AGROWEB – 360 Gradët e Mjedisit dhe Bujqësisë Shqiptare

425 0

Një histori e suksesshme mund të ndryshojë një jetë. Larg pretendimit se mund të ndryshojmë rrënjësisht jetesën e shqiptarëve, historitë e shkruara në Agroweb synojnë të reflektojnë interesat e gjithsecilit, në atë çka mund të bëjmë më shumë për bujqësinë, mjedisin, fermerët dhe për të gjithë ne si konsumatorë. Misioni i Agroweb; të jetë faqja kryesore e bujqësisë dhe mjedisit në Shqipëri, qendra e informacionit të besueshëm dhe gjithëpërfshirës, po përmbushet suksesshëm, ndërsa sapo kemi kapërcyer një gur të rëndësishëm kilometrik, duke arritur më shumë se 10 mijë miq e ndjekës në Facebook dhe rreth 10 mijë lexues të faqes së Agroweb në muaj.

Të flasësh për bujqësinë dhe mjedisin në mënyrë profesionale, por me një gjuhë lehtësisht të kuptueshme, nuk është krejt e thjeshtë. Por të përkushtuar për të përmbledhur informacion të strukturuar, të besueshëm dhe profesional ne besojmë fort se Agroweb sjell vlerë për lexuesit ndërsa ata zgjedhin të lexojnë artikujt tanë për saktësinë, vërtetësinë dhe analizën e thellë të ekspertizës profesionale. Duke falenderuar gjithsecilin prej lexuesve tanë, duke siguruar për përkushtimin tonë për të sjellë informacion të pasur, të vlefshëm dhe të përditësuar, nuk do të flasim më për vehten, duke u dhënë lexuesve pushtetin për të na gjykuar.

Ishte pothuajse e pritshme. Historitë e suksesit të fermerëve shqiptarë janë më të lexuarat. Artikulli më i pëlqyer i Agroweb në Facebook është “Të provosh Chardonnay nga Mamurrasi” që tregon historinë e vreshtave të Spahi Jahjas në Mamurras, një nga më të mëdhatë në vend. Çdo vit ai arrin të prodhojë 140 ton rrush, nga të cilat 60 ton janë rrush industrial (i cili përdoret për prodhimin e verës) dhe 80 ton për rrush tavoline që përdoret për konsum. Hapi tjetër pas vreshtës për Jahjan ishte pikërisht hapja e kantinës. Në vit kantina e tij arrin të prodhojë 20.000 litra verë.

Agroweb shkon edhe më tej. Historia dhe ekspertiza e Spahi Jahjas shkon nga online në on air, pasi Agroweb së fundmi ka vendosur një marrëdhënie bashkëpunimi me Televizionit Kombëtar Top Channel përmes programit të tyre më të ri televiziv "Në shtëpinë tonë" me të cilin ndan të njëjtin qëllim për promovimin e produkteve bujqësore shqiptare duke nxjerrë në pah vlerat dhe cilësitë e tyre unike.

Spahi Jahja në emisionin 'Në shtëpinë tonë', një bashkëpunim me agroweb

Çdo ditë në Top Channel, ekspertët e agroweb me përvojë dhe ekspertizë të lartë profesionale shpjegojnë me detaje gjithçka lidhur me periudhat e caktuara të mbjelljes, korrjes dhe sezonalitetit të produkteve, mbi mënyrat se si mund të zgjidhen produktet organike, duke dhënë të gjitha informacionet e nevojshme edhe për produktet OMGJ, standardet si edhe çertifikimet BIO.

Shqipëria ka shumë histori suksesi që na bëjnë të ndihemi krenarë e që vlejnë të tregohen. Është pikërisht kjo arsyeja pse artikulli më i shpërndarë në Facebook është “Amerika nën Magjinë e Bimëve Shqiptare”. Shqipëria mbulon 70 % të nevojave të tregut Amerikan për sherebelë. Me rreth 500 hektarë sipërfaqe të kultivuar me bimë mjekësore dhe aromatike, Shqipëria është lider në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore. E nëse natyra i ka falur Shqipërisë bimët e egra, kultivimi i bimëve mjekësore në vendin tonë ka nisur rreth 4 vjet më parë. Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë Euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin e përgjithshëm bujqësor.

Përfshirja dhe diskutimet e lexuesve janë thelbësore për Agroweb. Duke ndarë historitë tona në Facebook interesi ynë parësor kanë qenë opinionet, idetë dhe komentet e lexuesve, përfshirja e tyre në temat tona.

rtikulli më i komentuar deri më tani ka qenë “Ide për Biznes” një artikull mbi vlerat e hides, këtij fruti interesant, për të cilin shumë pak e dinë se është përdorur në mjekësinë tradicionale Kineze prej 4 mijë vjetësh. Artikujt mbi produktet organike, vlerat e tyre ushqyese e shëndetësore, pasi gjithkush është i interesuar mbi cilësinë dhe standardet e të ushqyerit tonë të përditshëm.

Artikuj mbi financimin, mundësitë për të përfituar grante për investime në bujqësi por edhe në lidhje me riciklimin dhe çështjet e mjedisit janë ndër artikujt më të komentuar ndërsa ndërgjegjësimi qytetar mbi këto çështje sa vjen e rritet.

Thënë thjesht, për shumicën e të rinjve, bujqësia nuk shihet si diçka tërheqëse apo si tendencë, por edhe pse mund të duket e habitshme, shumica e lexuesve tanë janë të moshës 18 – 34 vjeç. Kjo na rrit përgjegjësinë për të inkurajuar një mënyrë të re të të menduarit mbi bujqësinë dhe mjedisin, duke informuar, udhëzuar dhe frymëzuar të rinjtë.

Agroweb ka një numër në rritje të lexuesve në Kosovë pasi bashkëpunimi rajonal dhe projektet e përbashkëta në ndërtimin e një tregu të përbashkët janë në fokus të shumë prej artikujve tanë.

Agroweb.org si një platformë informative dinamike mbi bujqësinë dhe mjedisin gjithmonë do të synojë të sjellë në vëmendjen e shoqërisë shqiptare këta sektorë me potencial të lartë zhvillimit për të ecur bashkë në sfidën tonë të re; përsosmëri në artikujt tanë.

* Ju lutemi ndani me ne në faqen tonë në Facebook mendimet, opinionet dhe idetë tuaja se çfarë artikujsh do të donit të lexonit në portalin Agroweb.