Vetëm 7% e fermave në Shqipëri drejtohen nga gratë

848 0

Bujqësia në Shqipëri dominohet nga burrat. Në fakt në fermat familjare janë gratë që luajnë rol të rëndësishëm, duke kryer pjesën më të madhe të punës në fshat. Një raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara (UN Women) në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale për Zbatimin e Platformës për veprim Pekin+20 thekson se referuar të dhënave në fushën e bujqësisë, rreth 93% e fermave bujqësore drejtohen nga burrat dhe 7 % e tyre drejtohen nga gratë.

Ky raport nënvizon se; Ekzistenca e një shkalle të lartë papunësie, kryerja e shumë punëve në bujqësi, mungesa e mundësive kualifikuese, por dhe niveli arsimor i ulët, i bën gratë fshatare shumë më të prekshme nga papunësia dhe varfëria. Për më tepër, emigracioni i burrave jashtë shtetit, apo aktiviteti tregtar i burrave, i le gratë të përballojnë vetë pjesën më të madhe të punëve bujqësore. Kontributi i gruas në ekonominë e familjes bujqësore është i rëndësishëm, por as ky fakt nuk e favorizon atë për të pasur një vend kryesor në drejtimin e saj. Ligjërisht gruaja fshatare është anëtare e familjes bujqësore dhe ka të drejtën e bashkëpronësisë me anëtarë të tjerë të familjes, por rrallë herë ajo ka rolin e kryetares së familjes. Gruaja përgjithësisht, mban rolin e kryefamiljarit vetëm në rastet kur është e ve, kur ka zgjidhur martesën, ose kur burri është larguar në emigracion afatgjatë.

Gratë dhe Pronësia mbi Tokën

Pronësia mbi tokën vijon të mbetet pas në Shqipëri ashtu si për gratë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Bazuar në të dhënat e FAO dhe Bankës Botërore në shumë rajone të Ballkanit Perëndimor , burrat nuk i regjistrojnë bashkërisht emrat e bashkëshorteve në aktet e pronësisë. Kjo mund të bëjë që gruaja t’i humbasë të drejtat mbi tokën bujqësore në të cilën punon, pas vdekjes së bashkëshortit. Zakonet dhe traditat e vjetra shpesh veprojnë edhe kundër interesave të një brezi të ri vajzash, duke qenë se etërit favorizojnë djemtë dhe jo vajzat në rastin e trashëgimit të pronës.

Gratë në Bujqësi dhe Financimi

Në kriteret e vlerësimit të skemave të subvencioneve është konsideruar edhe përfshirja e mbështetjes me prioritet, të aplikimeve në rastet kur ferma bujqësore menaxhohet nga një grua. Në kriteret e vlerësimit të aplikimeve për financim, është parashikuar që nëse ferma bujqësore është pronë dhe menaxhohet nga një grua, ajo vlerësohet me 20 pikë më shumë. Në legjislacionin aktual në Ligjin “Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor”(SHBB) po punohet që në kriteret e vlerësimit të skemave të subvencioneve për këto shoqëri, ato që do të drejtohen nga gratë, do të vlerësohen me një sasi pikësh më shumë. Përfshirja e një numri të madh të grave në proçesin e kooperativizmit konsiderohet si primar, pasi dihet roli i tyre (edhe pse jo i dukshëm), si në vendim-marrje, ashtu dhe vetë brenda familjeve fermere. Raporti i UN Women bën të ditur se po punohet mjaft për evidentimin e shoqatave që drejtohen nga gratë në zonat rurale si dhe për promovimin e aktivitetit të tyre. Nga analiza e shtrirjes së shërbimeve bujqësore nga këndvështrimi gjinor, rezulton se: Strategjitë bujqësore tradicionalisht kanë favorizuar fermerët meshkuj pasi rolet e grave, ngarkesa e tyre e përditshme, kufizimet në lëvizjen e tyre dhe nevoja për kujdesin ndaj fëmijëve ndërsa ndjekin trajnime, nuk janë marrë parasysh. Me qëllim që të mbështetet efektivisht produktiviteti bujqësor dhe të kontribuohet në zhvillimin e qëndrueshëm të zonës rurale, shtrirja e shërbimeve bujqësore duhet të bëhet përmes një proçesi që çon drejt zbatimit të programeve relevante njëlloj si për gratë dhe burrat fermerë në vend. Të dhënat statistikore mbi numrin dhe përqindja e grave drejtuese fermash na japin këtë tablo:

a) në vitin 2009 gjithsej 19218 ose 6% e totalit;
b) në vitin 2010 gjithsej 24421 ose 7% e totalit,
c) në vitin 2011 gjithsej 22864 ose 6% e totalit,
d) në vitin 2012 gjithsej 21527 ose 6% e totalit.

Strategjia e zhvillimit të biznesit dhe investimeve për 2014-2020 pritet t’I kushtojë një focus të veccantë fuqizimin të gruas sipërrmarëse. Synimi është që në vitin 2020 gratë të zënë 35 % të sipërmarrjeve, ndërsa niveli i kredive të marra prej tyre të arrijë 20%.