Paralajmërohet Rritja e Çmimit të Bukës Por Jo e Cilësisë

616 0

Prodhuesit e bukës në të gjithë vendin po paralajmërojnë rritje të çmimit të bukës me gati 40 lekë të reja më shumë.

Pra, nga 80 lekë të reja që shitet buka aktualisht me paralajmërimin e prodhuesve të bukës pritet të shkojë në 110 apo edhe 120 lekë të reja.

Çfarë po ndodh?

Gjithçka vjen nga një vendim i OSHEE (Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike), që ka të bëjë me furrat e bukës, që krahas bukës tregtojnë edhe produkte të tjera brumi, pastiçerie dhe byrektore.

Sipas vendimit të OSHEE, furrat që përdorin bazë frigoriferike përjashtohen nga subvencionimi i tarifës së reduktuar të çmimit të energjisë prej 7.6 lekë/kwh dhe do ta paguajnë tarifën e energjisë pa subvencionim në shifrën 14 lekë/kwh.

Kjo masë, e cila ka nisur të aplikohet prej dy muajsh ka sjellë reagimin e prodhuesve të bukës.

Pas disa përpjekjesh për të arritur një marrëveshje me OSHEE por pa rezultat,  prodhuesit e bukës sot paralajmërojnë se të detyruar nga rritja e kostove të çmimit të energjisë elektrike janë të shtrënguar që ta reflektojnë këtë kosto në rritjen e çmimit të bukës dhe prodhimet e tjera të brumit gjithashtu.

Konkretisht sipas tyre nëse mosmarrëveshja me OSHEE nuk merr zgjidhje, çmimi i bukës sipas paralajmërimit të prodhuesve pritet të pësojë një rritje të menjëhershme deri në 40 lekë të reja.

Pothuajse të gjitha furrat janë me bazë frigoriferike

 Sot, Furrat që prodhojnë dhe tregtojnë vetëm bukë duket janë të pakta.

AgroWeb.org bëri një vëzhgim të disa furrave të bukës në lagje të ndryshme të kryeqytetit.

Pothuajse të gjitha furrat e bukës, krahas bukës kishin edhe frigoriferë të mëdhenj në të cilat tregtoheshim prodhime pastiçerie dhe prodhime të tjera brumi gjithashtu.

Çka do të thotë se rritja e çmimit të bukës pritet të reflektohet në të gjitha furrat e bukës.

Për shkak të përdorimit të frigoriferëve për produktet e tjera të brumit siç janë ëmbëlsira, byrekët e produkte të tjera të tjera, kjo i përjashton ata nga tarifa 7.6 lekë/kwh duke pasura një faturë më të shtrenjtë energjie prej 14 lekësh/kwh.

Prodhuesit e bukës thanë për AgroWeb.org thanë se rritja do të jetë e pashmangshme nëse ata nuk do të përfshihen në tarifën e reduktuar të çmimit të energjisë elektrike prej 7.6 lekë/këh.

Rritje çmimi por jo cilësie

Përballë kësaj situate, konsumatorët janë ata që penalizohen dyfish, pasi do të paguajnë më shumë për të njëjtën produkt, asgjë nuk do të ndryshojë përsa i përket cilësisë së produkteve të brumit që ofrohen.

Rritja e çmimit ndodh kur produkti që shitet është i një kualiteti më të lartë.

Por ky nuk është rasti i rritjes së çmimit të bukës, i cili penalizon direkt konsumatorin. Për shkak të përplasjes apo mosmarrëveshjeve të prodhuesve me institucionet përkatëse shtetërore, konsumatorët do të paguajnë më shumë për të njëjtën cilësi.

Të pyetur nga AgroWeb.org, prodhuesit e bukës u shprehën se nuk bëhet fjalë për një ndryshim në cilësinë e përbërësve së produkteve të brumit që ata tregtojnë në furrat e tyre përfshirë dhe bukën, por thjeshtë bëhet fjalë për reflektimin e kostos së rritur të çmimit të energjisë elektrike./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.