Byrek i Shpejtë me Mish të Grirë – Ngrohtësi Plot Shije në Çdo Tryezë

7.3k 0

Një recetë fantastike me shije të mrekullueshme, e cila përgatitet në pak kohë.

Receta që ju rekomandon AgroWeb.org më poshtë është përgatitja e byrekut të shpejtë me peta të gatshme dhe me mish të grirë.

Kjo recetë kërkon më pak kohë se përgatitja e byrekut me petë të bëra vetë.

Pavarësisht se byreku me petë të bëra vetë është më i preferuar, AgroWeb.org do t’ju mësojë një metodë fantastike se si të përgatisni byrek me shije të përsosur edhe me peta të gatshme.

Përgatitja e Byrekut të Shpejtë

(Për mbushjen)

  • 2 kokrra qepë
  • 3 kokrra mesatare domate
  • 400 g mish të grirë
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë dhe pak piper
  • Majdanoz i freskët

Përgatitja e mbushjes me mish të grirë, qepë e domate

Si fillim grijmë fare hollë qepët. Në një tigan hedhim vajin e ullirit e më pas qepët për t’i skuqur derisa volumi i tyre të bjerë dhe të marrin një ngjyrë të artë.

Në kohën që qepët skuqen hedhim edhe kripën, e nëse dëshirojmë edhe pak piper.

Shtojmë mishin e grirë dhe e skuqim bashkë me qepët.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të grini domatet në copa të vogla. Për t’u hequr me lehtësi lëkurën më parë i futini për pak minuta në ujë të ngrohtë.

I hedhim në tiganin ku kemi skuqur mishin e qepët dhe vijojmë t’i skuqim derisa domatet të treten dhe masa të bëhet në formën e salcës kompakte, shtojmë majdanozin e grirë hollë.

Më pas e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Qumësht me Vaj Ulliri për Petët e Gatshme

Ka një sekret në përgatitjen e byrekut me peta të gatshme. Është lyerja e çdo pete me qumësht dhe vaj ulliri.

Mjafton të hidhni qumësht në një tas dhe dy lugë me vaj ulliri.

Më pas, secilën petë që shtroni në tepsi lyejeni me qumështin dhe vajin e ullirit përmes furçës së kuzhinës.

Shtroni katër apo pesë petë si fillim dhe lyejeni secilën me masën e qumështit me vaj ulliri.

Më pas, hidhni gjysmën e mbushjes me të cilin do përgatisni byrekun dhe vijoni me shtrimin e 3 apo 4 petëve të tjera duke i lyer sërish të gjitha me qumësht dhe vaj ulliri.

Shtoni pjesën tjetër të mbushjes dhe vijoni kështu deri në petën e fundit.

Nëse preferoni mbushjen e byrekut mund ta ndani në tre pjesë.

Në fund, lyeni anët e byrekut me pak qumësht dhe vaj ulliri ashtu si edhe sipërfaqen dhe kthejini anët duke i mbyllur me njëra-tjetrën.

Gradacioni i Pjekjes

Kur byreku përgatitet me petë të gatshme është e rëndësishme të dini se gradacioni është pjesë e rëndësishme e procesit.

Furrën nuk duhet ta nxehni në maksimum por rreth 180 gradë si fillim.

Vendosni byrekun e përgatitur në furrë ku zgara të jetë e vendosur në mesin e furrës dhe lëreni rreth 10-minuta aty.

Më pas, AgroWeb.org ju këshillon që tepsinë e byrekut ta ulni poshtë dhe lëreni derisa pjesa e poshtëme e tij të piqet duke e kontrolluar herë pas here.

Kur të jetë pjekur në pjesën e poshtme vendoseni sërish në zgarën e vendosur në mes të furrës dhe lëreni të piqet derisa sipërfaqja të marrë ngjyrën e kuqërremtë.

Në fund, para se të fikni furrën lyeni sipërfaqen e byrekun sërish me pak qumësht dhe me pak gjalpë të freskët në vend të vajit të ullirit dhe më pas fikni sobën dhe lëreni byrekun të kullojë dhe të ftohet pak dhe më pas servireni.

Këtë metodë mund ta përdorni për përgatitjen e byrekëve me mbushje të ndryshme sipas dëshirës. /AgroWeb.org