Frutat Më të Shijshme të Momentit në Tregun Shqiptar

553 0

Zakonisht kur mendojmë për verën, mendja na shkon menjëherë tek ngjyrat, jo vetëm për në garderobë, por edhe tek ngjyrat që servirim në pjatë. Ja cilat janë 5 frutat më të shijshme që duhet të mbushin shportën tuaj në këta muaj dhe disa këshilla për mirëmbajtjen dhe zgjedhjen e tyre.

Fiq

Fiqtë konsiderohen si ndër frutat më ndjellëse, me një shije shpërthyese mes të ëmblës dhe të athtës. Nuk gjenden ende me sasi të mëdha në treg, por kjo duket se i bën akoma dhe më të veçantë dhe magjikë. Kryesisht ato vijnë nga zona e Beratit, e cila shquhet për prodhimin e fiqve, por dhe Himara e Saranda, dhe plot zona të tjera të vendit kanë një prodhim të mirë të fiqve.

Si t’i zgjidhni

Fiqtë janë shumë delikatë, edhe për faktin se pasi arrijnë pikun e pjekjes zgjedhja e tyre bëhet pak më e vështirë. Idealet janë ato të buta, por jo të qullta. Nëse janë dhe pak të çara në lëkurë nuk përbëjnë asnjë problem. Ata që i pëlqejnë shumë fiqtë, duhet të bëjnë kujdes që të mos jenë të tharë dhe të mos mbajnë erë fermentimi.

Si t’i ruani

Janë aq delikatë sa medoemos duhet t’i vendosni në frigorifer, pasi ato do të fillojnë të prishen vetëm disa orë pasi janë këputur nga pema.

Këshilla shtesë

Fiqtë jeshilë janë ideal për t’i tharë dhe për t’i konsumuar më pas gjatë vitit. Ndërkohë që fiqtë e zonës së Adriatikut, janë fiqtë më të mirë që mund të keni provuar ndonjëherë.

Miks mjedrash dhe manaferrash

Fermerët shqiptarë kanë nisur të kultivojnë gjithnjë e më shumë mjedra ndërkohë që manaferrat vazhdojmë t’i kemi dhuratë nga natura, pa i kultivuar në fushë apo në sera.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni mjedra dhe manaferra me ngjyra të forta, pasi ato janë dhe më të mirat. Gjithashtu këshillohet të shihni dhe shportën ku janë vendosur nëse kullojnë, tregues se disa nga manaferrat janë prishur.

Si t’i ruani

Manaferrat janë shumë delikate dhe duhen ruajtur në frigorifer të mbyllura në qese plastike në mënyrë hermetike.

Këshilla shtesë

Shpëlajini manaferrat në ujë rrjedhshëm para se t’i servirni.

Pjepri

Nëse ka një frut, që përfaqëson më së miri ëmbëlsinë e verës, ai është një pjepër dhe shalqi i mirë. Shija është e ndryshme, por ndjesia e freskisë dhe ëmbëlsisë që na japin e bën frutin mbret të verës. Zona që ka prurjet më të të mëdha të pjeprit dhe shalqinit është Ultësira Perëndimore e Shqipërisë.

Si t’i zgjidhni

Tek pjepri treguesi më i mirë është ngjyra; ato duhet të kenë një aromë shumë të mirë. Gjithashtu pjesa e poshtme e frutit duhet të jetë në ngjyrë të artë dhe jo jeshile.

Si t’i ruani

Pjepri është jetëgjatë edhe pasi është vjelur, me kusht që të ruhet në temperaturën e ambjentit. Nëse iu pëlqejnë të ftohtë, mbajini në frigorifer gjatë natës, por nëse i mbani më gjatë do të fillojnë të zbuten dhe kalben.

Këshilla shtesë

Pjepri është shumë i ëmbël, ndaj dhe mund ta kombinoni me përbërës të tjerë më të kripur për të balancuar shijen si me proshutë ose djathë.

Pjeshkët dhe nektarinat


Pjeshkat dhe nektarinat janë mbretëreshat e sezonit të verës. Ndryshimi i vetëm është se pjeshkat janë më të forta dhe me push dhe nektarinat janë me lëkurë më të lëmuar.

Më të apasionuarit e këtyre frutave mund të argumentojnë se shija e pjeshkës është shumë më e fortë, ndërsa ajo e nektarinave, kajsive ka nuanca të shijes së limonit. Vendin e parë në vend për prodhimin e pjeshkave dhe kajsive e mban qyteti i Elbasanit.

Si t’i zgjidhni

Mënyra më e mirë për të zgjedhur pjeshkat dhe kajsitë më të mirë qëndron tek ngjyra e tyre. Sa më portokalli të jenë, aq më të ëmbla dhe të mira janë. Por mbi të gjitha asaj që duhet t’i besosh më shumë është nuhatja. Pjeshkat dhe nektarinat më të mira kanë një aromë të parezistueshme.

Si t’i ruani

Pjeshkat dhe kajsitë ideale vazhdojnë të piqen edhe pasi janë vjelur, kështu që mos u shqetësoni shumë nëse fruit në fillim është pak i fortë. Por mos i fusni në frigorifer para se të jenë zbutur dhe të kenë marrë më shumë aromë.

Këshilla shtesë

Për një gatim më të mirë, duhet t’ia hiqni lëkurën pjeshkave, ndërkohë që me kajsitë nuk është e nevojshme.

Qershitë

Piku i pjekjes së tyre ka arritur me qershitë e Peshkopisë dhe të Korçës. Fundi i muajit shënon dhe ardhjen në treg të vishnjave, që dallohen pë ngjyrën e errët dhe shijen pak më të athët.

Si t’i zgjidhni qershitë?

Shikoni për qershi me lëkurë të lëmuar dhe me shkëlqim. Sa më e errët të jetë ngjyra e kuqe, aq më e mirë është qershia, pasi tregon se ajo është plotësisht e pjekur. Gjithashtu kontrolloni dhe bishtat; ato duhet të jenë jeshile dhe me fleksibilitet, ndërkohë që në momentin që ruhen, marrin një ngjyrë si vishnje në të kafenjtë.

Si t’i ruajmë qershitë?

Futini në frigorifer në një qese plastike të izoluar mirë. Ato mund të rrojnë deri në disa javë në këtë mënyrë, ose të paktën në teori, pasi ka shumë gjasa që t’i keni ngrënë deri në atë kohë./AgroWeb.org