Turshi të Shpejta me Patëllxhanë – Si t’i Përgatisni Plot Shije

12.6k 0

Patëllxhani është një perime e pasur në vitamina, minerale, antioksidantë  dhe fibër.

Falë këtyre vlerave, patëllxhani njihet për aftësitë e tij në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës e shumë të tjerave.

Në mbarë botën, patëllxhani përfshihet gjërësisht në gatime të ndryshme.

Përveç gatimeve tradicionale, patëllxhani përgatitet dhe serviret edhe si turshi.

Patëllxhani turshi ka një shije mjaft të veçantë që e bën atë shoqërues të shumë recetave dimërore.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për një mënyrë të shpejtë dhe të lehtë në përgatitjen e patëllxhanit turshi në kushtet e shtëpisë.

Turshia në vetvete, është një nga mënyrat më të mira për të garantuar jetëgjatësinë e shumë perimeve për stinën e dimrit.

Përbërësit

  • 6 patëllxhanë të freskët, me lëkurë të lëmuar e pa njolla,
  • Kripë,
  • 300 ml uthull të bardhë ose uthull molle,
  • 2 gota e gjysmë me ujë,
  • 3 deri në 4 thelbinj hudhër të qëruar dhe të prerë hollë
  • Gjethet e një tufe majdanozi. Gjethet duhen të lara, të thara mirë dhe të grira hollë.
  • Gjysmë ose një lugë çaji me spec djegës pluhur
  • Për një shije më pikante mund të përdorni speca të vegjël të kuq djegës të cilët mund t’i ndani në dysh.
  • Një deri në dy filxhanë çaji me vaj ulliri ekstra të virgjër
  • Çerek filxhan çaji me uthull
  • Gjethe mente të grira hollë (sipas dëshirës)
  • 1-2 lugë çaji me rigon të thatë (sipas dëshirës)
  • 1-2 speca jeshilë të prerë hollë (sipas dëshirës)

Përgatitja

Lajini patëllxhanët mirë me ujë të bollshëm për të hequr çdo papastërti dhe thajini me letër kuzhine.

Priteni patëllxhanin në feta të gjata jo shumë të trasha.

Vendosini në një kullesë dhe spërkatini me kripë.

Vendoseni kullesën në lavaman dhe mbulojeni me një pjatë.

Sipër saj vendosni diçka të rëndë në peshë, gjë që do të lehtësojë shterimin e lëngjeve nga patëllxhani.

Pas një ore, shtrydhini shiritët e patëllxhanit për të larguar çdo lëng të tepërt.

Më pas, hidhini në një tenxhere të madhe dhe shtoni 300 ml uthull dhe 2 gota e gjysmë me ujë.

Nëse dëshironi të përgatisni një sasi më të madhe turshie patëllxhani, për çdo 2 gota ujë duhet të hidhni një filxhan me uthull.

Pasi lëngu të ketë marrë valë, hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lërini patëllxhanët të ftohen.

Merrni një tas të gjërë dhe hidhni në të hudhrën, majdanozin, menten, specat, rigonin dhe specin djegës.

Shtrydhini patëllxhanët dhe hidhini në tas.

Shtoni vajin e ullirit dhe uthullën e mbetur dhe përziejini mirë së bashku.

Të gjithë masën më pas duhet ta transferoni në kavanozë të larë e të sterilizuar duke shtypur patëllxhanët në fund të kavanozit.

Në sipërfaqe të tij duhet të lini një hapësirë prej 3 centimetrash.

Sipas nevojës, në kavanoz mund të hidhni vaj ulliri shtesë që të mbulojë të gjithë patëllxhanët.

Kini kujdes, sepse kavanozët nuk duhet të jenë të tejmbushur me patëllxhanë.

Pasi të keni mbyllur kapakun, kavanozin vendoseni në frigorifer.

Patëllxhanët janë të ngrënshëm brenda 24 orëve por rekomandohet që të prisni 2 ditë përpara se t’i hani ato.

Patëllxhanët turshi mund të qëndrojnë në frigorifer për 1 muaj.

Ato nuk duhen ruajtur në temperaturë ambienti./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.