Lulelakra ofron një sërë vlerash shumë të rëndësishme për shëndetin e njeriut.
Në sajë të profilit të pasur të ushqyeve, lulelakra përshkruhet si një prej perimeve më të shëndetshme në planet.
Ajo është një burim i shkëlqyer i fibrës, vitaminave C, K, B dhe mineraleve si mangan, kalium dhe magnez.
75% e këtyre vlerave shkatërrohen nëse lulelakra gatuhet për më shumë se 30 minuta.
Në recetën e mëposhtme të sugjeruar nga AgroWeb.org do të mësoni një recetë mjaft interesante për gatimit e lulelakrës në formën e petullave.
Përbërësit:
- Një tufë mesatare lulelakre prej 700 gramësh,
- 2 vezë,
- 3 lugë gjelle me majonezë,
- 3-4 lugë gjelle me miell (ose pak më shumë)
- Gjysëm luge çaji me sodë buke,
- Kripë,
- Vaj gatimi
Përgatitja:
Shpërbëjeni lulelakrën në tufa në vogla dhe hiqni kërcenjtë e trashë.
Vendosni tenxheren me ujë në zjarr dhe hidhni kripë.
Pasi uji të ketë marrë valë, hidhini tufat e lulelakrës dhe lërini të zjejnë.
Hiqini nga tenxherja dhe vendosini sipër një letër kuzhine që të thahen.
Merrni një tas të thellë dhe kalojini tufat e ziera të lulelakrës në rende.
Shtoni vezët, majonezën, kripën, sodën e bukës dhe miellin.
Sa i përket trashësisë së petullave, atë mund ta vendosni në varësi të shijes duke shtuar më shumë apo më pak miell.
Vendoseni tiganin në zjarr dhe shtoni 2-3 lugë vaj gatimi.
Përdorni një lugë gatimi për të hedhur brumin në tigan dhe për tu dhënë formën e preferuar.
Skuqini deri sa ato të marrin një ngjyrë kafe me nuancë të artë.
Kthejini nga ana tjetër dhe skuqini sipas preferencës.
Këto petulla mund të serviren jo vetëm për mëngjes por edhe për drekë dhe mund t’i shoqëroni me kos.
Fakte Interesante Për Lulelakrën
Kjo perime është ndër të paktat që nuk e do dritën e diellit.
Tufa e perimes së bardhë është në të vërtetë forma e pazhvilluar e një luleje, e cila në rast se nuk do të mbrohej nga gjethet e trasha do të prodhonte klorofil dhe lule por të pangrënshme.
Kjo perime mund të rritet edhe në ngjyra të tjera siç është portokallia, jeshilja dhe vjollca./AgroWeb.org