Kek Shtëpie me Kungull Vjeshte – Ëmbëlsi e Lehtë plot Shije

2.9k 0

Keku me kungull të verdhë është ndoshta ëmbëlsira më e mirë që duhet përgatitur patjetër gjatë stinës së vjeshtës e që çdo amvisë duhet të provojë patjetër.

Me pak përbërës që gjenden lehtë në kuzhinën e çdo amvise, keku me kungull vjeshte është fantastik në shijen magjepsëse që ofron.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën fantastike të kësaj ëmbëlsire të mrekullueshme në shije dhe të thjeshtë në përgatitje.

Përgatitja e Kekut me Kungull

Përbërësit

250 gr miell gruri

300 gr kungull të verdhë të stinës

3 kokrra vezë

1 pako e vogël me gjalpë

150 gr sheqer

50 gr niseshte

10 gr maja për ëmbëlsira

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të nisni me pastrimin e kungullit nga lëkura e më pas nga farat.

Tulin e përftuar në masën e përcaktuar më sipër prijeni në kubikë të vegjël.

Kubikët e kungullit hidhini në një tigan, skuqini me pak gjalpë nga të dyja anët.

Më pas vendosini në një tas dhe kalojini në mikser ku do të përftoni një masë si brumë.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon të ndani të bardhat nga të verdhat e vezëve.

Rrihni si fillim të bardhat e vezëve derisa të krijohet një masë e fryrë e palëvizshme.

Më pas shtoni sheqerin dhe vijoni të rrihni masën, dhe më pas shtoni të verdhat e vezëve duke vijuar t’i përzieni.

Shtoni gjalpin e tretur dhe vijoni t’i përzjeni, shtoni masën e kungullit të grirë dhe përziejini.

Më pas, shtoni miellin, majanë për ëmbëlsira dhe niseshtenë.

I përzjejmë të gjitha në mikser për disa minuta derisa brumi të bëhet i njëtrajtshëm.

Më pas, lyejmë një tepsi me gjalpë, hedhim brumin aty dhe e fusim të piqet në furrë me 180 gradë përreth 40 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë, të kuqërremtë.

Keku me kungull shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me çajra të ndryshëm, kafe por edhe me lëngje frutash.

Është fantastik për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës, madje është një zgjidhje ideale për mëngjes por edhe për vaktet midis apo pas drekës a darkës./AgroWeb.org