Fruta Perime Për Mbretëreshën dhe Britanikët – Sa Mundësi Ka Shqipëria?

981 0

Britania e Madhe do të përballet me vështirësi të rënda ushqimore dhe shëndetësore nëse qeveria e saj nuk arrin të lidhë Marrëveshjen e Brexit me Bashkimi Europian

Autoritetet e Brukselit dhe të Londrës nuk kanë asnjë pozicion të përbashkët dhe po shkojnë drejt ndarjes radikale mes tyre.

Ndarja e fortë do të vendosë tarifa të larta për mallrat e BE-së drejt Britanisë, por ofron mundësi të arta eksportesh nga vendet ende jo anëtare të plota si Shqipëria.

Divorci drastik mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian do të dëmtojë fort ushqimin dhe shëndetin e ishullorëve.

Një raport zyrtar britanik i cituar nga AgroWeb.org deklaron se nga 35 porcionet e fruta-perimeve që konsumatorët e ishullit blejnë vetëm 1 prodhohet në vend.

Madje edhe ky i fundit mblidhet nga punëtorë të bujqësisë që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Europian.

Ishullorët të alarmuar

Raporti zyrtar i përpiluar nga Qendra Mbretërore e Studimeve RSA tregon se britanikët ushqehen me fruta dhe perime, kërkesa e të cilave plotësohet me shumicë dërrmuese nga ushqimi i rritur në BE.

Sue Pritchard, drejtoreshë e Komisionit të Ushqimit, Bujqësisë dhe Zonave Rurale të RSA, paralajmëron se nëse nuk ka marrëveshje për daljen nga Bashkimi Europian, atëherë situata do të kishte efekte dramatike të menjëhershme.

“Mallrat dhe produktet në raftet e marketeve dhe tregjeve britanike do të ndryshojnë në mënyrë të pabesueshme.

Do të ketë vonesa në porte dhe përgjatë gjithë sistemit të furnizimit me ushqime. Ky ndikim do të ndihet shumë, shumë shpejt “, tha ajo.

Qeveria britanike është kritikuar rëndë për mos arritjen e ndonjë përparimi kuptimplotë në negociatat e Brexit dhe figurat kryesore, përfshirë kryeministren May, kanë argumentuar se më mirë të mos arrijnë asnjë akord me BE sesa një marrëveshje të keqe me ta.

Rajoni i Murcias në Spanjë, sipas BBC, është pikërisht ai që plotëson deri në 80% të nevojave Europiane për perime te freskëta sidomos gjatë muajve të dimrit.

Por Spanja, Italia, Franca dhe prodhuesit e mëdhenjt lindorë si Bullgaria dhe Polonia janë në BE dhe detyrohen t’i binden kushteve të saj.

A ka precedent?

Nëse kërkoni të dini se sa mund të ndikojë një bllokim i mundshëm, AgroWeb.org ju risjell në vëmendje se vetëm nga ngrica e motit në filllim të 2017, çmimet në Britaninë e Madhe u ngritën menjëherë.

Situata u rëndua aq shumë, sa mjaft furnizues perimesh në Britani importuan edhe sallatat jeshile nga Shtetet e Bashkuara, një lajm ky i padëgjuar më parë.

Britania e Madhe pati një reduktim të importit të perimeve si kastraveca, domate, brokoli, speca dhe patëllxhan me 25% dhe në të njëjtën kohë rritje të çmimeve nga 25% deri në 40%.

Sa mundësi ka Shqipëria?

Nga kontaktet me grumbulluesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të fruta-perimeve shqiptare, AgroWeb.org mëson se të gjithë po kërkojnë konsulencë dhe ndërmjetësim për të penetruar më lehtë dhe në kohën e duhur në tregjet britanike.

Ajo që ofron Shqipëria si vend jashtë Bashkimit Europian është shumëllojshmëri prodhimesh të fruta-perimeve të freskëta dhe çmime shumë më të ulta se sa ato të vendeve të BE-së.

Specialistët mendojnë se bujqësia shqiptare mund të përfitojë disa vite shitjesh të arta deri në stabilizimin e marrëdhënieve mes Britanisë dhe Bashkimit Europian.

Por nuk jemi vetëm. Kompanitë ndërkombëtare të ndërmjetësimit të tregut të prodhimeve të freskëta kanë marrë kërkesa serioze bashkëpunimi nga Serbia, Maqedonia dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor për të shumëfishuar eksportet drejt Mbretërisë së Bashkuar./AgroWeb.org

Mendoni se Shqipëria mund t’ia dalë mbanë për të shtuar eksportet e veta të prodhimeve të freskëta drejt Britanisë? Komentoni në Facebook.com/AgroWeb

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.