Shqipëria, një ndër konsumueset më të mëdha të mollëve në Evropë

823 0

Mollë jeshile, e verdhë, e kuqe, tamam si një semafor frutash që të vjen t’i kafshosh ndërsa ecën me shpejtësi në një rrugë dy kalimshe. Shpesh ne harrojmë që përgjigjet më të thjeshta janë dhe më të mirat. Dhe mollët janë shenja që Zoti na do dhe na do të shëndetshëm, prandaj dhe e ka tentuar njerëzimin që nga krijimi i kopshtit të Eden, me super frutin që është dhe një ndër më të konsumuarit në botë. Dhe Shqipëria nuk mbetet prapa në këtë aspekt. Mollët janë një komponent shumë i rëndësishëm i të ushqyerit në Shqipëri dhe një nga drurët frutorë më të rëndësishëm si në volum ashtu dhe në vlerë. Sipas të dhënave të projektit “Promali”, në vitin 2011 në Shqipëri janë mbjellë rreth 3.62 milionë rrënjë mollë, të cilat japin një prodhim prej rreth 63,800 ton. Krahasuar këto të dhëna me numrin total të pemëve frutore në Shqipëri që është rreth 11.6 milionë dhe me prodhimin total të frutave prej 210,000 ton, vihet re qartë se molla zë përkatësisht 31.2% të pemëve frutore në rang vendi dhe 30.3% të prodhimit të frutave, çka është tregues i peshës që zë ky frut në prodhimin vendas.

Dy zonat që mbahen për prodhimin më të lartë të mollëve në vend janë Korça dhe Dibra. Dhe pikërisht pjesa më e bukur e vjeshtës në këto zona, të cilat së bashku zënë 70% të prodhimit të mollës në shkallë kombëtare, është të gjezdisesh nëpër pemishtet aty pranë, duke vjelë mollë të frekëta gjithë shije direkt nga pema. “Kjo është pjesa më e bukur e vitit, pasi ne jetojmë me mollën”, thotë gjithë entuziazëm Engjëll Dervishi, një fermër nga Cangonji, Korçë i cili të gjithë tokën e ka të mbjellë me mollë. “Nuk besoj se do të mund të gjesh ndonjë copë tokë të lirë në këto anë, që nuk ka të mbjella mollë”, thotë Dervishi I cili zotëron 3.5 ha pemë molle që prodhojnë afro 100 ton mollë në vit.

Kërkesa për kultivimin e mollëve është rritur shumë me kalimin e viteve. Në vitin 1962 përshembull prodhoheshin vetëm 8.039 ton mollë, një shifër modeste kjo po të krahasohet me ato të vitit 2011. Vlen të theksohet fakti se në vitin 2011, 55,097 ton mollë ose 96% e prodhimit (duke zbritur humbjet nga vjelja) të mollëve janë shitur në tregun vendas ndërkohë që janë eksportuar vetëm 2,323 ton ose 4% e prodhimit. Për sa i përket importit të mollëve, në vitin 2011 Shqipëria ka importuar 13,295 ton mollë. Nga këto të dhëna, vihet re qartë disbalanca midis eksporteve të ulta dhe importeve të larta të mollës në Shqipëri.

Pemëtore mollësh në Tushemisht, Pogradec

Ajo çka është e qartë nga këto shifra është se shqiptarët nuk e kanë neglizhuar mollën as nga aspekti i biznesit e as nga ai konsumit, duke i besuar fort thënies se “një mollë në ditë mban mjekun larg”. Dhe në fakt ne si popull konsumojmë më shumë se një mollë në ditë. Në Shqipëri konsumohet në total 61,553 ton mollë në vit. Ndërkohë, konsumi për frymë është në nivelin e 20.5 kg mollë/frymë në vit, një mesatare kjo më e lartë se konsumi në Europë që është 17.2 kg/frymë. Një fakt tjetër interesant është se prodhimi vendas mbulon 81.6% të nevojave për konsum ndërkohë që importet zënë rreth 19.1% të konsumit të mollës në Shqipëri.

Varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Delicious (Red Chief dhe Starking) që janë të dyja të referuara lokalisht si "Starking”, që përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë, dhe Golden Delicious që përbëjnë 42%. Varietetet e tjera të mollëve përbëjnë 6% të pemëve të tjera frutore. Këtu përfshihen dhe lloje të tjera, që nuk janë të varieteteve tradicionale rritur në rajon, si Gala (e cila është një prodhues i hershëm), Mutsu (një derivat i Golden Delicious), dhe mollë Granny Smith.

Mungesa e infrastrukturës, duke përfshirë dhomat frigoriferike dhe ato të përpunimit e bëjnë këtë super frut të pashfrytëzuar në të gjithë potencialin e tij. Aktualisht janë shumë pak kompani, të cilat prodhojnë lëng molle për konsum, për të cilën tregu ka një etje të madhe si një mënyrë tjetër alternative për të shijuar mollën. Sepse që shqiptarët e duan mollën kjo është e ditur dhe jo vetëm se “një mollë në ditë mban mjekun larg”, por edhe sepse mollët made in Albania, janë të një cilësie të shkëlqyer.