Tetova Do Ajër “ Mbrohu ose Helmohu

436 0

“Boll Moo!” “Mbrohu ose Helmohu!”. Është pikërisht kaq alarmante situata e ndotjes në Tetovë të Maqedonisë, qyteti i shpallur së fundmi si më i ndoturi në Botë. Po, ajri në të gjitha qytetet e Maqedonisë fqinje, është ekstremisht i ndotur në bazë të të dhënave të fundit, ndërsa Tetova ka veçanërisht një situatë shqetësuese, ku ndotja llogaritet të jetë 20 herë më e lartë se niveli ligjor.

Tetova kryeson listën e qyteteve më të ndotura në botë me një përqëndrim shumë të lartë të grimcave shumë të rrezikshme PM10 në ajër, shumë herë mbi nivelin e lejueshëm.

“Boll Moo” është thirrja për veprim urgjent e organizatës ‘Eco Guerrilla’ e cila së bashku me organizatën “Nëna dhe Fëmija” që prej vitit 2013 po drejtojnë protesta të pandalshme për këtë kauzë ekstremisht të rëndësishme.

AgroWeb pyeti përfaqësuesit e Eco Guerrilla’s mbi faktorët kryesorë në ndotjen e ajrit teksa ata drejtojnë akuzën tek fabrika Jugohrom: “Shqetësimin e kemi ngritur që nga fundi i vitit 2013 prej kur filluam me aksione e protesta të ndryshme. Shkaktari kryersor i ndotjes është një fabrikë në largësi 10km nga Tetova, fabrika e Jugohromit e cila punon totalisht pa asnjë kriter ekologjik dhe filtra përkatës. Sipas vlerësimeve tona dhe vlerësimeve të Ministrisë së Ambientit kjo fabrikë merr pjesë diku 54 përqind në ndotjen e qytetit. pastaj janë faktorët e tjerë si depozitimi i mbejteve, mungesa e rregullimit të trafikut urban, ngrohja e qytetit me dru, urbanizmi etj. Por fajtori kryesor eshte JUGOHROMI”, thotë për AgroWeb Vesel Qzimi, aktivist i ‘Eco Guerrilla’.

Jugohrom, që tregohet nga banorët si shkatërruesi i ajrit dhe mjedisit, është një kombinat i vjetër që përdor djegien e qymyrit për prodhimin e aliazheve të nikelit dhe nikel-silicit. I trashëguar nga epoka jugosllave, kombinati u privatizua në vitin 2010 nga kompania ruse Camelot Group.

Fabrika e Jugohromit, Tetovë

Por cilat janë kërkesat kryesore të protestës? “Kërkesa jonë është që Jugohromi të mbyllet pasi nuk pranon që të instalojë filtrate ekologjikë. Ministri i Mjedisit i Maqedonisë Nurhan Izairi deklaron se “Kemi kërkuar vazhdimisht aplikimin e filtrave ekologjikë por asgjë nuk ka ndodhur. Të gjitha afatet janë shkelur nga kompania. Vendimin për mbylljen duhet ta marrë Qeveria e Maqedonisë”. Ministri Izairi shprehet se afati është shtyrë dy herë rradhazi nga 6 muaj, por kombinati vazhdon që të punojë pa filtra ekologjike.

“Protestat deri tani kanë qenë të qeta dhe me numër të madh protestuesish, thotë Veseli. Në 17 Dhjetor 2015, ne realizuam një tjetër protestë ku bllokuam të gjitha hyrje-daljet e qytetit. Në protestë dolën mbi 10 mijë qytetarë që bllokuan çdo rrugë të mundshme, pavarësisht paralajmërimeve nga policia se nuk do lejojë të realizohet ky bllokim. Në datën 18 Dhjetor kemi lajmëruar tubimin protestues më masiv. Jemi organizuar në maksimum që kjo protestë të jetë më e madhja që është bërë në qytetin tone dhe siç po shihet nga mllefi në terren pritet masovitet i jashtëzakonshem ”, thotë Veseli.

“Kemi bërë çdo gjë të mundshme, vijon ai, nga paditë penale, takime me eurodeputetë deri tek pothuajse të gjithë ambasadorët më të fuqishëm. Kemi kërkuar ndihmë nga organizata botërore që merren me çështje ekologjike për problemin tonë. Por përkundër krejt këtyre, Tetova vazhdon të mbetet qyteti më i ndotur në Botë”, deklaron aktivisti Qazimi.

“Protesta e së premtes do të jetë tubimi më i madh që është mbajtur ndonjëherë në Tetovë. Nese edhe pas këtij tubimi protestues, pushteti nuk merr masat e kërkuara atëhere ne jemi të detyruar të rebelohemi në maksimum. Mllefi ynë nuk mund të kontrollohet. Nuk mund te qëndrojmë të qetë kur fëmijët tanë janë duke u helmuar ndërsa prinderit na shtrihen spitaleve nga kanceri në mushkëri. Do bllokojmë gjithçka. Nuk do ketë normalitet dhe kjo u tregua edhe të enjten, kur mbi 10 mijë njerëz bllokuan çdo gjë. Shpresojme që pushteti të reflektojë dhe të mos na detyrojë radikalizim të skajshëm”, thotë për AgroWeb, Vesel Qazimi.
Protesta mbështetet fuqimisht edhe nga Elita 5 dhe personazhe të mirënjohur nga Bota e Artit në një nga solidarizimet më të mëdha të ndodhura ndonjëherë mes shqiptarëve të Maqedonisë.

Valë protestash në Tetovë për cilësinë e ajrit. Foto: Eco Guerrilla

Bazuar në vëzhgimet e Sistemit të cilësisë së ajrit në Maqedoni, përqëndrimi i grimcave të rrezikshme PM10 vazhdimisht ka tejkaluar standardet Evropiane.
Të gjithë zonat e Shkupit gjithashtu po mbyten nga ajri i ndotur. Për shkak të përdorimit të drurit për ngrohje gjatë dimrit, cilësia e ajrit në të gjithë Maqedoninë është përkeqësuar gjatë periudhës së dimrit. Ndotja nga makinat dhe industria, ashtu si edhe nga ndërtimet është tejet e madhe. Prodhimi industrial dhe energjitik është përqëndruar në disa vende specifike në Maqedoni. Problematike mbeten sektorë si energjia, matelurgjia, ndërtimi, rafineria e naftës dhe tekstilet.

Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë thotë se spitalet janë të mbipopulluara dhe numri i pacientëve me sëmundje të frymëmarrjes dhe zemrës në këtë periudhë është rritur me 30-40%.
“Spitalet janë të mbipopulluara. Kjo në fakt, nuk duhet të na surprizojë, sepse kemi një problem shumë serioz me ndotjen e ajrit. Kjo ndotje nuk ndikon vetëm në organet e frymëmarrjes dhe sistemit kardiovaskular, por te të gjithë organet me rradhë. Të gjitha organet kërcënohen nga këto grimca toksike”, thotë Gragan Gjorgjev, mjek në Insititutin e Shëndetit Publik.

Një mijë persona vdesin çdo vit në Maqedoni si rezultat i ndotjes së ajrit. Nëse kjo nuk është arsye për të protestuar, çfarë tjetër mund të jetë më e rëndësishme?