Shtatë zjarre djegin 80 hektarë pyje

690 0

Përditësim: 22 Korrik 2015 – Situata e zjarreve në territorin shqiptar po vihet edhe më tepër në vështirësi nga temperaturat afrikane në Ballkan. Në një takim ndërinstitucional, Zëvendës Kryeministri Niko Peleshi u shpreh se nevojitet një bashkëpunim rajonal për shmangien e pasojave serioze të sjella nga temperatura të tilla që janë në kufijtë e fatkeqësisë natyrore. Në fund të vitit të shkuar dhe në fillim të këtij viti, i gjithë rajoni u prek nga përmbytje të përmasave shumë të mëdha, ndërsa tani përballemi me një situatë të kundërt por përsëri sfiduese për vendet tona’ theksoi Zëvendës Kryeministri Niko Peleshi. Ai gjithashtu nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një rajon i cili është edhe një hotspot i veprimtarive sizmike që risillen në vëmendje në kushte të tilla atmosferike të rënduara. Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri deklaroi shifrat e betejës së djeshme me zjarret në territorin e vendit. “Dje në datën 21 Korrik 2015, kemi pasur 7 vatra aktive zjarri të cilat kanë shkrumbuar rreth 80 hektarë pyje dhe kullota. Parë nga larg mund të duket si një situatë e menaxhueshme, por për komunitetet e zonave të përfshira dhe për pushtetin vendor atje, situata është vertet shumë serioze’. Mbrojtja civile ka qenë krejtësisht e angazhuar për dominimin e flakëve theksoi ministri Tahiri.

Deklaratat pasuan stërvitjen ndërinstitucionale të mbiquajtur Joint Reaction 2015 për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe njerëzore me pjesëmarrjen e Ambasadorit të SHBA në Tiranë, Z. Donald Lu, përfaqësues nga Garda e New Jersey, si edhe autoritetet e Mbrojtjes Civile të të gjitha vendeve të Ballkanit dhe vendeve të tjera të rajonit.

21 Korrik 2015 – 40-41-42 gradë Celsius. Një shprehje popullore e shpreh më së miri gjendjen së fundmi në Shqipëri, si pasojë e temperaturave tejet të larta, “të piqesh në diell.” Por ndodh që edhe mund të digjesh nën diell. Sidomos atëherë kur nuk tregohet kujdes. Pakujdesia është kthyer në një prej shkaktarëve kryesore të më shumë se 10 vatrave zjarri të cilat kanë sjellë djegien e 10 hektarë pyjeve dhe 26 hektarëve kullota. Ministria e Mjedisit konstaton se rastet e zjarrit në fondin pyjor dhe kullotave janë shfaqur në Balldren dhe Kakarriq të qarkut Lezhë, në Gjoricë, Mat dhe Bulqizë të qarkut Dibër si dhe në rrethin e Fierit.Sot flakët pushtuan edhe pyjet në Shkodrën e Sipërme dhe rrethinat e Krujës.

“Është konstatuar se këto zjarre sipërfaqësore kanë qenë të qëllimshme dhe po hetohet nga organet kompetente për zbulimin e autorëve. Për të gjitha rastet e mësipërme theksoj se strukturat përkatëse për menaxhimin e zjarreve kanë bërë të mundur minimizimin e dëmeve dhe neutralizimin e të gjitha vatrave të shfaqura,” tha në një dalje mediatike Ministri i Mjedisit Z. Lefter Koka.

Masat për parandalimin e zjarreve në pyje

INSTAT raporton 678 raste zjarresh në pyje dhe kullota, dhe rreth 5,570 hektarë siperfaqe të djegura për periudhën 2012-2013, në Shqipëri. Shpenzimet për fikjen e zjarreve në këto dy vite shënojnë mbi 48 mijë Euro.

Këtë verë, Ministria e Mjedisit ka planifikuar masat e nevojshme për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në nivel qendror, rajonal dhe lokal. Duke marrë në konsideratë situatën e krijuar gjatë viteve të mëparshme, problemet shqetësuese të shkaktuara prej zjarreve por edhe bashkëpunimin e frytshëm të një viti më parë, është hartuar një plan pune i përbashkët operacional me Ministrinë e Punëve të Brendshme ku është përfshirë edhe Shtabi i Emergjencave Civile, duke vënë në funksion shtabet rajonale dhe lokale ku janë të përfshirë përfaqësues të pushtetit vendor dhe strukturat e varësisë së ministrive përkatëse në këtë komision.

Ministria e Mjedisit deklaron se është aktivizuar sistemi i vrojtim – sinjalizimit bazuar në një skemë të re menaxhimi. Në këtë sistem janë përfshirë rreth 110 vrojtues, sinjalizues dhe roje mjedisore nga Drejtoritë e Shërbimit Pyjor, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve si dhe 130 punonjës të punësuar me kontrata të përkohshme.

Territoret më të ekspozuara nga zjarri në pyje

Qendra Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore bën publik territoret më të ekspozuara ndaj rrezikut nga zjarri në pyje. Sipas këtij buletini të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit Situata më alarmante parashikohet të jetë nesër kur më shumë se gjysma e territorit të Shqipërisë është e ekspozuar nga zjarret.

Përmes një harte përcaktohen si zona më të rrezikshme pjesa kufitare e rretheve Shkodër-Pukë-Lezhë-Mirditë, zona kufitare e rretheve Tiranë-Kavajë-Peqin, rrethi i Mallakastrës dhe rrethet në kufi me të si dhe Gadishulli i Karaburunit dhe Riviera Pasnesër do të ketë një rënie, edhe pse temperaturat do të vijojnë të jenë të larta.

Zonat më të ekspozuara nga zjarri në pyje

Zonat në rrezik. Qarku Vlorë rrit gatishmërinë për parandalimin e zjarreve

Ndërkohë edhe në qarkun e Vlorës temperaturat e larta kanë rritur gatishmërinë e strukturave të mbrojtjes nga zjarri. Drejtoria e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Drejtoria e Kontrollit të Territorit dhe Policia Bashkiake, Posta e Policisë së Rendit Orikum dhe përfaqësues nga komuniteti lokal po punojnë së bashku për të shmangur mundësinë e rënies së zjarreve në zonat pyjore dhe kullosore në këtë qark. Në Portin e Jahteve është pozicionuar një mjet zjarrfikës nga Drejtoria e PMZSH me qëllim ndërhyrjen urgjente në rast të zjarreve në kurorën e pishave të Llogorasë dhe shpateve pyjore mbi plazhet e rivierës jugore.

90 përqind e rasteve – Zjarre të qëllimshme

Sipas Ministrit Koka, të dhënat e shfaqjes së zjarreve gjatë sezonit të verës në vite, tregojnë se mbi 90 për qind e rasteve janë zjarre të qëllimshme ose njerëzore dhe pjesa tjetër janë faktorët natyrorë që kanë ndikuar në rënien e zjarreve. Ministri Koka u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, të sensibilizohen dhe të tregojnë kujdes maksimal në mbrojtjen e mjedisit.
“Theksoj se të gjitha ata që do të tentojnë të vënë zjarre të qëllimshme për të tjetërsuar sipërfaqen pyjore dhe kullosore do të ndiqen penalisht në bazë të ligjeve në fuqi. Çdo sipërfaqe e djegur nuk do të tjetërsohet por do të rehabilitohet dhe do të kthehet në identitet,” tha Ministri Koka.

Për çdo rast të evidentimit të zjarreve qytetarët mund të sinjalizojnë strukturat përkatëse në nivel lokal, dhe të emergjencave civile duke kontaktuar në numrin falas 128.