuperimi i dëmeve nga gripi kërkon të paktën pesë muaj kohë. Deri më tani, humbjet nga ngordhja e pulave llogariten në 3,5 milionë euro, ndërsa çmimi i vezës në tregjet me pakicë është rritur në një vit me 65%. Paniku nga gripi po krijon humbje edhe për pularitë e painfektuara, ndërkohë që shkenca nuk njeh raste të transmetimit të gripit te njerëzit

Blerina Hoxha 

Sektori i mbarështimit të shpendëve, më i konsoliduari në bujqësinë shqiptare, i vetmi që plotësonte nevojat e konsumit me mish pule dhe vezë, po përjeton krizë të fortë, që nisi me rritjen e çmimeve të lëndëve të para vitin e kaluar dhe tani me gripin “H5N8” që ka prekur tre pularitë më të mëdha në vend, fillimisht në zonën e Durrësit.

Përhapja e gripit në qarqet e Durrësit, Dibrës Fierit, Divjakës dhe Devollit po sjell efekte negative zinxhir për pularitë në të gjithë vendin, pasi paniku që ka përfshirë qytetarët, ka ulur konsumin mishit dhe vezëve, duke shkaktuar humbje të mëdha për të gjithë sektorin.

Deri më datë 24 mars, Ministria e Bujqësisë raportoi se për shkak të gripit kishin ngordhur mbi 380 mijë shpendë. Deri më këtë datë ka humbur gati 8% e shpendëve të gjallë.

Sipas INSTAT, në vitin 2020, numëroheshin rreth 5 milionë pula në të gjithë vendin, pjesa dërmuese e tyre në 63 stabilimente të organizuara dhe të specializuara për rritjen e shpendëve.

Duke iu referuar vlerës së tregut që aktualisht ka një pulë – mbi 3 euro, vlera e pulave në të gjithë vendin i kalon të 15 milionë eurot, pa llogaritur vezët. Humbjet në pularitë e prekura rezultojnë rreth 3.5 milionë euro.

Zëvendësimi kërkon të paktën 5 muaj kohë

Zëvendësimi i pulave të ngordhura nga gripi kërkon kohë dhe likuiditet të shpejtë. Sipas Luan Fagut, nga “Veza e Mëngjesit”, për të rritur një pulë për vezë duhen së paku pesë muaj.

Rritja e zogjve kërkon 21 ditë dhe rritja e pulës deri në prodhimin e vezës kërkon edhe katër muaj të tjerë, tha ai. Mirëpo, në këto momente, tregu paraqet vështirësi, pasi nuk ka zogj për prodhim veze, të gatshëm në treg dhe çmimet për një të tillë aktualisht arrijnë edhe deri në 10 euro.

Sami Gjergji, ekspert i fushës, thotë se, zogjtë për vezë nuk prodhohen në Shqipëri, ndryshe nga ata për mish. Janë vezë specifike që vijnë nga tufat prindërore dhe zakonisht pularitë i porositin jashtë.

Aktualisht tregu europian ka problematika dhe çmimi një i zogu për vezë po arrin edhe 10 euro, dhe blerjet bëhen me porosi, pasi në tregje nuk ka zogj të gatshëm.

Që nga porosia e deri në marrjen e vezës së parë duhen së paku pesë muaj, thonë operatorët e tregut, të cilët lajmëruan se gjatë këtij viti, tregu do të përballet me vështirësi. Aktualisht nevojat e konsumit në vend po përballohen nga pularitë e shëndetshme dhe nga importi.

Sektori i shpendarisë është më i konsoliduari në bujqësinë shqiptare. Ndryshe nga degët e tjera të bujqësisë, pularitë plotësojnë nevojat e tregut të brendshëm për vezë dhe mish ule dhe madje janë potencial për eksport.

Sipas të dhënave nga databaza e tregtisë së Kombeve të Bashkuara, eksportet shqiptare të vezëve në vitin 2020 ishin 523 mijë euro, nga 347 mijë euro në vitin 2019. Tregu kryesor i eksportit për vezët është Kosova.

Burimi: Revista Monitor