Shifrat Për 2018 – 45% e Femrave dhe 53% e Meshkujve Drejt Mbipeshës Në Shqipëri

415 0

Mbipesha dhe obeziteti po shndërrohet në një fenomen shqetësues tek shqiptarët.

Shifrat zyrtare të Institutit Publik të Shëndetit dhe INSTAT pë vitin 2018 tregojnë për një tendencë në rritje të femrave dhe meshkujve mbipeshë.

Sipas të dhënave të ISHP dhe INSTAT të publikuara në Monitor.al, të cilave i referohet AgroWeb.org rezulton se vitet e fundit rreth 45% e femrave dhe 53% e meshkujve në moshën 15-49 vjeç ishin mbipeshë ose obezë.

Nga statisikat rezulton se dieta e pakontrolluar dhe mungesa e aktivitetit fizik po i çon shqiptarët me shpejtësi drejt obezitetit.

Por gjithashtu, edhe stresi është një faktorët që nxit mbipeshën duke çrregulluar në mënyrë të theksuar mënyrën e të ushqyerit.

Kjo situatë bëhet shkak, ndër të tjera, ndaj ekspozimit kundrejt sëmundjeve që kërcënojnë seriozisht shëndetin.

Përqindja e femrave mbipeshë

Gjysma e femrave të moshës 15-49 vjeç kanë peshë normale, 4% janë të dobëta dhe 45% janë mbipeshë ose obezë.

Referuar të njëjtave të dhënave, përqindja e femrave të moshës 15-49 vjeç nën peshë është rritur lehtë nga 3% në 2008 në 4% më 2018.

Në të njëjtën periudhë, përqindja e femrave mbipeshë nga 39% më 2008 u rrit në 45% më 2018.

Përqindja e femrave mbipeshë ose obeze rritet ndjeshëm me moshën, nga 14% te femrat e moshës 15-19 vjeç në 75% te femrat e moshës 40-49 vjeç.

Përqindja e femrave që janë mbipeshë ose obeze zvogëlohet me rritjen e nivelit të arsimit, nga 49% në femrat me arsim fillor dhe 4-vjeçar në më pak se 35% në mesin e atyre me universitet.

Përqindja e meshkujve mbipeshë

Ndërsa ndërmjet meshkujve 15-49 vjeç, 39% kanë peshë normale, 2% janë nën peshë dhe gati 60% janë mbipeshë ose obezë.

Përqindja e meshkujve në moshën 15-49 vjeç nën peshë, u rrit lehtë nga 1% në 2008 në 2% në 2018.

Përqindja e meshkujve mbipeshë ose obezë mbeti e pandryshuar në 53%.

Ashtu si edhe tek gratë, citon Monitor, përqindja e meshkujve që janë mbipeshë ose obezë rritet ndjeshëm me moshën, nga 14% që është obeziteti në moshën 15-19 vjeç, shkon në 76% në meshkujt e moshës 40-49 vjeç.

Përqindjet e meshkujve me peshë normale janë më të larta në zonat rurale (48%) sesa në zonat urbane (43%).

Përqindja e meshkujve mbipeshë dhe obezë është më e ulët në nivelin e ulët arsimor dhe më e lartë në nivelet më të avancuara të arsimit.

Afërsisht 60% e meshkujve me universitet dhe në kuintilin e lartë të pasurisë janë mbipeshë ose obezë.

AgroWeb.org ju këshillon të tregoni kujdes në mënyrën e të ushqyerit, të konsumoni sa më shumë fruta dhe perime të stinës, të hiqni dorë nga ushqimet me yndyrë të tepërt, nga ushqimet e shpejta dhe të respektoni konsumin e ushqimit në të gjitha vaktet e ditës duke mos i shmangur ato. /AgroWeb.org