Nuk ka Si Petullat e Gjysheve – Të Ngrohtat Plot Shije

6k 0

Nuk ka një familje shqiptare, në të cilën petullat të mos zgjojnë oreksin për t’i patur menjëherë në tavolinë.

Tradita e hershme e gjysheve dhe nënave përsëritet brez pas brezi. Receta e petullave pavarësisht se pasurohet me përbërës të tjerë ajo mbetet përherë e gjithmonë më e preferuara.

Të shijshme, me sipërfaqen pakëz krokante dhe të buta nga brenda, nga fëmijëria e në çdo moshë ato tërheqin shijen e kujtdo.

Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak mjaltë, sheqer pluhur a kanellë, reçel apo djathë. Por edhe pa i shoqëruar fare, me asgjë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen  por edhe miqtë e të afërmit

AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të lehtë dhe të shpejtë për përgatitjen e petullave në shtëpi. Një mënyrë fantastike për t’i shijuar me familjen a me miqtë.

Për një gatim më të shëndetshëm në vend të vajit vegjetal AgroWeb.org u sugjeron që të përdorni vaj ulliri.

Receta e Shijshme e Përgatitjes së Petullave të Shtëpisë

  • 2 gota uji me miell
  • 1 gotë uji me kos
  • 1 kokërr vezë
  • Gjysmë luge kafeje me sodë
  • Vaj
  • Pak kripë
  • Pak gjalpë (një lugë të vogël)

Përgatitja

Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën dhe pak gjalpë.

I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.

Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.

Brumi duhet të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.

Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.

Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.

Mund të përdorim një lugë për ndarjen e brumit për çdo petull.

Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.

Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.

Pasi të jenë skuqur mirë vendosen në pjatë.

Ato mund të serviren me mjaltë, pluhur sheqeri e kanelle apo edhe me djathë./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.