Diaspora kërkon Made in Albania

708 0

Në Pelham Parkway dhe Arthur Avenue në Bronx të New York City, dyqanet e vogla me shije unike e mbushin tërë rrugën me nostalgji. Bizneset dhe reklamuesit e këtyre anëve e kanë gjetur çelësin e suksesit duke shitur produkte që risjellin kujtime. Sepse nostalgjia na bën të ndihemi mirë dhe të mjegullohemi duke bërë që ta fusim shpesh dorën në xhep. Kush do të hezitonte të blinte një produkt, të cilin e ka shijuar aq shumë në fëmijëri, duke u përpjekur të rikrijojë çaste lumturie përmes shijes. E pra nostalgjia e ka këtë efekt, veçanërisht nëse je përtej Atlantikut dhe objekti i dëshirës ndodhet me mijëra kilometra larg.

Kjo u ndodh me mijëra shqiptarëve, që çdo ditë përshkojnë rrugët e Pelham Parkway apo të “Italisë së Vogël” në Bronx, ato të Detroit në Michigan, apo ato të Boston duke kërkuar nostalgjinë e produkteve shqiptare. E në fakt kush mund t’u vërë faj, pasi tradita e produkteve shqiptare të ngelet në qiellzë, edhe në formë nostalgjike.

Në Shtetet e Bashkuara jetojnë më shumë se 200.000 shqiptarë, ku gati gjysma e tyre janë emigrantë nga Shqipëria. Por pavarësisht këtij numri relativisht të lartë, tregëtia zyrtare e produkteve shqiptare në Amerikë pothuajse nuk ekziston, siç thuhet dhe në një studim të fundit të publikuar nga Qendra e Zhvillimit Ndërkombëtar në Universitetin Harvard mbi sfidat e zhvillimit të tregtisë nostalgjike tek shqiptarët që jetojnë në Amerikë.

“Ne kemi marrë në studim një kampion popullsie prej rreth 200 shqiptaro-amerikanë dhe disa dyqane që ofrojnë produkte të importuara nga Ballkani në tre zonat metropolitane të SHBA, të cilat kanë dhe popullatën më të madhe me shqiptarë, për të studiuar zakonet e tyre të blerjes. Nga studimi doli se gatishmëria për t’i blerë produket nuk përputhet me furnizimin e mjaftueshëm. Dyqanet, të cilat i ofrojnë këto produkte janë të pakta dhe shpesh të vështira për t’i gjetur dhe ofrojnë pak produkte”, thotë Manuel Orozco, i cili është drejtuesi i studimit.

Sipas të dhënave të gjeneruara nga studimit, komuniteti i shqiptarëve në Amerikë, që përbëhet kryesisht nga gjenerata e parë, por dhe nga gjenerata më e vjetër e shqiptarëve kanë shfaqur interes për shumë nga produktet shqiptare. Pothuajse dy të tretat e shqiptarëve (62.7%) kanë thënë se konsumojnë produkte të importuara nga Shqipëria. Por edhe pse 62.7% e shqiptarëve kanë thënë se blejnë produkte të importuara nga Shqipëria, ka disa fakte interesante. Përshembull: 87% e shqiptarëve nga Kosova pohojnë se blejnë produkte shqiptare dhe 80% e atyre që jetojnë në New York i kërkojnë ato.

Eshtë gjithashtu interesant fakti që produktet më popullore të shqiptarëve të Amerikës janë mishi, djathi i ndjekur nga alkoli (kryesisht rakia) dhe kafeja tradicionale që konsumohet në Shqipëri. Por nëse bashkangjitet dhe byreku e suxhuku, atëherë mishi, djathi, buka e traditës dhe alkooli janë produket me predominancë më të lartë që konsumohen nga ky komunitet.
Por fakt është gjithashtu që jo të gjitha produktet e përmendura janë me origjinë shqiptare. Po të krahasosh të dhënat zyrtare të importeve të ushqimeve të SHBA nga Shqipëria ka një mospërputhje me atë që diaspora raporton.

Siç është përshembull rasti i djathit, si një produkt nostalgjik. Të dhënat e doganave tregojnë se nuk ka import për këtë produkt. Të dhënat e Komisionit të Tregëtisë tregojnë se shumë njerëz mund të kenë thënë që blejnë djathë nga Shqipëria, por në fakt ata mund të jenë duke iu referuar djathit që vjen nga Bullgaria, Kosova apo Greqia. Këto produkte mund të vijnë edhe nga Shqipëria, por përmes vendeve të tjera të Ballkanit. Këto mallra, sugjeron studimi, mund të jenë sjellë në mënyrë informale, duke qenë se tregjet nuk janë të stabilizuara plotësisht dhe në dyqanet e vogla atyre u vihet një çmim më i lartë në mënyrë që të mbulohen shpenzimet e shpërndarjes dhe në mënyrë që dyqanet të kenë përfitime më të mëdha.

Por pavarësisht nga origjina, shumë nga këto produkte përbëjnë një pjesë të rëndësishme të konsumit të përgjithshëm. Në fakt shuma e shpenzuar nuk është për të mos u marrë në konsideratë, pasi pothuajse gjysma thonë se shpenzojnë 189 dollarë amerikanë në muaj, me një mesatare prej 2,172 dollarë në vit. Konsumi i këtyre produkteve nostalgjike përbën 5% të të ardhurave vjetore të shqiptarëve të SHBA.

Byrek Dukagjini në Bronxdale, New York City

Sfida për furnizimin me produkte

Kur krahasohet me kërkesën, oferta e produkteve nostalgjike nga Shqipëria për komunitetin e diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë e vogël. Importet nuk arrijnë të plotësojnë kërkesën. Në fakt, pothuajse gjysma e shqiptarëve në SHBA tregojnë për vështirësi në gjetjen e produketve të tyre të preferuara. Furnizuesit nga ana tjetër janë të paktë në numër, shumë të shpërndarë dhe të kufizuar edhe në sigurimin e produkteve.

Pak produkte

Sipas studimit të Harvard, arsyeja e vetmja sepse shqiptarët e Amerikës nuk konsumojnë produkte të vendit të origjinës, është se nuk kanë se ku t’i gjejnë, siç është rasti i 33.8% e tyre, ose detyrohen t’i marrin vetë nga Shqipëria (9,9%) ose dyqanet të cilat i shesin janë shumë larg (5,9%). Çka tregon dhe gamën e gjerë të problemeve që kanë lidhje me furnizimin. “Nëse unë do të gjeja produkte shqiptare, do t’i blija”, janë përgjigjur shumë nga të anketuarit.

Mundësitë për të zgjeruar tregtinë

Tregtia nostalgjike është një terren i paprekur për produktet shqiptare. Siç dhe tregon dhe studimi, afro 72% e bizneseve janë shprehur se do të ishin të gatshëm të shtonin produktet shqiptare në të ardhmen, duke vënë theksin tek mundësitë për të zgjeruar tregtinë mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Produktet që kërkohen më shumë nga shqiptarët janë djathi dhe turshitë, ku një në tre dyqane tregon se ka probleme për t’i gjetur këto produkte. “Nëse ju më gjeni dikë që më furnizon me djathë të bardhë, unë do të isha tejet i interesuar”, thotë shitësi i një dyqani. Shitjet online, mund të jenë një tjetër mundësi zhvillimi për bizneset, duke rritur në këtë mënyrë gamën e produketve shqiptare, duke u shitur edhe shumë më gjerë sesa në New York, Boston apo Detroit. “Momenti i fillimit mund të jetë i vështirë, por me një marketing të mirë, mund të gjenerohen mundësi të arta ekonomike për prodhuesit e vegjël në Shqipëri”, sugjeron studimi i Universitetit të Harvard.

Konsumimi nostalgjik fillon me diasporën, por nuk duhet të kufizohet vetëm me të. Në shumë qytete të Amerikës, por dhe të Europës, ka një kërkesë në rritje për produktet etnike. Shefat më të mëdhenj të kuzhinës janë në mënyrë të veçantë në kërkim të nostalgjisë së diasporës. E pse jo, ndoshta shumë shpejt edhe të produkteve shqiptare, të cilat mund të shijohen jo vetëm nga nostalgjikët./Agroweb.org