Fiqtë, sekretet dhe vlerat e tyre befasuese

330 0

Disa ushqime kanë aftësinë për të të bërë menjëherë nostalgjikë. Edhe aroma më e lehtë mjafton që të zgjojë kujtime të njerëzve apo vendeve. Dhe nga të gjithë produktet, fiqtë janë ato që na ngjallin më shumë kujtime veçanërisht nga fëmijëria teksa kacavirreshim nëpër pemë për të kapur fiq. Por, ajo që nuk dinim e ndoshta shumë prej nesh nuk e dinë akoma, është se fiqtë janë një burim shumë i pasur me fibra dhe plot me vitamina e minerale.

Të konsideruara si një nga pemët më të vjetra në botë, fiqtë datojnë që në dokumentet e para historike. Mendohet se origjina e tyre është në Lindjen e Mesme dhe në Mesdhe ku kishin një rëndësi aq të veçantë, sa që grekët nxorrën edhe një ligj që të ndalonte eksportimin e fikut.

Vlerat ushqyese

Fiqtë janë të pasur me sheqerna natyrale, minerale dhe fibra të tretshme. Ato janë të pasur me potasium kalcium, magnesium, hekur si dhe janë një burim i mirë me antioksidantë, me vitamin A, E dhe K që kontribuojnë në shëndet dhe mirëqenie. Rreth 100 gramë fiq të thatë kanë afërsisht rreth 249 kalori, 3.3 g proteina, 0.9 g yndyrna, 68 g karbohidrate dhe 5.6 g fibra. Ndërkohë që 100 gram fiq sezoni kanë afro: 80 kalori, 1.3g proteina, 0.3g yndyrna, 20.3g karbohidrate dhe 2.2g fibra.

Fiqtë shpesh rekomandohen për të ushqyer dhe tonifikuar stomakun, pasi vepron si një laksativ natyral për shkak të nivelit të lartë të fibrave që përmban. Shumica prej nesh konsumojnë shumë sodium (kripë) që gjendet në ushqimet e përpunuara. Niveli i lartë i sodiumit mund të çojë në zvogëlim të potasit në organizëm dhe kjo mungesë balancimi mes këtyre dy mineraleve mund të çojë në probleme të hipertensionit (presioni i lartë i gjakut).

Një dietë e pasur me fruta dhe zarzavate, duke përfshirë këtu dhe fiqtë e freskët, e rrit në mënyrë natyrale nivelin e potasiumit, duke ndikuar në uljen e presionit të gjakut. Duke qenë se janë të pasur dhe me shumë fibra, fiqtë janë një ushqim shumë i dobishëm për t’u përfshirë në dieta, sidomos për ata që duan të bien në peshë, duke qenë se ushqimet që janë të pasur me fibra të lenë më gjatë ndjesinë e ngopjes. Fiqtë gjithashtu përmbajnë dhe prebiotikë, që ndihmojnë bakterjet e mira që ndodhen në stomak, duke përmirësuar kështu aparatin tretës. Ato janë një frut i pasur edhe me kalcium, që është thelbësor në densitetin e kockës, duke ndihmuar veçanërisht në uljen e rrezikut ndaj osteoporozës.

Si t’i zgjidhni dhe t’i ruani
Sezoni i fiqve të freskët është nga vera deri në vjeshtë, në varësi të varieteteve. Fiqtë janë shumë delikatë dhe këshillohet që të konsumohen brenda një ose dy ditësh, pas blerjes. Kur t’i blini, zgjidhni ata që janë më të mbushur dhe të butë dhe që kanë një ngjyrë të fortë dhe pa çarje. Fiqtë e pjekur mirë, kanë një shije shumë të ëmbël dhe mund të mbahen në frigorifer për dy ditë. Ndërkohë që fiqtë e thatë mund të rezistojnë shumë më gjatë. Ato mund të mbahen në një vend të errët ose në frigorifer. Fiqtë mund t’i hani me lëkurë ose mund t’i qëroni, kjo dhe në varësi të trashësisë së lëkurës dhe të preferencave tuaja sigurisht.

Materialet janë bazuar në publikimin e BBC Good Food