Cikloni i Ftohtë Mesdhetar Drejt Shqipërisë – Stuhi të Rrezikshme Ere po Afrojnë

717 0

Një ciklon i pazakontë pritet të godasë Ballkanin Jugor, pasojat e të cilit do të prekin edhe Shqipërinë.

Shërbimi Meteorologjik në Greqi ka lajmëruar zyrtarisht se më datë 1 tetor 2018, bregdeti i Jonit do të përfshihet nga një ciklon i fortë dhe i thellë i cili do të trondisë gjithë Mesdheun.

Ndërkohë efektet e para-ciklonit nisën sot dhe u ndjenë në të gjithë territorin shqiptar, ku dita nisi me temperatura shumë të ulëta dhe stuhi të pazakonta dhe të shpejte ere.

Konkretisht, Shërbimi Meteorologjik i Greqisë, të cilit i referohet AgroWeb.org njofton se zona jugperëndimore e Gadishullit të Peloponezit do të goditet ditën e premte, datë 28 shtator 2018 dhe do të vijojë aktivitetin e tij me stuhi të forta ere përreth 3-4 ditë.

Sipas parashikimeve, ditët ku cikloni do të jetë më i fortë do jenë dita e djelë e kësaj jave dhe e hëna e 1 tetorit ku pritet të jetë dhe dita më kulmore e stuhive nga cikloni mesdhetar.

Bazuar në njoftimet e autoriteteve greke, AgroWeb.org mësoi se karakteristikat e këtij cikloni janë tropikale ndërsa lajmërohet se aktiviteti i stuhive të forta do të jetë intensiv dhe i rrezikshëm.

Alarmi i Autoriteteve Meteorologjike

Pjesa e Europës Juglindore, përfshirë dhe Shqipërinë do të mbetet në një situatë kritike përsa i përket dinamikës të aktivitetit të ciklonit mesdhetar gjatë kësaj fundjave e deri në nisjen e javës tjetër.

Kjo situatë do të sjellë një mot ekstremisht të ftohtë në gjithë rajonin e Europës Juglindore si dhe në Mesdheun Jugor.

Referuar autoriteteve greke, këto kushte meteorologjike do të favorizojnë zhvillimin e një cikloni dytësor në po të njëjtat rajone.

Çfarë pritet të ndodh në Shqipëri?

Temperatura të ulëta, të panjohura më parë për stinën e vjeshtës shoqëruar me stuhi të forta ere janë lajmëruar në fillim të kësaj jave edhe nga Meteoalb, të dhënave të të cilit i referohet AgroWeb.org.

Situata e sotme e ciklonit që do të prekë Shqipërinë. Foto: Flickr

Të hënën, Meteoalb njoftoi zyrtarisht se këtë javë temperaturat do të ulen në mënyrë drastike ku në disa zona do të shkojnë deri në 0 gradë Celsius. Ndërkohë, po sipas Meteoalb i gjithë territori do të karakterizohet nga stuhi me erëra të forta.

“Temperaturat do të ulen në mënyrë te theksuar gjatë mbrëmjes së të hënës dhe vijojnë të martë, të mërkurë dhe të enjte ku në zona të thella malore termometri do të zbresë edhe në 0 gradë C.

Problematike paraqitet shpejtësia e erës vonë pasditen e së hënës dhe në vijim gjatë natës dhe dites së martë dhe pjesërisht të mërkurën.

Shpejtësitë maksimale të erës, në zona të veçanta do arrijnë mbi 80 km/h; kryesisht në Veriperëndim dhe luginën e lumit Drin” thuhet në njoftimin e Meteoalb./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.