Perimet Me Antibiotikë Marrin Logo Evropiane

327 0

Organizmat ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje prodhuesve të antibiotikëve të bëjnë publike të dhënat mbi furnizimet me antibiotikë që bëjnë në botë dhe kanë kërkuar që këto kompani të vëzhgohen rreptësisht si çdo industri tjetër që ndot ambientin.

Së fundmi, bota është mbërthyer nga kriza e rezistencës së lartë ndaj antibiotikëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë vëren me shqetësim se rezistenca ndaj antibiotikëve përbën një rrezik serioz për shëndetin global, duke prekur çdo njeri pavarësisht moshës dhe kombësisë.

Azia është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i antibiotikëve. Organizmat ndërkombëtarë i kanë kërkuar vendeve aziatike të administrojnë këtë industri më mirë pasi rezistenca ndaj antibiotikëve është në rritje për tre arsye. Përdorimi i gabuar nga ana e njeriut, keqpërdorimi i antibiotikëve në bujqësi dhe ndotja e antibiotikëve në fazën e prodhimit.

Situata përkeqësohet më tej duke marrë në konsideratë faktin që shumë prodhime bujqësore nga Azia, veçanërisht Kina po futen në tregjet e Bashkimit Evropian. Në shumë raste, janë pikërisht kompanitë Evropiane të përpunimit të ushqimit që varen tërësisht nga baza e parë e produkteve për përpunim që prodhohen në Azi dhe më pas shiten në Evropë me markën “Made in EU”.

I tillë është rasti i domates dhe salcës së domates. Kina tani është kthyer në vendin që rrit më shumë domate për përpunim në të gjithë botën. Kjo domate përdoret për prodhimin e salcave të makaronave dhe salcave të tjera me bazë domate. Fuqizimi i frikshëm i industrisë së domates në Kinë, e cila nuk ka ekzistuar pasi kinezët nuk e honepsin domaten, ka shkaktuar shumë pështjellim në vendet e Bashkimit Evropian.

Italia, vendi ynë fqinjë nga ne marrim shumë prej produkteve më të preferuara, është një nga vendet që po vuan pasojat e importeve n&eumeuml; rritje të domateve nga Azia. Prodhuesit vendas tani e kanë të pamundur të ruajnë cilësinë e produkteve autentike dhe janë të alarmuar se ndërhyrja e importeve do të çojë në zhdukjen e domates së kultivuar në Itali.

Italia është blerësi më i madh i domates kineze, asaj që përdoret për prodhimin e salcave. Domatja kineze përpunohet atje sikur të jetë produkt autentik Italian dhe eksportohet në shumë vende të tjera përfshirë Shqipërinë, nën markën Made in Italy.
Bashkimi Evropian është importuesi më i madh i domates. Një vit më parë, shtypi Italian raportoi se blloku 28 anëtarësh, importoi rreth 100 milion kilogramë koncentrat domatesh nga Kina. Kjo tepricë në salcën e domateve bëri që çmimi për ton i saj të bjerë nga 72 Euro në 35.

Zyrtarët italianë janë të shqetësuar pasi prodhuesit aziatikë të domates për përpunim përdorin pesticide dhe antibiotikë pa kriter dhe e shesin këtë produkt mjaft lirë duke dëmtuar ndjeshëm reputacionin dhe cilësinë e salcës italiane të domateve.

E megjithë këtë shqetësim, janë pikërisht kompanitë Italiane që kanë hapur fabrika përpunimi të domates në Kinë, duke e prodhuar koncentratin e domates që më pas përpunohet në salcë, e cila ripaketohet dhe merr markën “Made in Italy” dhe që më pas niset për eksport. 

Kinezët nga ana tjetër përpiqen vazhdimisht të tregëtojnë të parët salcën e domates së tyre pa patur nevojë për ndërmjetësit italianë për ta shitur produktin e tyre në Evropë. Mediat Italiane kanë raportuar me qindar raste kur autoritetet doganore të vendit fqinjë kanë sekuestruar disa ton të koncentratit të domates me origjinë nga Kina, e cila ishte e mbushur me krimba dhe myk.

Vetë konsumatorët italianë shqetësohen fort se salcat e famshme të domates “Made in Italy” vijnë në të vërtetë nga Kina, ku kontrollet e higjienës, pesticideve dhe ndotjes me metale të rënda janë gjithnjë të mangët dhe përbëjnë arsye për shqetësim. Shtypi dhe konsumatorët bashkë kanë pranuar se Italia është e pushtuar nga domatet Kineze./AgroWeb.org

Nëse do të dish se si ta përgatisësh salcën e domateve vetë, kliko këtu