E lehtë dhe shumë e shëndetshme. Supa me mish pule, brokoli dhe karrota është receta më e mirë për të mbajtur gjithë organizmin e shëndetshëm dhe trupin në formë.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e shijshme të supës me mish pule dhe brokoli, e cila përgatitet krejt lehtë në shtëpi dhe është ideale për vaktin e drekës por edhe të darkës.
Përgatitja e Supës me Pulë, Brokoli dhe Karrota
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- Një pulë e vogël ose 4-5 copa mish pule
- 300 gr brokoli
- 1 patate mesatare
- 2 karrota
- Një lugë çaji me gjalpë të freskët
- 2-3 lugë gjelle vaj ulliri
- Kripë
- Piper
Përgatitja
Pastroni mishin e pulës me ujë të rrjedhshëm.
Gjithashtu, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni me ujë të rrjedhshëm brokolit, të cilat i ndajmë në degëza ndërsa patatet i presim në kubikë shumë të vegjël. Pastroni edhe karrotat, qërojini bashkë me pataten dhe prijini ato në kubikë shumë të vegjël gjithashtu.
Vendosim një tenxhere në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit dhe pak gjalpë të freskët, shtojmë karrotat dhe patatet e prera në kubikë, i kaurdisim për disa minuta dhe më pas shtojmë brokolit, i kaurdisim pak dhe i heqim dhe i vendosim në një enë mënjanë.
Ndërkohë në tenxheren me yndyrën e mbetur shtojmë copat e mishit të pulës i kaurdisim, shtojmë kripën dhe më pas shtojmë ujë derisa të mbulohen mirë dhe e lëmë që të ziejë.
Pasi mishi i pulës të ketë zierë, shtojmë brokolit, karrotat dhe patatet dhe i lëmë të ziejnë për maskimumi 5-7 minuta.
Vlerat ushqimore të brokolit dhe karrotave
Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë. Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun, të lirë në çmim por shumë të pasur në vlera dhe shije.
Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit. Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamine.
Një racion me karrota të prera përmban 3.6 gramë fibër e cila mban stomakun dhe arteriet të pastra.
Në këtë mënyrë shmanget rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare, kolesterolit të lartë, konstipacionit etj./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje